MENU
klinika

“U brumosëm nga regjimi i shkuar që ju jeni e keqja”

Rama: Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për të ardhur…

04.05.2021 - 09:36

Kryeministri Edi Rama në fjalën para përfaqësuesve të NATO në stërvitjen “Defender Europë 2021” vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe aleancës. Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të SHBA dhe NATO-s, që sic tha ai nga pikëpamja numerike nuk i ofron shumë.

Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi frazën që ia thotë çdo të huaji, se pasi të largohen nga Shqipëria, do të duan të rikthehen sërish në vendin tonë.

“Është realisht një kënaqësi e madhe dhe nder që të kemi kaq shumë yje të mbledhur këtu në këtë vend të vogël dhe kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe demonstrimit të kapaciteteve tona. Kjo stërvitje është një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë.

Ne i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera, por fakti është se ato mund të jenë më të shkëlqyera falë një besimi të madh dhe ndërveprimi reciprok të vazhdueshëm.

Gjenerata jonë erdhi deri këtu me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend. Në u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund ti ndodhë jo vetëm Shqipërisë por gjithë botës.

Për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve. Të asaj bote të errët të izoluar dhe kësaj bote ku ne mund të mirëpresim me respekt miqtë dhe partnerët tanë të shumtë dhe mbi të gjitha miqtë tanë amerikanë.

Unë dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri edhe ju do t’ju ndodhë ajo që i ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri. Që do të doni të riktheheshin përsëri në Shqipëri.

Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për të ardhur për shkak të steriotipave që e pengojnë marrëdhënien e saj me botën, por Shqipëria është një vend që kush vjen, dëshiron të kthehet përsëri. Unë kam dëshirë dhe besim që kjo do të ndodhë edhe me ju.

E fundit që dua të them është se besoj që ajo çka ne të gjithë duhet të mbajmë është detyrimi për ti përcjellë gjeneratave të tjera këtë amanet kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, por edhe për të ardhmen e botës që kemi zgjedhor, botës së popujve që duan të jetojnë në liri dhe demokraci, amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike për lirinë dhe demokracinë jo vetëm të Shqipërisë por gjithë botës, duke investuar bashkë që të bëjmë shumë për brezin e ri dhe ti japim brezit të ri mundësinë që të mund të edukohet qysh në krye të herës me standardet e larta ta NATO-s.

Është një moment historik për ne, na mbush me krenari dhe ne do qëndrojmë krah për krah jush si një vend që ndoshta nga pikëpamje numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga vlerat ne duam të jemi më të denjë dhe më të vyer brenda kësaj aleance”, u shpreh kryeministri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bën bashkë Ramën dhe Metën

Nis në Durrës “Defender Europe 2021”