MENU
klinika

Mesfushori kuqezi

Çekiçi rikthehet optimist: Do ta ndihmoj Kombëtaren

28.05.2021 - 16:01

Endri Çekiçi është një ndër rikthyerit në Kombëtare dhe pret që shumë shpejt të japë kontributin me rregullsi. Mesfushori ka shpjeguar sot në konferencë për shtyp se trajneri Reja i ka thënë se çfarë pret prej tij te kuqezinjtë të cilët po përgatiten me miqësoret e qershorit.

“Për Kombëtaren padyshim që më ka ndihmuar ky sezon i parë në Turqi ku është kampionat më i fort nga ato që kam luajtur më parë, por më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal.

Gjatë gjithë sezonit te ekipi aktual kam luajtur mesfushor qendre apo numër 10, ndaj edhe në Kombëtare mendoj se te treshja e mesfushës e shoh veten më mirë.

Në momentin që më jepet mundësia do të përpiqem të bind trajnerin që jam këtu për të dhënë kontributin. Kur kam folur me trajnerin, më ka shpjeguar pak a shumë pozicionin që do nga unë, shpresoj të ndihmoj ekipin dhe ta tregoj në fushën e lojës.

Në mars ishin paraqitje me dy fytyra, e bëmë detyrën tonë, pritshmëritë u plotësuan me 6 pikë në ato ndeshje. Tani notën duhet ta japim me këto sfidat e radhës me kundërshtarët direktë.

Ne nuk nënvlerësojmë asnjë, edhe ata që mundëm nuk i nënvlerësuam, ndaj kurrsesi nuk mund të nënvlerësojmë Hungarinë e Poloninë. Në këto miqësore do të japim maksimumin që edhe nëse diçka nuk shkon,të mund ta rregullojmë për kur të vlejnë pikët.

Goditjet e dënimit? Në dy vitet e fundit e kam shfrytëzuar mirë aftësinë për të gjuajtur goditjet e dënimit dhe shpresoj që të ketë ardhur momenti ta ushtroj edhe në Kombëtare. E ardhmja? Ndjehem mirë në Turqi por futbollit asnjëherë nuk i dihet. Është merkato, mbetet të shohim”, – tha Çekiçi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN