MENU
klinika

Qëndrimet

Bashkëqeverisja dhe ‘non grata’, ku ndahen kandidatët në PD!

25.05.2021 - 16:10

Vendimmarrja e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, për shpalljen e Sali Berishës “non grata” është një nga çështjet më të nxehta në arenën politike shqiptare.

Ndërkohë, në Partinë Demokratike ka nisur procesi i zgjedhjeve për kryetarin e ri të saj. Nga dje 4 kandidatët, Agron Shehaj, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Lulzim Basha, kanë nisur fushatën për të siguruar mbështetjen e demokratëve për të drejtuar PD-në në 4 vitet e ardhshme. Por cili është qëndrimi i kandidatëve të PD-së. Çfarë qëndrimi do të mbanin ata karshi ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha, nëse sot do të ishin kryetar të PD-së?

Kandidatja e vetme grua për të kryesuar PD-në, Edit Harxhi, vlerëson kontributin e Berishës në demokratizimin e Shqipërisë dhe lidhjen e marrëdhënieve me SHBA-në. Ndërkohë, sa i takon vendimmarrjes, ajo thotë se siç e ka në platformën e saj (decentralizim), vendimmarrja nuk do të ishte e kryetarit.

“Sali Berisha ka një kontribut të padiskutueshëm për demokracinë në Shqipëri dhe çështjen kombëtare shqiptare. Unë mbetem mbështetëse e fortë e vlerave dhe parimeve demokratike euro-atlantike, që janë themelet e demokracisë dhe kombit tonë. Platforma ime për garën në PD është decentralizimi, pra që të mos jetë kryetari që i merr i vetëm vendimet. Ndaj pyetjes tuaj, platforma që kam besoj se i jep përgjigje që nuk do të ishte vetëm vendimi im. Ndërkohë, vlen të theksohet se vetë Berisha ka nisur një proces gjyqësor i vetëm dhe jo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me Sekretarin Antony Blinken”, shprehet Harxhi.

Ndërsa kandidati tjetër, Fatbardh Kadilli, shprehet se nuk bëhet fjalë për përjashtim, pasi vetë ideologjia e tij është për bashkimin e të gjithë demokratëve për të arritur objektivin final të mundjes politike të Ramës. Megjithatë, Kadilli shton se vetë Berisha do ta mënjanojë PD-në nga beteja personale që ka nisur. “Nuk bëhet fjalë për përjashtim nga grupi. Platforma ime është për bashkimin e të gjithë demokratëve dhe jo përjashtimin. Ndërkohë, unë i qëndroj reagimit që kam bërë pak ditë më parë se sot, në një situatë krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht. Kam bindjen se ai do ta shmangë PD-në nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes, duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë. Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe etosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë dhe nuk do t’i komprometojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”, tha Kadilli për gazetën “Panorama.al”.

Ndërkohë, kandidati tjetër Agron Shehaj në reagimin publik nguroi të jepte një koment për rastin konkret. Shehaj përmendi vetëm faktin se Berisha ka luajtur një rol të veçantë në orientimin e vendit drejt Perëndimit. “Për sa i përket kësaj çështjeje, jemi të gjithë të vetëdijshëm se lideri historik i PD-së (Sali Berisha) ka një kontribut të jashtëzakonshëm në orientimin e Shqipërisë drejt Perëndimit. Për sa i takon deklarimit të z. Berisha ‘non grata’, personalisht nuk dua të jap asnjë koment”, tha Shehaj.

BASHKËQEVERISJA

Ndërkohë, sa i përket çështjes së bashkëqeverisjes, kandidatët ishin më të unifikuar. Në reagimin për gazetën “Panorama.al”, Kadilli u shpreh kategorikisht se nuk do të bashkëqeveriste me Kryeministrin Rama. “Jo kategorike. Më vjen keq që fjala ‘jo’ nuk ka më shumë germa që të shprehja mendimin kundër kësaj ideje”, tha Kadilli.

Po të njëjtin qëndrim kategorik kishte edhe Edit Harxhi. E pyetur për çështjen e bashkëqeverisjes, ajo u shpreh “absolutisht që jo. Nuk bëhet fjalë për një mundësi të tillë”. Ndërsa për Agron Shehajn, për të mundur Edi Ramën, duhet një njeri krejt ndryshe, ndaj bashkëqeverisja është kategorisht e përjashtuar. “Nëse unë do të jem kryetar i Partisë Demokratike, nuk do të ketë asnjë mundësi bashkëqeverisje. Unë mendoj që përballë Edi Ramës duhet një lider dhe një njeri krejt ndryshe nga Edi Rama, ku njerëzit të mendojnë se je i pakorruptuar”, shtoi Shehaj./panorama