MENU
klinika

Mbyllja e hetimeve për Presidentin Meta

Provat që pretendon Komisioni Hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit

25.05.2021 - 08:43

Komisioni hetimor i ka dhënë fund procesit të hetimit të akuzave kundër Presidentit të Republikës për deklarata e tij para dhe gjatë fushatës elektorale pa mundur të dëgjojë argumentet e tij.

Kryetari i komisionit, Alket Hyseni, tha dje se e rëndësishme ishte thellimi i hetimit dhe administrimi i provave. Sipas tij, në komision janë paraqitur provat e kërkuara nga të gjitha institucionet dhe formatet. Hyseni shprehet se me shumë rëndësi është që brenda afatit të vendosur komisioni duhet të përmbyllë raportin përfundimtar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Për ne e rëndësishme është thellësia e hetimit. Do të hedh për votim për propozimin për të mbyllur procedurën, hetimin. Dakord të gjithë? Po. Administrimi i provave, do t’ua lexoj provat dhe do të shprehemi, kemi provat me CD, pamjet filmike, përgjigjet e institucioneve dhe takimet e Presidentit Meta etj. Kush është dakord për administrimin e këtyre provave? Ok. Jemi në rregull, miratohet. Këtë mbledhje e konsideroj të mbyllur. Kjo do të thotë që secili nga anëtarët kanë një volum dokumentesh për të vlerësuar. Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Kemi dhe një tjetër mbledhje nesër. Pastaj kemi një mbledhje për raportin paraprak. Pastaj brenda afatit të vendosur ne duhet të përmbyllim raportin përfundimtar. Jemi dakord të gjithë”, tha Hyseni. Komisioni hetimor u ngrit pas kërkesës së 49 deputetëve të maxhorancës, të cilët pretendojnë nga kreu i shtetit disa shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe thirrjeve para dhe gjatë fushatës elektorale. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.

Meta: S’keni legjitimitet, nuk bëhem palë me askënd

Presidenti i Republikës ripërsëriti qëndrimin se komisioni për shkarkimin e tij nuk është legjitim, duke refuzuar të shkojë në seancë dëgjese. Përmes një shkrese, ku i kthen përgjigje këtij komisioni i cili e kërkonte në një seancë dëgjimore, kreu i shtetit thotë se nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës. Meta deklaron se ky komision e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht. Presidenti thekson se nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, ndërsa përsëriti thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi.

Komisioni nuk e duron dot injorimin e Metës: Ta marrim me forcë

Komisioni për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta mbylli dje procedurën hetimore mbi provat e paraqitura në këtë komision. Dje ishte edhe afatit i fundit për zhvillimin e seancës dëgjimore me Presidentin, në të cilën kreu i shtetit refuzoi të merrte pjesë. Ky komision tani është futur në fazën e administrimit të provave të grumbulluara nga institucionet, të cilat do të duhet të përgatisin një raport.

Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtari i këtij Komisioni, Spartak Braho, pasi dëgjoi pretendimet e Presidentit dhe shpjegimet pse nuk u paraqit, propozoi që ai të thirrej edhe me forcë. Këtë propozim ai e bërë për shkak se, sipas tij, Presidenti Meta me sa duket nuk ka vullnet të përballet me këtë komision dhe akuzat e ngritura nga deputetët e Parlamentit, duke mos njohur legjitimitetin e tij. Ky propozim nuk u mirëprit nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni, të cilët thanë se kjo nuk ishte mënyra e duhur për t’i kujtuar Presidentit të respektonte thirrjen nga komisioni i krijuar nga Kuvendi. Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka u shprehën kundër këtij propozimi.

Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni, tha se ky komision i bëri të gjitha përpjekjet për zhvillimin e kësaj dëgjese me kreun e shtetit, duke u shprehur se nga pikëpamja hetimore komisioni është i kompletuar. Anëtari tjetër, Myslim Murrizi, thotë se është e pakuptueshme që Meta nuk mori pjesë në dëgjesë, duke ironizuar se ai mund edhe të ketë qenë në Përmet për kongresin e parë të Partisë Komuniste. Kjo është java e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor. Në përfundim të javës do të arrihet në një raport final që do t’i paraqitet seancës plenare të Kuvendit për votim.