MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Kosova i shpall luftë tregtare Serbisë. Po nesër ?

22.11.2018 - 20:13

Kosova ka ndërmarrë një hap diplomatik, një hap ekonomik të një përmase të jashtëzakonshme, siç është aplikimi I një takse të re jo 10%, por edhe 100 % plus mbi produktet serbe që hyjnë në territorin e saj. Ky veprim që i ngjan për nga intensiteti dhe agresiviteti veprimeve të administratës Trump ndaj partnerëve të fuqishëm globalë tregëtarë nuk është kësisoj thjesht me përmasë dypalëshe, por rajonale, madje dhe botërore.

Jo pa arsye për këtë reagoi dhe Rusia, e cila thirri në përgjegjësitë e veta Bashkimin Europian, i cili dhe ai reagoi me njëfarë vendosmërie.  Ky akt i pazakontë u ndërmor një ditë më pas kur Kosova e humbi ballafaqimin ndërkombëtar me Serbinë në kuadër të Organizatës Botërore të Policisë, pra INTERPOL-it, një votim që u bë mëngjesin e të martës, ndërkohë  që populli I Kosovës kaloi nga dëshpërimi i mëngjesit, në lumturinë e fitores së përfaqësueses së Kosovës me Azerbaixhanin, një fitore që e afron me Kampionatin Europian. Në këtë kuptim lidhja emocionale midis atij vendimi ekonomiko-diplomatik, dhe ngjarjeve të një dite më parë, është tërësisht e arsyeshme. Thirrur në këtë moment nga shumë kritikë, ky vendim është konsideruar si vendim emocional dhe për këtë arsye u nënvizua se cila ishte paraprirja emocionale e këtij vendimi.  Por ky është një shikim shumë i cekët, nëse nuk është i frymëzuar nga ata aktorë që preken prej tij.

Në fakt është një vendim me përmasa të jashtëzakonshme ekonomike sepse prek një tërësi biznesesh dhe produktet e tyre me vlerë prej  afro 500 milionë eurosh në vit, por sipas vlerësuesve shuma e importeve serbe drejt Kosovës  duke përfshirë edhe atë që kontrabandohet, shkon deri në 1 miliardë euro, pra çdo ditë afro 3 milionë euro.   Ka biznese që janë ngritur në Kosovë, por edhe biznesesh që funksionojnë në Serbi, ku sipas vlerësuesve të ekonomisë mendohet se afërsisht 220 mijë punonjës serbë që e kanë vendin e punës për shkak të blerjeve që vijnë nga tregu kosovar. Atyre normalisht i bie që të falimentojnë.

Tregu kosovar është një treg i cili vazhdon të ruajë lidhje të qëndrueshme me Serbinë, jo thjesht për shkak të çmimeve që mbahen në këmbë nëpërmjet politikave  të dumpingut apo nëpërmjet politikave të stimulit financiar nga qeveria serbe, por edhe për shkak të një lloj preference konsumatore, pra të një konsumatori të mësuar në dhjetra vjet me mallra serbe për shkak të bashkëjetesës në ish Federatën Jugosllave.  Përmasat e kësaj lidhjeje preferenciale midis konsumatorit kosovar edhe produkteve serbe, kanë arritur përmasa të paradoksit, të absurdit, kur ndonëse Serbia ishte shteti  që kishte djegur qindra e mijëra shtëpi gjatë konfliktit të vitit 1999,  lëndët e para për rindërtimin e këtyre shtëpive u blenë po në Serbi.

Një episod

Për ta kuptuar më mirë këtë marrëdhënie po sjellim dhe një episod tjetër. Gjatë fushatës së fundit, ministri i Jashtëm Pacolli, njëkohësisht edhe  një ndërmarrës me karrierë globale, nënvizonte një moment domethënës përpara një politikani tjetër themelues apo pronar i një grupi qendrash tregtare që tregtonte pikërisht produkte nga Serbia. “Ne duhet që të ulim brenda 4 vjetëve deri në 50% të  importit  të produkteve bujqësore dhe produkteve agroushqimore nga Serbia, sepse ju ftoj vetëm të mendoni se çfarë cilësie kanë  mallrat që me etiketa shqip prodhohen në fabrikat serbe”, tha ministri Pacolli në takimin me publikun. Nënteksti është se cilësia e këtyre mallrave mund të jetë qëllimisht e keqe, sepse vijnë nga një vend që ka qenë në luftë me Kosovën. Pak a shumë njëlloj si fake news që kanë destinacion tregun e të padijshmëve, dhe mallrat fake kanë tregun e tyre.

