MENU
klinika

Tenis

Shtyhet turneu i madh i “Roland Garros”

08.04.2021 - 11:16

Tashmë është zyrtare. Grand slam i Roland Garros, i planifikuar të nisë më 23 maj, do të fillojë një javë me vonesë, pra më 30 maj dhe do të përfundojë më 13 qershor. Lajmin e konfirmuan vetë organizatorët e turneut parizien.

Kjo gjë pritej, pasi prej disa ditësh përflitej për një shtyrje të tij. Franca është në karantinë totale deri në fund të prillit dhe procesi i vaksinimit po ecën ngadalë, duke bërë që infektimet me Covid-19 të jenë ende të larta.

Ndaj dhe u mor ky vendim, për ta shtyrë turneun me një javë, për të parë se cilat do të jenë masat e reja që qeveria franceze do të marrë nga 1 maji. Objektivi i organizatorëve të Roland Garros është që turneu të zhvillohet me publik, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje financiarisht këtij eventi, pas humbjeve kolosale të një viti më parë.

Vitin e kaluar turneu u shty me 4 muaj dhe u zhvillua në fund të shtatorit. Gjithsesi, shtyrja e Roland Garros me një javë ndikon në turnetë e fushave me bar që nisin më 7 qershor. Janë 3 të tillë, në Stuttgart, Nottingam dhe Hertongebosch, që me shumë gjasa do të dëmshpërblehen financiarisht pikërisht nga turneu parizien.