Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi sipas policisë ata dyshohet se janë autorë të tentativës së vrasjes së një djali të ri në fshatin Sulaj.
Policia zbardhi vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Pashk Palnikaj, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Këtë të shtunë u arrestuan tre nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, të cilët janë shtetasit:
Kiri Mernica , 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në fshatin Sulaj, (i cili ishte më masë sigurie “Arrest shtëpie”).
Mirand Mernica, 48 vjeç, lindur në Fier dhe banues në fshatin Sulaj.
Liri Biçaku, 34 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në fshatin Sulaj.
Ndërsa u shpall në kërkim Robert Mernica , 44 vjeç, lindur në Fier dhe banues në fshatin Sulaj.
Sipas policisë “këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, për motive të dobëta, ditën e djeshme kanë tentuar për të vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin Pashk Palnikaj, 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në fshatin Sulaj, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve”.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë dhe një pushkë, ndërsa sipas forcave blu mbi autorët rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Largim i të dënuarit nga vendi i qëndrimit”.