Rezistenca brenda Kosovës

Pra ky vendim i qeverisë së Kosovës vjen në një kontekst të tillë, jo thjesht statistikor por edhe politik, diplomatik si dhe emocional. Kështu që do duhet kuptuar që vendimi krijon, ashtu siç mund të imagjinohet edhe rezistencë brënda Kosovës, për shkak se këto 550 milionë euro apo afro 1 miliardë euro mallra që hyjnë në tregun e Kosovës, kanë suportin e tyre mediatik, suportin e tyre politik. Mbajtja e pozitave dominante në treg prej këtyre produkteve, nënkupton propagandë, nënkupton marketing politik e mediatik, nënkupton mbështetje të forcave të caktuara politike, apo individëve të caktuar politikë gjatë fushatave.  Kështu që në këtë kuptim do duhet kuptuar që ky veprim do të krijojë rezistencë të brendshme në Kosovë, rezistencë e cila nëqoftëse do të shikoje disa televizione të Kosovës do të kuptohej nga mënyra se si moderatorët  e orientonin bisedën e të ftuave kah momentet negative të këtij vendimi, tek fakti që do rriten çmimet, se masa do hiqej shumë shpejt, etj, etj. Por qeveria e përbërë nga shumë parti votoi në mënyrë unanime : asnjë institucion nuk reagoi kundër, sepse vendimi ka një ngarkesë të fortë populiste, ndonëse paradoksi është i qartë : ata që mbështesin masën restriktive të qeverisë, janë bash konsumatorët e mallrave serbe.

A mund të ishte gradual apo simetrik?

kolana e librave

Sigurisht ky nuk është një vendim i lehtë, dhe nuk ngjan se është një mendim i mirëmenduar, apo i menduar gjatë sipas ndonjëlloj plani. Ndaj në shumë kuptime do duhet që të biem dakord me disa  kritikë të tij, se sjellja e Kosovës ndaj Serbisë duhej të ishte graduale, proaktive, në kuptimin që Kosova do duhej t’i kishte marrë këto veprime që ta pengonin agresivitetin ndërkombëtar, diplomatik të Serbisë shumë më herët, të shtrirë në kohë dhe jo me një vendim të një përmase të tillë kaq drastike brënda një dite të vetme. Parë kështu ndoshta do të ishte e arsyeshme që Kosova të kishte reaguar rast pas rasti. Përshembull si reagim për mungesën e respektimit nga ana e Serbisë të marrëveshjes për energjinë të firmosur në Bruksel, duke mbajtur peng linjën e interkoneksionit, investim i qeverisë gjermane, në të dyja krahët e kufirit për afro 130  milionë euro. Serbia e mban peng një linjë të tillë me artifica, të cilat nuk mund t’I zhbllokojë as qeveria gjermane as sekretariati evropian për energjinë. Kosova nuk ka mundur asokohe që t’i imponojë- ashtu siç ka qenë edhe një propozim i asaj kohe që duhej të implementohej- një lloj takse për energjinë e cila do të amortizonte peshën që krijon në buxhetin e Kosovës, mospagimi i energjisë elektrike nga ana e shtetasve kosovarë me kombësi serbe.

Mungesa e konsultimit me Shqipërinë

Kosova ka hequr dorë nga reagimi i momentit, reciprok apo simetrik, i shtrirë në kohë dhe ka zgjedhur të ndërmarri një vendim të tillë. Një vendim i tillë do duhej të ishte marrë me siguri në konsultim me Shqipërinë.  Një ekspert i Kosovës në ekonomi tha që “ në fuqi blerëse Prizreni nuk është më i pasur se sa Kukësi, por nëqoftëse Kukësi i ka drejtuar preferencat konsumatore drejt mallrave me çmime më të ulta se ato serbe, për shembull drejt atyre turke apo të një lloji tjetër, atëhere nuk shohim arsye  që ne kosovarët nuk do të duhet të tentojmë që të orientojmë preferencat konsumatore drejt tregjeve të tjera”. Shqipëria do të ishte mirë që të ftohej në ndërmarrjen e një vendimi të tillë, për tu konsultuar, për tu përballur bashkarisht me pasojat ashtu siç thojnë kritikët si përshembull rritja e çmimeve apo rritja e kontrabandës, sepse Kosova do duhet që të demonstrojë që ka kapacitete për të përballuar fuqizimin e dukurive të tilla.  Një vendim i tillë ngjan se është i pa konsultuar me Shqipërinë, sepse u mor një ditë pas humbjes së ballafaqimit ndërkombëtar të Kosovës me Serbinëpër INTERPOL-in, dhe argumentimi mbështetës i vendimit ishte në këtë linjë. Gjithsesi duhet të llogarisim këtu edhe faktin që Shqipëria e ka paksa të vështirë që të rezultojë e përfshirë në marrje vendimi si ky i cili në kuptimin legal i cënon rregullat e tregtisë së lirë të zgjidhura nëpërmjet marrëveshjeve me frymëzim rajonal si CEFTA apo marrëdhëniet të rajonit me Bashkimin Europian. Pra duket se mungon ky konsultim i Kosovës me Shqipërinë, e cila do të duhet të ishte partneri kryesor. Kjo megjithatë nuk do të thotë që Shqipëria apo vende të tjera të rajonit, mos të tentojnë që brenda asaj kohe të shkurtër se sa do të zgjasë mbajtja në fuqi e këtyre masave, të përfitojnë nga situatat e krijuara në treg për të imponuar mallrat e tyre.  Për më shumë në datën 26 nëntor Shqipëria me Kosovën do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive, fakt  që evidenton mungesën e konsultimit kombëta për një vendim të tillë.  Të dyja vendet nuk kanë arritur, që kur është instaluar kjo traditë, që të krijojnë subjekte të përbashkëta, të adoptojnë strategji të përbashkëta prodhimi, tregtimi, në fushën e energjisë, në fushën e prodhimeve agro-ushqimore,për të cilat qoftë Kosova apo qoftë Shqipëria kanë traditë, në atë të turizmit, etj.   Ka ardhur momenti që nga ky takim i rradhës midis dy qeverive, të dilet ngakuadri propagandistik, i nënshkrimit të deklaratave dhe shout dhe  të kalohet në një moment përmbajtësor.

