MENU
klinika

Opozita kryeson vetëm në 3 qarqe

Rezultatet e zgjedhjeve/ Numërohen mbi 1200 kuti në të gjithë vendin, si renditen PD, PS dhe LSI

26.04.2021 - 04:39

Pjesëmarrja në votimet e së dielës ka qenë rreth 48% e shqiptarëve me të drejtë vote sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithëse në listat e votues janë 3 milionë e 600 mijë shqiptarë, gati gjysma e tyre jetojnë jashtë vendit dhe e kanë të pamundur të marrin pjesë në votime.

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka mundësuar votën e emigrantëve.

Ndërkohë, në këto zgjedhje ata që mund të vinin nga Greqia për të dhënë votën e tyre në vendlindje thuajse ka qenë e pamundur për shkak të vendimi që i detyron të karantinohen për dy javë.

Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi. Për herë të parë në vendin tonë u aplikua teknologjia në zgjedhje, çka ka lejuar që çdo votues të identifikohet me një pajisje elektronike.

Rezultatet minutë pas minute:

07:11- Sipas të dhënave të KQZ, nga numërimi që I është bërë fletëve të votimit në 1203 V rezulton se Partia Socialiste ka marrë 50.1%, ndërsa Partia Demokratike 38.29%. Më pas renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 7.04%.

06:51- Partia Socialiste vazhdon të kryesojë rezultatin e zgjedhjeve. Nga numërimi i 1125 kutive të votimit, PS ka siguruar 50.19% të votave, ndërsa PD 38.26%. Forca e tretë renditet LSI me 7%.

06:15– Nga numërimi i 915 kutive të votimit, rezultati vazhdon të jetë i njëjtë ku Partia Socialiste kryeson me rreth 50 për qind të votave. Partia Demokratike qëndron në kuotën e 38 %, pasuar nga LSI me 6.9% për qind, duke pësuar një rritje të lehtë.

Dy partitë kryesore opozitare kanë aktualisht 45% të votave. KQZ bën me dije se ka përditësuar rezultatin rreth pres 06:01 minutë të mëngjesit të sotëm.

05:29– Ka shkuar në 743 numri i kutive me fletë votimi të numëruara në mbarë vendin nga 5199 kuti gjithsej.

Rezultati në tërësi mbetet i pa ndryshuar ku kryeson Partia Socialiste me rreth 50 për qind të votave, e ndjekur nga PD me rreth 38% dhe LSI me rreth 7 për qind.

Këto janë të dhënat më të fundit nga Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve. Partia Demokratike aktualisht është përpara në tre qarqe të veriut, si në Kukës, Shkodër dhe Lezhë.

04: 44-Nga numërimi i 555 kutive në rang vendi, Partia Socialiste vazhdon të kryesojë me rreth 74 mijë vota.

Ndërkohë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë rreth 65 e 700 vota.

Rezultatet janë ende paraprake dhe numërimi vazhdon në të gjithë vendin.

Partia e katërt deri më tani renditet ajo e Tom Doshit me rreth 2% të votave, ndërsa të gjitha partitë e tjera nuk e kanë kaluar as 1% të votave.

04:05- Partia Socialiste vijon kryesimin sa i përket numrit të votave nga numërimi i 400 kutive në të gjithë vendin. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS kryeson me rreth 50% të votave.

Ndërkohë, PD dhe LSI së bashku marrin rreth 45% të votave. Numërimi i votave vazhdon në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë vonesa ka në Durrës.

03:30- Numri i kutive në rang vendi ka shkuar në 299 nga 5199 qendra votimi. Në përditësimet më të fundit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste rezulton fora e parë me rreth 38 750 vota, e pasuar nga Partia Demokratike me 29 mijë e 451 vota. LSI ka deri më tani 5 mijë e 242 vota.

02:38- Nga numërimi i 129 kutive në rang vendi, Partia Socialiste rezulton forcë e parë me rreth 51% të votave, ose 16 e 179 vota, ndërkohë Partia Demokratike ka marrë 11 775 vota.

LSI, si forcë e tretë ka marrë 2339 vota.

Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e katërt deri më tani renditet PSD e drejtuar nga Tom Doshi me 380 vota. Procesi i numërimit të votave po vazhdon në të gjithë vendin.

02:18- Nga numërimi i 85 kutive në rang vendi nga 5199 qendra votimi në total, Partia Socialiste rezulton forcë e parë me rreth 51 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike me rreth 38 për qind.

Partia e tretë është Lëvizja Socialiste për Integrim, me rreth 7 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Sociale Demokrate me rreth 1 për qind të votave.

Këto janë të dhënat më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Rezultatet janë paraprake dhe ato mund të ndryshojnë nga ora në orë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN