MENU
klinika

Çfarë synon?

Raporti i GI për pastrim parash përmend Kosovën

13.05.2021 - 09:48

Raporti nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional e paraqet Ballkanin Perëndimor rajon kyç në kontrabandën e emigrantëve ilegalë drejt BE dhe prodhimin e trafikun e drogave nga Lindja në Perëndim.

Raporti investigativ “Flukset e njerëzve, drogës dhe parave – Maj 2021”, nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional ( GI – Global Initiative, Against Transnational Organized Crime, ) publikuar ditët e fundit, përmes faktesh dhe të dhënash paraqet Ballkanin Perëndimor, (BP) si një rajon kyç të përfshirë fuqimisht në kontrabandën e emigrantëve të paligjshëm dhe azil-kërkuesve drejt vendeve të BE-së, prodhimin dhe trafikun e drogave nga Lindja në Perëndim dhe pastrimin e parave të krimit të organizuar. Në bazë të dhënash dhe faktesh raporti arrin në konkluzionin që “sasia më e madhe e parave vjen nga trafiku i drogës që realizohet nga grupe kriminale që veprojnë jashtë BP. Pastrimi i parave të krimit të organizuar bëhet kryesisht në Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Dubai. Në vendet e rajonit shumat e parave të pastruara edhe pse janë relativisht më të vogla mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit, që dobëson sundimin e ligjit.”

Raporti synon “të kuptuarit më të mirë të ekonomive të paligjshme në BP, për marrjen e masave më efektive drejt zvogëlimit të stimujve dhe fitimeve të krimit të organizuar”.

Raporti investigativ i GI vë në dukje që “vlera totale e tregut të kontrabandës së emigrantëve ilegalë në pikat e hyrjes në vendet e BP arrin nga 20-28 milionë Euro, kurse vlera vjetore në pikat e daljes, drejt vendeve të Bashkimit Europian (BE) shkojnë nga 14.4 – 21.4 milionë Euro .

Të dhënat e GI në raportin në fjalë tregojnë që pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020 nuk i uli flukset e emigrantëve dhe azilkërkuesve në BP, përkundrazi i rriti ngaqë kufizimet rritën stimujt financiarë të kontrabandës. Emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit që hynë në 6 vendet e BP janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut: Siria, Iraku, Irani, Pakistani Afganistani, Algjetria dhe Bangladeshi.

Numri i tyre më i madh prej 41.257 personash ka hyrë gjatë vitit 2020 në Maqedoninë e Veiut, (MV) e ndjekur nga Serbia me 39 648, nga Bosnjë –Herzegovina me 16 211, nga Shqipëria me 11 971, Mali i Zi me 2 898 dhe në fund Kosova me 1 910 emigrantë të paligjshëm dhe azilkërkues.

Në Shqipëri flukset e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut nisën të rriten në vitin 2018, “kur u bë e vështirë për ata të kalonin nga Greqia në MV dhe u detyruan të hyjnë nga Greqia në Shqipëri permes pikës kufitare të Kakavijës në Gjirokastër dhe asaj të Kapshticës, në Korꞔë. Itinerari i tyre vazhdon në Tiranë, në periferinë e saj, në Babrru ku është Qendra Kombëtare e Pritjes së Azil-Kërkuesve, për të kaluar në Mal të Zi , Kosovë dhe Itali me synim Europën Perëndomore”, thekson raporti. Çmimi i kontrabandistëve për të kaluar kufirin me Malin e Zi është 70 Euro për person, për të hyrë nga Greqia në Shqipëri arrin në 3.000 – 5000 Euro për person, zbulon raporti i GI.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, citohet të martën (11.05) nga DPA të ketë thënë se “Numri i migrantëve po rritet përsëri ndjeshëm, veçanërisht në Rrugën Ballkanike. Ne duhet të bëjmë diçka,”

Gjashtë vendet e BP mbeten një rajon i madh tranziti për trafikimin e kanabisit, heroinës dhe përherë e më shumë i kokainës dhe drogave sintetike, vëren raporti i GI. Sipas të dhënave të këtij raporti, kanabis kalon nga Shqipëria drejt Lindjes ndërsa heroina kalon nga Turqia në Perëndim, duke kaluar në MV dhe Kosovë përpara se të mbrrijë në Evropën Perëndimore dhe Qendrore,

Shqipëria ka qenë tradicionalisht prodhuesja më e madhe e kanabisit, por kultivimi i tij u ul ndjeshëm në 2016, pas një goditjeje të madhe nga zbatimi i ligjit shqiptar, megjithatë vazhdon të mbillet në disa zona të vendit, thekson raporti i GI.

Kanabisi nga Shqipëria trafikohet përmes rrugës detare për në Itali dhe liqenit të Ohrit për në MV. Ndërsa drejt Greqisë trafikimi bëhet në rrugë detare dhe tokësore, përmes pikave të kalimit kufitarmes dy vendeve fqinjë. Pasi kalon kufijtë e Shqipërisë drejt vendeve të sipërpërmedura 1 kg kanabis kushton 2 200 Euro në MV, 2 800 Euro në Greqi dhe 3 200 Euro në Itali, raporton GI. .

Droga nga Shqipëria trafikohet edhe përmes pikave të kalimit kufitar me Kosovën duke synuar tregun e Serbisë. Heroina që shkon në Serbi nga Shqipëria kushton 19.500 Euro një kg.

Kokaina hyn në Shqipëri nga porti i Durrësit, zakonisht e fshehur në dërgesa frutash apo lëkura kafshësh nga Amerika Latine. Nga Shqipëria kalon në Mal të Zi dhe në MV dhe që andej në gjithë Europën, kryesisht me kamionë që kanë ndarje të posaçme të fshehta. Në Europën Perëndimore, thekson raporti i GI. 1 kg kokainë kushton nga 25 000 – 30 000 Euro.

Sipas të dhënave të GI, Shqipëria importon opium. Laboratorë të prodhimit të heroinës nga opiumi u zbuluan në Fushë-Krujë dhe në Has të Kukësit, ku punonte një kimist nga Turqia, ndërkohë që të tillë laboratorë ka edhe në periferi të Elbasanit dhe Kukësit, thekson GI. “Prodhimi i heroinës në vend nga opiumi i importuar krijon një fitim shumë më të madh sesa rishitja e heroinës së importuar” thekson raporti i GI.

Krim i organizuar gjeneron miliarda euro të paligjshme në vit nga kontrabanda e emigrantëve ilegalë dhe trafiku i drogës. Paratë e paligjshme që gjenerohen në BP ose në vende të tjera të Europës pastrohen në ekonomitë lokale të BP ose investohen sërish në aktivitete të tjera kriminale, thekson raporti i GI. Sipas këtij raporti, të ardhurat nga kontrabanda e kanabisit në Shqipëri investohen në droga më të forta si kokaina apo heroina duke bërë të mundur që grupet kriminale të kapin një pjesë të konsiderueshme të tregut të këtyre drogave në Europën Perëndimore dhe të kenë fitime më të mëdha.

“Të ardhurat që vijnë nga trafiku i drogës mbështesin kontrabandën e armëve të zjarrit dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, thekson raporti i GI.

Sipas këtij raporti në 6 vendet e BP pastrohen nga 1,8-4,6 miliardë Euro në vit nga kontrabanda e emigrantëve dhe trafiku i drogës. Ndërtimi, agjencitë imobiliare dhe ato të taksive janë aktivitetet në Shqipëri, ku kryesisht pastrohen paratë e rrjeteve të krimit të organizuar në vendet e BP. Raporti sjell në vëmendje të dhëna nga Instituti i Statistikave në Tiranë, sipas të cilave rezulton që lejet e ndërtimit, edhe pse në kushtet e pandemisë COVID-19, arritën numrin më të madh në gjysmën e dytë të vitit 2020. Që nga viti 2008 që konsiderohet viti i lulëzimit në industrinë e ndërtimit.

Legjislacioni në vendet e BP kundër pastrimit të parave ka zbrazëti, sidomos lidhur me zbatimin e ligjit, thekson raporti./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e Joschka Fischer/ Project Syndicate

BE duhet të përballojë jo një, por tre fqinj problematikë!


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin