MENU
klinika

ANALIZA

A do ta ndalë Vatikani, konfliktin midis Ukrainës e Rusisë?

02.05.2021 - 11:31

Përshkallëzimi i kontrolluar i kohëve të fundit i tensioneve midis rajonit ukrahinas të Donbasit dhe Detit të Zi,është mbyllur pa degjeneruar në një luftë të hapur, duke kontribuar në mënyrë vendimtare në rivendosjen e një klime potencialisht produktive dhe konstruktive të dialogut midis palëve ndërluftuese.

Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, kanë përshpejtuar ritmin e punës në lidhje me përgatitjen e ngjarjes kryesor të këtij viti, takimit dypalësh midis Vladimir Putin dhe Joe Biden, ndërsa Kievi ka filluar që të zbulojë një vullnet pajtues në lidhje me zgjidhjen e problemit të Donbasit.

Gjithçka nisi më20 Prill, kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i vetëdijshëm se e kishte humbur lojën e rrezikshme, e ftoi homologun e tij rus në një takim sqarues pikërisht në Donbas. Dy ditë më vonë, mbërriti përgjigja pozitive e Putinit:gatishmëri e plotë për një samit të dyanshëm, por mundësisht në Moskë.

Kjo me 2 qëllime taktike dhe strategjike. Nëse Zelensky do të pranonte, ai do të mbështeste nënshkrimin e një marrëveshje paqeje në shtëpinë e rivalit. Duke qenë në dijeni të plotë të logjikës së ftesës për të vizituar Moskën, Kievi luajti 2 karta të papritura:Vatikanin dhe Izraelin, duke iu lutur të parit që të ishte organizator i samitit, dhe të dytit të ndërmjetësonte tek Kremlini, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Putinit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Një takim Putin-Zelensky në Vatikan?

Duke dëshmuar njohuri të thella mbi traditën diplomatike të papëve, presidenti ukrainas shtoi se “Vatikani do të ishte me të vërtetë vendi ideal për të dialoguar mbi paqen”, pasi “Selia e Shenjtë është një autoritet moral në nivel global, që ka qenë gjithmonë efektive, ajo luan rolin e ndërmjetësuesit sepse është e paanshme dhe e besueshme për të gjitha palët në konflikt”.

Ukrahina, shpjegoi Zelensky, do të donte të përfshinte direkt Papën në çështjen e Donbasit, pasi Selia Apostolike është thirrur shpesh për të zgjidhur konfliktet midis shteteve duke ndërtuar një të ardhme paqeje”.Sipas tij “Vatikani mishëron tradicionalisht autoritetin dhe dëshirën e sinqertë për të ndihmuar, dhe siguron një garanci të përgjegjësisë, ndërsa Papa për vokacionin që ka është një profet i paqes”.

Pra, sipas Kievit diplomatët mund të vihen në shërbim të trashëgimtarit të Shën Pjetrit për të zgjidhur njërën nga dy çështjet që shkaktojnë edhe fërkimet më të madha midis Moskës dhe Kievit (tjetra është Krimea), sepse “Vatikani është një fuqi morale, e cila ndërhyn në mënyrë interesante, pa interesa të saja politiko-ushtarake apo ekonomike”.

Reagimi i Kremlinit

Kremlini reagoi menjëherë ndaj propozimit të Zelensky. Zëdhënësi Dmitrj Peskov tha se Putini mund të mos jetë i disponueshëm për një takim jashtë Moskës, teksa shtoi se Rusia, duke mos e konsideruar veten palë në konflikt, nuk e ndjen nevojën për të marrë pjesë në një takim dypalësh.

Nëse Zelensky do të donte të diskutonte marrëdhëniet dypalëshe, përveç Donbasit, dyert janë të hapura edhe në kryeqytetin rus. Edhe pse njoftimi për shtyp i Peskov ishte qëllimisht i ftohtë, një pasash në lidhje me mungesën e informacionit nga Selia e Shenjtë, është tregues i ekzistencës së një interesi nga pala ruse.

Në çdo rast, pranimi apo jo i ftesës së Zelensky për një takim dypalësh në Vatikan do të varet më shumë nga patriarkana e Moskës sesa nga Kremlini, pasi midis dy Kishave vazhdon të ekzistojë një gjendje e bashkëpunimit konkurrues, dhe hera-herës antagonist, siç dëshmohet nga mungesa e një udhëtimi apostolik të planifikuar në agjendën papnore drejt Romës së Tretë (Moskës së tretë).

Faktori Izrael

Gjatë intervistës dhënë për të përditshmen italiane“La Repubblica”, e konceptuar sipas qëllimit kryesor të aktivizimit të një kanali dialogu midis Kievit dhe Selisë së Shenjtë, dhe midis kësaj të fundit dhe Kremlinit, Zelensky u përpoq të luante një kartë tjetër potencialisht fituese:Izraelin.

I intervistuar më 22 prill nga kanali televiziv izraelit 24News, ambasador i Ukrainës në Izrael, Yevhen Korniychuk, informoi publikun për një fakt deri diku befasues:Zelensky i kërkoi Netanyahut të ndërmjetësonte negociatat me Putinin. Për shkak të marrëdhënies së përzemërt midis të dyve, dhe me synim materializimin e marrëveshjes dypalëshe dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare për paqe.

Netanyahu, që sipas Korniychuk, e pranoi këtë mision, i tha atij se do të bënte “më të mirën e tij” për ta bindur presidentin rus. Kjo gjë ndodhi për një arsye specifike:ai është një bashkë-fetar si Zelensky, pra i besimit hebre.

Dhe për një aks të mundshëm ukrainas-izraelit të paqes, i modeluar pikërisht nga faktori i besimit Judaik, u fol që në vitin 2019, kur Ukraina u bë vendi i dytë në botë, pas Izraelit, që kishte një president po ashtu edhe një kryeministër (Volodymyr Groysman) të besimit hebre. Diplomatët e të dy vendeve kontaktuan me njëri-tjetrin, të vetëdijshëm mbi shansin e papërsëritshëm për një aleancë midis Kievit dhe Jeruzalemit që shtrinte ndikimin në Donbas dhe më pas deri në Moskë.

Përpjekja e përtërirë e Zelensky për të shfrytëzuar besimin e përbashkët fetar me Netanyahu, si dhe qëllimi i tij për ta përfshirë Vatikanin si ndërmjetës, janë dëshmi e fortë e ndikimit gjithnjë e më të madh të Selisë së Shenjtë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pasi atje ku nuk depërton makiavelizmi dhe pesimizmi antropologjik i burrështetasve, mund të kenë sukses klerikë-diplomatë të stërvitur në hijen e kishave dhe sinagogave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Më shumë sesa thjesht shtrëngime duarsh”

Çfarë pritet nga vizita e Putin në Korenë e Veriut?

Pse dënimi me burg do të ishte katastrofë në SHBA

‘Lufta’ e Trump me gjyqtarët po bëhet gjithnjë e më e egër

“Biden do gjak të derdhur në Europë”

Rusia: NATO po bëhet gati për luftë të drejtpërdrejtë