I kishte rritur dhe bërë gati për shitje, por kur u zgjua në mëngjes nuk i gjetur në kasolle. Sander Palushi, nga fshati Baqel i Njësisë Administrative të Blinishtit në Lezhë, thotë se 2 javë më parë i kanë vjedhur dy viça.
“Të them të drejtën, unë jetoj me bujqësi dhe blegtori dhe nuk kam asnjë të ardhur tjetër. Para dy javësh më kanë vjedhur dy viça. I kam pasur në kasolle, këtu afër shtëpisë dhe kur jam zgjuar në mëngjes, nuk i kam gjetur aty. I kam rritur dhe brenda pak ditësh doja t’i shisja”, thotë Palushi.
Ai tregon se në lidhje me rastin ka njoftuar Policinë, të cilët kanë kryer veprimet, por pa mundur që të identifikojnë autorët.
“E mora Policinë në telefon dhe brenda ditës erdhën. Bënë të gjitha veprimet dhe më morën edhe mua në pyetje. Po bëhen dy javë nga vjedhja dhe ende nuk kanë mundur që të gjejnë bagëtitë e vjedhura apo dhe të identifikojnë autorët”, tregon Sandër Palushi.
Në fshatin Baqel vjedhjet kanë marrë përmasa të frikshme gjatë muajve të fundit.
Bagëtitë e sende të ndryshme shtëpiake po bien pre e hajduteve. Kristina Gjoka tregon se brenda pak muajsh ka rënë tri herë pre e vjedhjeve.
“Mua më kanë vjedhur tri herë brenda një kohë të shkurtër. Më kanë marrë një lopë, një motor, si dhe më kanë thyer dyqanin, të cilin e kam këtu afër shtëpisë. Më kanë marrë gjithçka kanë gjetur në dyqan, duke ma boshatisur. Në të gjitha rastet kamë njoftuar Policinë, të cilët kanë kryer veprimet dhe asgjë nuk kanë bërë. Nuk kam aspak besim te Policia, pasi po tregohen inekzistentë”, thotë Kristina Gjoka.
Në këto kushte banorët thonë se kanë nisur të bëjnë rojë natën për të mbrojtur pronën e tyre nga hajdutet, të cilët po iu dëmtojnë rëndë ekonominë familjare.
“Ka disa net që së bashku me burrin po rrimë zgjuar gjatë gjithë natës, duke bërë roje. Ruajmë te shpija, dyqani dhe bagëtia, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër. Po punojmë me mund dhe sakrificë e po na marrin të tjerët mundin gati”, tregon Kristina Gjoka.
Banoret e Baqelit kërkojnë prezencën e vazhdueshme të Policisë në zonë si e vetmja mënyre për të frenuar vjedhjet.
“Kemi frikë të flemë gjumë nga vjedhjet. Nuk ka javë që nuk po ndodhin vjedhje në fshatin tonë. Policia nuk ka arritur të zbardhë asnjë vjedhje. E vetmja mënyre është që ata të qëndrojnë këtu gjatë gjithë natës, sepse nuk po ka rrugë tjetër. Të kesh frikë të flesh në shtëpinë tënde se po të vjedhin, kjo është një tmerr. Por këtu shteti nuk ekziston fare. Unë kam një lopë dhe po kërkoj ta shes, sepse kam frikë se ma vjedhin”, thotë Gjergj Gjini, banor i Baqelit.
Vjedhjet e vazhdueshme po detyrojnë shumë fermerë që të shesin gjënë e gjallë. Gjovalin Zeka, kuzhinier dhe administrator i një sipërmarrjeje agroturizmi në Ishull-Lezhë, thotë se po hasin vështirësi për të siguruar mishin.
“Unë kam një sipërmarrje agroturizmi dhe gjatë kohëve të fundit madje e kam zgjeruar aktivitetin. Në restorantin tim konsumohet shumë mishi i gicit, kecit dhe viçit, por gjatë kohëve të fundit po hasim shumë vështirësi për ta siguruar. Shumë fermerë, që ne jemi të lidhur dhe bashkëpunojmë me ta, janë përballur me vjedhje dhe kanë nisur t’i shesin gjënë e gjallë, duke hequr dorë nga blegtoria. Normalisht që ky është një problem shumë i madh që na penalizon neve”, thotë Gjovalin Zeka.
Në lidhje me vjedhjet që po ndodhin, Policia e Lezhës bën me dije se të gjitha rastet e denoncuara nga qytetaret janë trajtuar, por pa dhënë të dhëna se në çfarë niveli ka qenë dokumentimi dhe zbulueshmëria e tyre.
Gjithashtu, sipas Policisë, edhe patrullimet gjatë natës kanë qenë të shpeshta, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së vjedhjes.