MENU
klinika

Nga Emin Azemi

Dialogu me Serbinë sipas parimeve të Albin Kurtit

02.05.2021 - 10:44

Merreni me mend sikur në kontestet e pazgjidhura në mes të shteteve evropiane, bie fjala në mes të Gjermanisë dhe Francës menjëherë pas përfundimit të LDB, të kishin marrë pjesë ende oficerët e Hitlerit, të cilët në emër të kauzës fashiste kishin shfarosur miliona jetë njerëzish. Aktualisht politikanët e Kosovës janë të detyruar të kenë përballë në tryezat e bisedimeve politikanë serbë cilët dikur kishin qenë të uniformuar në fushëbetejat e përgjakshme në kuadër të  projektit të Serbisë së Madhe  dhe pjesë e makinerisë pushtuese të Millosheviqit, kurse tani në Bruksel  buzëqeshja e tyre ka  domethënien e një mizanskene në teatrin absurd të të ashtuquajturave  bisedime Beograd – Prishtinë

Nga Emin Azemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij të parë në Bruksel paraqiti edhe platformën e bisedimeve me Serbinë. Këtë platformë ai e shpalosi të enjten para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ndërkohë që duke folur për dialogun me Serbinë, ai përfundimisht i bëri të ditur parimet mbi të cilat duhet të zhvillohet ky dialog:

E para –  është pranimi i realitetit. Kjo do të thotë që Kosova  nuk mund të kthehet  në kohën para pavarësisë.

E dyta –  është pranimi i së vërtetës. Serbia duhet të pranojë krimet dhe keqbërjet e saj në të kaluarën në Kosovë.

E treta –  është barazia e përfaqësuesve. Në çdo tryezë ne ulemi si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja.

E katërta –  qytetarët duhet të jenë përfituesit fundor. Dialogu nuk mund të bëhet për ruajtjen e reputacionit ose karrierës së politikanëve në detyrë, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve në terren.

Përpos këtyre, Kurti në fjalimin e tij përfshiu edhe disa çështje thelbësore që kanë të bëjnë me  borxhet, trashëgiminë dhe reparacionet e luftës. Sipas tij,  këto çështje ende rëndojnë mbi Serbinë si obligime, të cilat nëse zbërthehen më detajisht duken kështu: 

– Përafërsisht 3 miliard euro në dëmin pasuror dhe jopasuror të pensioneve të papaguara.
– Mbi 400 milionë euro në dëmin pasuror dhe dëmin jopasuror të keqpërdorimit të rrjetit të energjisë elektrike.
– Pasuritë e Kosovës në Serbi dhe të ish-republikave të tjera të RSFJ-së, statusi i të cilave nuk është adresuar ende.
– Reparacionet e luftës të cilat duhet të përfshijnë garancitë e mos-përsëritjes, dëmshpërblimit dhe kompensimit.

Këto dhe çështje të tjera në fakt paraqesin platformën e bisedimeve me Serbinë, por edhe rrugëtreguesit nga duhet të shkojë ky proces kaq i stërzgjatur. Kryeministri Kurti tha se këto janë gjëra për të cilat duhet të flasim dhe t’i zgjidhim, dhe për të cilat qeveria e tij, siç tha ai, është plotësisht e përkushtuar.

Për ta plotësuar mozaikun e gjendjes nëpër të cilën po kalon Kosova, si rezultat i pasojave që kishte lënë pushtimi serb, kryeministri Kurti tha se deri më sot, 22 vjet pas luftës, ende janë  1632 persona të zhdukur, kurse familjet e tyre ende nuk mund të vendosin lule në varret e tyre dhe të pikëllohen në mënyrën tradicionale.

Sa i përket vizionit të tij mbi të ardhmen e Ballkanit në kuadër të BE-së, Kurti vuri në dukje se Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE-së dhe ne duhet të trajtohemi si anëtarë të ardhshëm, jo si fqinjë. Në këtë kontekst, ai hodhi poshtë disa ide , të cilat ai i quajti iniciativa (duke aluduar në Mini Shengenin)  që  vetëm mund të vonojnë anëtarësimin dhe për rrjedhojë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të kërkojnë të kopjojnë një BE në Ballkan, por ne, siç tha ai, duhet të rrisim bashkëpunimin tonë rajonal në mënyrë që ai ta bëjë procesin e anëtarësimit më të lehtë dhe më të shpejtë.

Për ta konkretizuar idenë e tij se si do të dukej një Ballkan sa më i prosperuar në kuadër të BE-s, kryeministri Kurti shprehu besimin se është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një Mini-Marshall, plan i cili do të shpejtonte reformat dhe anëtarësimin e plotë. Plani Marshall i ShBA-së, shpëtoi dhe ndërtoi Evropën dhe krijoi mrekulli ekonomike, dhe tani, siç u shpreh ai, është koha që BE-ja të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.

Në Bruksel diplomatët dëgjuan një politikan nga Kosova shumë gjëra që ata i dinin prej përpara, por kësaj radhe nga Prishtina erdhi një artikulim më i qartë sa i përket disa temave të hapura që kanë ngelur si hije në dialogun Kosovë-Serbi, si pasojë e qëndrimeve eklektike të vet Prishtinës zyrtare në të kaluarën.

Fjalimi i Albin Kurtit para Komiteti të politikës së Jashtme të Parlamentit  Europian mund të lexohet në disa mënyra, por ajo që është thelbësorja ky fjalim i qartëson disa dilema që kanë mundur të ekzistojnë sa i përket (mos)qëndrimit të qartë të Kosovës në raport me çështjet e hapura me Serbinë.
Në të kaluarën, Beogradi e ka shfrytëzuar Kosovën si gomë shpëtimi për politikat e veta interne, por edhe si mjet shantazhi për të kërkuar ato që nuk i takonin. Provat më të sigurta të këtij shantazhi janë takimet e shpeshta boshe në Bruksel të cilat janë organizuar sa për të bërë një fotografi të përbashkët, ku buzëqeshja e politikanëve serbë kishte domethënien e një mizanskeni në teatrin absurd të ashtuquajturave  bisedime, ku Serbia trajtohej si çështje e brendshme e Kosovës, kurse Prishtina duhej të shkonte me një listë koncesionesh ndaj delegacionit serb.
Mirëpo, platforma e re e kryeministrit Kurti, jo vetëm që nuk parasheh kurrfarë liste koncesionesh ndaj Serbisë, por ajo nuk e trajton Kosovën si një çështje në dialog, por një palë e dialogut, e që duhet të kuptohet mirë para çdo raundi të ri të bisedimeve me Serbinë. Ky parim ndërlidhet me barazinë e përfaqësuesve ku në çdo tryezë palët ulen si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja.

Pas regjimit të Millosheviqit, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e luftës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës, Serbia po identifikohet më afër me to.

Ky qëndrim i kryeministrit Kurti në Bruksel hapi edhe një çështje parimore, e cila sikur ka kaluar në heshtje në instancat ndryshme të BE-së. Europa dhe sidomos Gjermania, pas përfundimi të  epokës së nacizmit kishte kaluar nëpër një proces të gjatë të denacifikimit. Merreni me mend sikur në kontestet e pazgjidhura në mes të shteteve europiane, bie fjala në mes të Gjermanisë dhe Francës menjëherë pas përfundimit ë LDB, të kishin marrë pjesë ende oficerët e Hitlerit, të cilët në emër të kauzës fashiste kishin shfarosur miliona jetë njerëzish.

Aktualisht politikanët e Kosovës janë të detyruar të kenë përballë në tryezat e bisedimeve politikanë serbë cilët dikur kishin qenë të uniformuar në fushëbetejat e përgjakshme në kuadër të  projektit të Serbisë së Madhe  dhe pjesë e makinerisë pushtuese të Millosheviqit, kurse tani në Bruksel  buzëqeshja e tyre ka  domethënien e një mizanskene në teatrin absurd të të ashtuquajturave  bisedime Beograd – Prishtinë. Dhe për të qenë ironia më e madhe ata ende nuk janë distancuar nga krimet që i kishte bërë politika e Millosheviaqit. Madje, ata në disa raste janë munduar edhe t’i fshehin gjurmët e krimit, duke i frikësuar dhe dekurajuar njerëzit që të mos i denoncojnë publikisht vendndodhjet e varrezave masive ku ende fshihen trupat e shqiptarëve të pagjetur.

Beogradi nuk është kush i Kosovës për t’u integruar në BE, për arsye se agjenda evropiane e Kosovës, si të gjitha shtetet tjera para anëtarësimit, ka prioritet kursin reformues në të gjitha segmentet e jetës institucionale, e sidomos në sistemin e drejtësisë, në luftimin krimit dhe korrupsionit dhe në nxitjen e politikave zhvillimore.
Në të kaluarën ishte fituar përshtypja tepër e gabuar sikur Kosova duhej t’i testonte  politikat e saja reformuese fillimisht në Beograd dhe  pastaj të vazhdojë procesin eurointegrues. Por, kjo qasje nuk ka mundur të kalojë edhe pa miratimin e heshtur të burokratëve në Bruksel, të cilët ende po e tolerojnë dhe nuk po e problematizojnë kushtetutën e Serbisë e cila ende Kosovën e ka pjesë integrale të sajën.

Si ka mundur Brukseli t’i qaset procesit të normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd, ndërkohë që gjatë gjithë kohës ka lejuar që një shtet i pavarur, siç është Kosova, t’i ekspozohet agresionit kushtetues të Serbisë. Nëse Brukseli vazhdon të tolerojë këtë agresion kushtetues të Serbisë mbi Kosovën, atëherë  shtetit i pavarur i  Kosovës, i sponsorizuar nga SHBA-të, nga burokratët e  Brukselit ende trajtohet si një projekt i papërfunduar dhe që paska nevojë ende për korrigjime e ridefinime.

Administrata e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duhet pa humbur kohë të kultivojë një mirëkuptim substancial me strukturat drejtuese të BE-së, duke kërkuar me këmbëngulje  nga ato që Kosovën si shtet ta fusin në dioptrinë e partnerëve që prodhon stabilitet rajonal, e jo si një vrimë e zezë, të cilën po mundohet ta projektojë Serbia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin

Të akuzuar për ndikim mbi dëshmitarët në bashkëpunim me Thaçin

Dalin sot para ‘Speciales’ në Hagë dy zyrtarët kosovarë

Do të zëvendësojnë njësitë italiane në Forcat Operacionale Rezervë

Turqia dislokon rreth 350 trupa në Kosovë

“Nuk jam pjesë e garës elektorale!“

Hashim Thaçi: S’paraqes rrezik për askënd

"Janë përfshirë grupe ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse!"

Shpërthimi në Zubin Potok, Kurti: Duan destabilizimin e Kosovës