MENU
klinika

Shkrimtarja që skandalizoi Parisin

Colette – e egër, e diskutueshme dhe e lirë

17.05.2021 - 15:49

        Rrugëtimi i jetës së Colette, vulosur me shenjën e lirisë dhe aventurave intime, letrare, gazetareske, artistike, është magjepsës.

Nga kërcimtare music-hall në Akademinë “Goncourt”, identitetet e shumta të Colette vazhdojnë të na magjepsin. Shkrimtarja, modeli i lirisë dhe guximit, skandalizoi mbarë Parisin para se të lajkatohej, respektohej dhe, më pas, të harrohej. “Dua të bëj atë që dua. Dua të luaj pantomimë, madje edhe komedi. Dua të kërcej lakuriq, nëse këmisha më bezdis dhe më prish plastikën. Dua të çlodhem në një ishull, nëse më pëlqen ose të rri me zonjat që jetojnë me sharmet e tyre […]. Dua t’u buzëqesh gjithë fytyrëmbëlve dhe t’u qëndroj larg njerëzve të shëmtuar, të pistë dhe që kundërmojnë”./Konica.al

UNSPECIFIED – MARCH 12: Colette Willy and Georges Wague c. 1907 in play La Chair. Colette’s performance made scandal when she accomplished a naked breast in one of the scenes (Photo by Apic/Getty Images)

Colette, gruaja diellore, sensuale dhe guximtare, hyri në letërsi si një cunam i vërtetë, debutimiet në skenë ishin po aq të rrëmbyeshëm. Ajo ishte gjithashtu një gazetare e talentuar dhe me përvojë, duke lënë gjurmët e veta në botën e bukurisë dhe modës. Duhet të futeni në jetën e saj, ashtu si dikush hyn në zemrën e një enigme, sepse Colette kishte njëmijë jetë dhe e trajtoi paradoksin me shkathtësi. Mishërimi i “femrës gjeni”, sipas Julia Kristeva, e cila gjithsesi shpërthente kundër feministeve. Akuzonte martesën për skllavërimin e grave, lavdëronte dashurinë e lirë dhe megjithatë u martua tri herë. Skandaloze për disa dekada, ajo e mbylli jetën mbuluar me nderime dhe respekte zyrtare. Shkrimtarja që u admirua nga Prusti, Sagani, Aragoni, Zhidi, Bovuari, Sidonie-Gabrielle lindi në 1873 në Burgundy, në Saint-Sauveur-en-Puisaye, më e vogla e një familjeje të dashur dhe mendjehapur. Vitet e hershme të Sidonie-Gabrielle, që më vonë do të quhej Colette, shkojnë në harmoni. Kalon orë të gjata, duke vëzhguar kafshë shtëpiake, duke u kacavjerrë në pemë, duke luajtur muzikë dhe duke lexuar në bibliotekën familjare: Labiche, Hugo, Daudet, Balzac, etj., shoqëruesit e saj. E shënuar thellë nga kjo fëmijëri rurale dhe e shkujdesur, ajo do të ruajë theksin e guximshëm të fshatit, duke nxitur hera-herës talljen e disa pedantëve parizianë. Shumë më vonë, kur të ishte një shkrimtare e njohur, ajo do të kujtonte me nostalgji vendin e fëmijërisë. Në “Vreshat e Les Vrilles de la vigne” (1908), ajo shkruan: “Unë i përkas një vendi që u largova…”.

Romani i parë titullohet “Klodina në shkollë”, që do të jetë jo vetëm një bestseller, por edhe ngjarja e vitit 1900, pasi paraqet një vajzë të re lozonjare, ironike, e dashur, e cila nuk i urren marrëdhëniet e paqarta. Pena e saj është pjellore, duke botuar rreth pesëdhjetë romane, ndër të cilët “Dialog kafshësh” (1923), “Gruri në lulëzim” (1928), “Agimi”, një histori poetike  në 1928 ose “Sido”, në 1930, ku ajo evokon figurën amë, “Gigi”, “Cheri”, “Vagabondi”, “I pastri dhe i papastri”, etj. Praktikoi në jetë shumë zanate: shkrimtare, gazetare, kritike teatri, publiciste, drejtuese, si të thuash për kohën, të programeve të radios… por edhe estetiste dhe menaxhere biznesi, duke nxjerrë në vitet tridhjetë një linjë kozmetike që do të zgjaste./Konica.al

“Nuk ka asgjë spontane në shkrimet e Colette, është punuar jashtëzakonisht shumë. Këtë e dëshmon edhe vështirësia e të shkruarit që ajo vazhdimisht evokon, por edhe mënyrën në të cilën ajo ka ndërtuar një personazh të një shkrimtareje të madhe që respektohet gjithnjë e më shumë, deri në një lloj mumifikimi. Nëse shkojmë në zemër të asaj që i intereson Colette, ajo është rezervë dhe abstenim, ekziston një poezi heshtjeje. Për të, heshtja është në anën e pastërtisë”, –  Guy Ducrey.

Colette trajton një larmi temash në të shkruar, nga moda te kafshët, nga gazetaria te letërsia e vëmendshme ndaj realitetit në formën më konkrete, Colette ka një stil “materialist”, materializëm që qëndron në zanafillën e moralizmit aq të veçantë të saj, vështrimi i mprehtë i së cilit ndonjëherë përkthen një gjykim të ashpër mbi temën e saj. Kënaqësia e leximit për shkak të mishërimit dhe sensualitetit të shkrimit, vë në dyshim kënaqësinë femërore në tekstet e saj. Seksualiteti nuk është tabu as në jetë dhe as në librat e saj, çka hulumton kësisoj fytyrat e shumta të kënaqësisë.

FRANCE – CIRCA 1905: Polaire, Willy and Colette at horse-races. Around 1905-1908. (Photo by Roger Viollet Collection/Getty Images)

“Ne duhet të shohim dhe jo të shpikim”,  – ishte kredoja e Colette.

Në një jetë shumë publike, si në trillimet e saj, ajo ilustroi pavarësinë financiare dhe shoqërore dhe seksualitetin pa ndroje – atë që ne tani do ta quanim “rrjedhshmëri gjinore”. Zotëronte një optimizëm bujar, që shkonte kundër ujërave të zemërimit dhe dëshpërimit që e karakterizonte aq shumë letërsinë mashkullore të shekullit të 20-të. Mbeti gjatë gjithë kohës një shkrimtare e njohur, një autore që lexohej me endje, për sensualitetin e prozës, tingullin therës të humorit që gjallëron elokuencën e saj, lehtësinë e prekjes, pra serioziteti i saj nuk ishte kurrë i rëndë ose i rëndësishëm për vetveten. Një nga shkrimtaret më të mira dhe sigurisht, më të pazakonta, të Francës, e përkthyer në shumë gjuhë. Kur vdiq Prusti, shumë e quajtën shkrimtaren më të talentuar që kishte tani Franca, të tjerë pretendonin se ajo mund ta kishte marrë atë kurorë, që në të gjallë. U nominua për çmimin “Nobel” të vitit 1948 dhe iu mohua funerali katolik (sepse ishte e divorcuar), ishte shkrimtarja e parë femër franceze që iu organizua një funeral shtetëror. “Në unazën e çmimeve të jetës, – vuri në dukje dikur, John Updike, – pak prej nesh do të kishin mbijetuar 10 raunde, me Colette”. Colette është gruaja e dytë që u zgjodh në Akademinë “Goncourt” në 1945./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit