MENU
klinika

Koka e Augustit, në dymijëvjeçar!

“Gjeta tulla në Romë dhe po lë mermer”

07.05.2021 - 14:47

         Nga Italia, vjen tjetër zbulim arkoelogjik i antikitetit – koka e mermertë e statujës dymijëvjeçare të Perandorit të parë të Romës, Augustit, gjendet nën rrënoja.

Zbulimi i jashtëzakonshëm i arkeologut Francesco Giancola, i cili, teksa po punonte për të restauruar muret mesjetare të qytetit, të shkatërruara nga një rrebesh i shiut në vitin 2013, solli pikërisht në gjetjen e thesarit arkeologjik.

“E kuptova menjëherë që ishte koka e statujës së Perandorit Augustus, për shkak të modelit të flokëve dhe formës”, – u shpreh ai, për CNN.

Sipas arkeologëve, statuja duhet të ketë qenë afro 2 metra e lartë dhe është bërë me të njëjtin lloj mermeri që është përdorur në epokën e Rilindjes.

Koka 35 centimetra e lartë, mendohet të jetë krijuar rreth vitit 20 para erës sonë dhe vitit 10 pas erës sonë, sipas Maria Diletta Colombo, arkeologe italiane.

“Është një statujë e rëndësishme, por nuk e dimë si ka përfunduar aty”, – tha ajo. “Mund të ketë qenë vendosur në ndonjë tempull, kushtuar kultit të familjes perandorake ose në ndonjë forum”.

Sundoi si Perandor i Romës nga viti 27 para erës sonë, deri në vitin 14 pas erës sonë.

Augusti (Gaius Julius Caesar Augustus) ishte perandori i parë i Perandorisë romake, ka lindur në vitin 633 para erës dhe ka vdekur më 14 të erës sonë. I lindur Gaius Octavius Thurinus në vitin 63 para erës sonë, ai vinte nga një familje e pasur romake ndërsa Jul Çezari ishte xhaxhai i nënës së tij.

Gjatë mbretërimit të Augustit, në Romë rilindi arti dhe tradita. Një program mbresëlënës ndërtimesh, që glorifikonin perandorin, ndryshoi fizionominë e Romës. Ky program e shndërroi qytetin me tulla, në një kryeqytet prej mermeri. Bashkë me mikun e tij Mecenën, Augusti inkurajoi shkrimtarët, duke provokuar lindjen e Epokës së Artë të letërsisë latine.

Shekulli i Augustit shënoi kulmin e qytetërimit romak.

Oktavi arriti të bëhej Cezar Augusti, i ndihmuar nga rastësia dhe nga një manipulim i shkathët politik. Stërnip i Jul Cezarit, ai ishte adoptuar nga vëllai i gjyshit të tij dhe ishte përcaktuar me testament si trashëgimtar. Në momentin e vrasjes së Cezarit, ai ishte një i ri 18-vjeçar i brishtë dhe askush nuk mund ta mendonte, se një ditë ai do të mbretëronte në Romë.

Duke menduar se ai do të manipulohej më lehtë se rivalët e tij, Senati dërgoi Oktavin bashkë me ushtrinë të luftonte Mark Antonin, që ishte shpallur armik publik. Dy konsujt, që ishin në krye të ushtrisë, u vranë në betejë dhe Oktavi përdori trupat që ishin vënë, tashmë, nën komandën e tij, për të detyruar Senatin që ta emëronte konsull. Më vonë ai i propozoi Mark Antonit dhe mikut të tij, Lepidit, një aleancë. Kështu u krijua Triumvirati i Dytë.

Pas vrasjes së Çezarit ai ndau sundimin e vendit me Mark Antonin dhe të tjerë, por më pas i mundi në betejë të gjithë, duke u shpallur “de facto” autokrat. Edhe pse nuk e pëdori kurrë titullin “Perandor”, ai konsiderohet gjerësisht, si Perandori i parë i Romës.

Augusti zgjeroi territoret e Perandorisë, duke aneksuar Egjiptin, Dalmacinë dhe krahina të tjera.

Suetonius, biograf, e përshkruan pamjen Augustit, si vijon: “Ai ishte jashtëzakonisht i bukur… me sy të qartë, të shndritshëm… dhëmbët e gjerë dhe largas, të vegjël dhe jo të rregullt; flokët e arta i kishte dredha-dredha; vetullat e bashkuara, veshët të një madhësie mesatare, ndërsa hunda e drejtë dhe e rregullt. Ai ishte i shkurtër nga shtati…

Në shtratin e vdekjes, Augusti u mburr me këto fjalë: “Gjeta tulla në Romë dhe po lë mermer”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sipas historianit romak Valer Patekuli…

Ja kush ishin Ilirët!

"Historia e Romës"

Ilirët ishin të pathyeshëm


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit