MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Opozita duhet të burgosë 10 400 komisionerët e saj, që të përmbysë zgjedhjet!

10.05.2021 - 18:08

Nga Alfred Peza

Fakti është në kuti. E vërteta rreth fituesit ose humbësit të zgjedhjeve të 25 prillit, është e kyçur brenda atyre 5 199 kutive të votimit në të gjithë Shqipërinë. Rezultati ka dhjetë ditë që është shpallur e çertifikuar edhe zyrtarisht: PS ka fituar 74 mandate, PSD 3, PD 59 dhe LSI vetëm 4 deputetë. Nëse doni ti përmbysni këto shifra, ka ende një shpresë për opozitarët dhe një mundësi të fundit për humbësit.

KQZ i ka çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve, bazuar mbi procesverbalet e 5 199 qendrave të votimit, të firmosura nga 20 796 komisionerët e PS, PD dhe LSI. Sipas asaj që ka deklaruar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi, asnjër komisioner nuk ka patur kontenstim për rezultatin.

Por opozitarët tanë këmbëngulin njëlloj si Donald Trumpi në zgjedhjet presidenciale amerikane, se ata kanë fituar dhe se ajo që është shpallur nuk është humbja e tyre e madhe, por një mashtrim i madh. Përgjigja për rastin e Shqipërisë është fare e thjeshtë:

Ose burgosni 10 400 (saktësisht; 10 388) komisionerët e opozitës, që kanë firmosur për fitoren e PS, sepse ato ju paskan gënjyer.

Ose pranojeni që keni humbur dhe urojani me gojën plot Edi Ramës, fitoren.

Nëse 10 400 komisionerët e PD dhe LSI ju paskan gënjyer, e pranoj se edhe rezultati brenda në kutitë e votimeve, është i gënjeshtërt.

Nëse 10 400 komisionerët e PD dhe LSI e pranojnë se janë blerë nga PS dhe Edi Rama, atëherë ky është një problem që meriton një analizë tjetër, përpos përfshirjes në librin e rekordeve Guinnes.

Por nëse 10 400 komisionerët e opozitës kanë bërë detyrën duke çertifikuar rezultatin kuti pas kutie, ashtu siç ai ka qenë realisht, ndalojeni këtu dhe që tani këtë debat idiot.

Nëse 10 400 komisionerët e PD dhe LSI, kanë firmosur me vullnetin e tyre të lirë atë që kanë parë e numëruar, sipas bindjes individuale dhe besnikërisë së partisë që i ka përzgjedhur, sot ky diskutim absurd duhet të marë fund.

Opozitarët tanë pas kësaj, kanë dy rrugë: Ose të çojnë në burg të gjithë komisionerët e tyre që u paskan tjetërsuar rezultatin, duke i çuar drejt humbjes së pamerituar. Ose ta mbyllin gojën dhe ta pranojnë verdiktin e popullit shqiptar të shprehur me votë dhe ta pranojnë humbjen me dinjitet dhe të nisin që tani të analizojnë shkaqet e saj dhe të riorganizohen për të fituar zgjedhjet e ardhëshme.

Mospranimi i humbjes në zgjedhje, përhapja e teorive konspirative rreth rezultatit të tyre final, “fake news”-et rreth çertifikimit të fituesit nga institucionet legjitime dhe nxitja e turmave për ta përmbysur me dhunë realitetin elektoral, në SHBA dihet sesi u zgjidhën. Rrjetet sociale atje, vijojnë të mbajnë të bllokuar llogaritë dhe adresat e ish presidentit Donald Trump, pa llogaritur vendimet e pafundme të gjykatave, hetimet e FBI dhe ndëshkimin e atyre që mbështetën pretendimet e tij të rreme.

Në Shqipëri as nuk e kemi këtë mundësi, as nuk e urojmë që të shkojmë deri atje dhe as nuk kemi pse ta vazhdojmë më këtë diskutim. Mjafton që të zgjedhim mes burgosjes së 10 400 komisionerëve të opozitës, ose pranimit të rezultatit të firmosur dhe të çertifikuar prej tyre- dhe gjithçka është e qartë si drita e diellit.

Nëse e gjithë kjo zhurmë virtuale bëhet për të justifikuar humbjen e Lulzim Bashës dhe pasojën e largimit të tij nga kreu i PD, mos u mërzisni se edhe kjo e ka një zgjidhje. Faleni edhe këtë herë Lulzim Bashën dhe e gëzofshi deri më 2025. Pas kësaj, jemi të sigurtë se nuk do ketë asnjë dyshim për komisionerët dhe asnjë justifikim për humbjen e e kandidatit të opozitës për Kryeministër.

REMOTE_ADDR:[]