MENU
klinika

Partitë e djathta pa vota/ Ikën edhe Patozi

Ç’do të ndodhë me forcat politike që dështuan në zgjedhje?

02.05.2021 - 18:14

4 parti të reja të djathta u krijuan para zgjedhjeve për të ndryshuar skenën politike shqiptare, por asnjë prej tyre nuk arriti te kaloi 1 përqind të votave në rang kombëtar për tu bërë pjese e Parlamentit.

Me Bindjen e tij Demokratike e Astrit Patozit, ishte sprovuar edhe në një garë lokale, por zgjedhjet e 25 Prillit treguan se forca e tij ishte pa peshë elektorale pasi mori vetëm 8.238 vota ne total. Për humbjen e thellë edhe personale pasi nuk arriti të siguroi më shume se 830 vota preferenciale ne Tiranë, Astrit Patozi dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Patozi: Fakti që ne bëmë një betejë dinjitoze dhe qytetare, në mesin e një polarizimi ekstrem, që erdhi nga egërsia dhe ashpërsia e forcave kryesore politike, nuk mund të shërbejë në asnjë rast si justifikim për askënd prej nesh, por sidomos për mua që udhëhoqa fushatën. Askush prej nesh nuk kishte keqkuptimin se rezultati do të arrihej me një të rënë të sopatës dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se Bindja Demokratike ishte projektuar për vetëm një palë zgjedhje. Dorëheqja ime është një akt moral përgjegjësie, por kurrërrësesi dorëzim.

Dorëheqje nga drejtimi i partisë pak ditë më parë e dha edhe Jozefina Topalli, pasi në asnjë nga 4 qarqet ku ajo kandidoi, Lëvizja për Ndryshim nuk iu afrua asnjë mandati. Madje as në Shkodër, qark qe njihej si bastion i saj kur kandidonte me Partinë Demorkatike, Jozefina Topalli siguroi vetëm 598 vota preferenciale.

Zhgënjim nga pritshmëritë, rezultoi të ishte edhe Rudina Hajdari me Nismën Thurje që siguroi vetëm 0.65% të votave në rang kombëtar. Si kryetare, ajo mori 523 vota preferenciale ne qarkun e Elbasanit por krahas rezultatit Rudina Hajdari nuk heq dorë nga politika. Surprizë nuk prodhoi as Lëvizja Demokratike Shqiptare. Si kryetar Myslim Murrizi kandidoi në 4 qarqe, por nuk grumbulloi dot as sa herësi që duhej një kandidati për të thyer listës.

Në politikën shqiptare kërkoi të futej edhe VETËVENDOSJA, por 3 kandidatët e saj të pavarur nuk arritën t’i hapin derën partisë së Albin Kurtit për tu bërë pjesë e politikës së Tiranës, pasi të gjithë bashkë arritën një numër të pakonsiderueshëm votash, rreth 3.541 në total. Në Parlamentin e ri nuk do jene as deputetet e opozitës se re të cilët me shume sesa për kontributin e tyre legjislative u bënë të njohur për gafat në foltoren e Parlamentit.

E vetmja që do të vijojë të ketë mandat nga radhët e opozitës së re është Aurora Marra, e cila kandidoi në siglën e PS në Dibër dhe doli me e votuara në atë qark.

VOTAT E PARTIVE TE REJA

Bindja Demokratike 8.238 vota 0.52%

Lëvizja për Ndryshim 7.049 vota 0.45%

Lëvizja Demokratike Shqiptare 4.697 vota 0.3%

Nisma Thurje 10.216 vota 0.65%

Kandidatët e Vetëvendosjes 3.541 vota 0.23%