MENU
klinika

Sali Protopapa, "heroi" i gdhendur!

Regjisori pikant, feston datëlindjen

14.04.2021 - 13:27

         Një nga personalitetet më të shquara në historinë e Teatrit shqiptar, Piro Mani, feston sot datëlindjen e 89-të. Mani, konsiderohet si një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar. Edhe pse ka provuar të jetë dhe aktor, regjia do të mbetej pasioni i tij më i madh, që e identifikoi për nervin me të cilin e shihte një vepër artistike dhe për nxitjen që u jepte aktorëve për të dhënë maksimumin.

Me dhjetëra shfaqje të vëna në skenë që mbajnë firmën e tij regjisoriale, i kanë dhënë një vend nderi në artin shqiptar. Teatri i Korçës, teatri i qytetit të tij të lindjes që ai e ka drejtuar për rreth tetë vjet i uron ditëlindjen mjeshtrit të madh.

“Gëzuar ditëlindjen Piro Mani! Edhe shumë vite pranë familjes!” – uron Teatri “Andon Zako Çajupi”.

Edhe Teatri Kombëtar uron ditëlindjen e një ndër personaliteteve më të shquar në historinë e regjizurës shqiptare.

“Teatri Kombëtar uron një nga personalitetet më të shquar të historisë së tij, z. Piro Mani, në 89-vjetorin e lindjes. Gjejmë rastin ta falënderojmë për gjithçka që ai i ka dhënë skenës shqiptare”.

Pirro Mani do ta linte teatrin pas viteve ’90-të, atëherë kur ndryshimi i sistemit solli dhe një kaos social e kulturor. Iku, por vështrimin e mbajti gjithnjë pas, tek ajo jetë e mbetur në çdo cep të godinës së Teatrit.

Me emocion dhe mall, regjisori i njohur Piro Mani, do të rikthehej pas 15 vitesh mungesë në Teatrin Kombëtar, ku aktorë dhe regjisorë të brezave të ndryshëm do ta prisnin me duartrokitje dhe nderim mjeshtrin e skenës.

“Bashkë me Pavlinën kemi shumë mall, na mungoni shumë. Na mungojnë shokët, ndërsa ju e kini njëri-tjetrin këtu. Unë kam mall për çdo aktor, për çdo punëtor skene, për elektricistin, edhe në Korçë kur shkova, sepse ne kemi pasur rastin që të punojmë dhe atje”, – do të shprehej në fjalën e tij regjisori i shquar, Pirro Mani.

Vitet e gjata të qëndrimit në New York, do t’i shërbenin Pirro Manit, për të shkruar edhe dramën shqipe të titulluar “Njeriu hibrid”, që trajton luftën e klasave në Shqipërinë e viteve ’70-të, që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 2015.

Piro Mani lindi më 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Mani i përket asaj plejade artistësh shqiptarë që studiuan në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror Gitis. Karrierën si regjisor e nisi në Teatrin e qytetit të tij të lindjes Korçë, ku punoi rreth 8 vjet. Në Teatrin Kombëtar ai erdhi për herë të parë në vitin 1967, ku spikati menjëherë për talentin dhe forcën me të cilën e shihte teatrin. Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale. Si pedagog ai ka dhënë kontribut në daljen e një sërë brezash artistësh që bëjnë sot teatër. Ndër veprat e tij mund të përmendim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Cuca e maleve”, etj. Pirro Mani mban titullin “Artist i Popullit”. Kinemaja ka qenë një tjetër stacion në jetën e tij. Ai ka interpretuar si aktor në filmin “I teti në bronz” rolin e Sali Protopapës, apo “Vitet e para”. Roli i tij i fundit ka qenë në filmin “Barbarët” me regji të Liri Begesë.