Reagimi europian

Reagimi europian është nervoz dhe i pafuqishëm. Bashkimi Europian nuk ka fuqi imponuese kundrejt Kosovës, i zënë në problemet e veta, në prag të zgjedhjeve për institucionet e veta në qershor 2019. Për më shumë Kosova është nervoze me Bashkimin, i cili i premtoi dhënien e vizave dhe nuk po e mban fjalën. Vendimi është sfidë për autoritetin e organizatës, apo zonjës Mogherini dhe zotit Hahn, por ata nuk kanë fuqi imponuese.  Baza legale e prekur është vetëm marrëveshja e CEFTA-s dhe vetëm indirekt fryma e marrëveshjes së asocimit të Kosovës me Bashkimin Europian, ndaj për Unionin ka pak hapësirë legale veprimi, ndonëse ai thirret në Procesin e Berlinit të bashkëpunimit ballkanik, apo Zonës rajonale ekonomike. I vetmi interes i Bashkimit është se kjo masë e bën më imediat nevojën e uljes në negociatat e ndërmjetësuara prej tij, por le të shohim sesi do të shkohet në raundin tjetër të tyre : duke hequr masën paraprakisht, apo duke e hequr me transaksion pikërisht në atë tryezë.

Reagimi serb

Me këto para mbahet struktura paralele e Serbisë në Kosovë dhe ndaj reagimi asimetrik i saj pritet të ndërlidhet pikërisht me komunat serbe në veri të ish krahinēs së saj, të cilat paralajmërojnë  bllokime rrugësh. Ndërkohë me gjasë kontrabandistët fërkojnë duart. Por ndërsa kritikët vendosin theksin tek emocionaliteti i vendimit, apo ngritja eventuale e çmimeve, ata nuk duan të imagjinojnë efektet imediate në ekonominë serbe, veçanërisht në Serbinë jugore. Maunat me mallra serbe të kontraktuara në Kosovë do detyrohen të kthehen mbrapsh, duke bllokuar rrugët ; fabrikat do ndërpresin prodhimin ; mund të ketë greva dhe protesta të këtyre subjekteve, të cilat prekin qeverinë, duke ushtruar presion mbi të. Kjo masë është masë force, e cila cënon autoritetin e Vuçicit, deri tani i kënaqur me pengesat që i ka krijuar Kosovës në rrafsh ndërkombëtar- revokim njohjesh, apo bllokim të Interpol-it. Për këto arsye apo dhe për të tjera, Vuçic, bëri konstruktivin nervoz në një thirrje ndaj kosovarëve si « ndaj Krishtit », që të heqin masat, dhe pastaj të ulen në tryezë, për të zgjidhur gjërat me bisedime. Masat para, pastaj tryeza ? Apo diskutim në tryezë dhe pazar më jep të jap.

 Qasja e Kosovës. Çfarë hapi pastaj ?

Ky hap i paplanifikuar më parë, krijon në afat të shkurtër njëlloj avantazhi përveç vlerës aktuale elektorale dhe mbush sadopak diferencën në fuqi negociale midis Serbisë dhe Kosovës për bisedimet finale. Mirëpo a është Kosova e përgatitur për një kundërofertë, nëse ulet në tryezë ? Kërkesa e saj për heqjen e masës kur Serbia të njohë Kosovën është maksimaliste, por një sërë kërkesash sipas skenarësh alternativë do duhet të ishin parashikuar. Ato do duhet të përgatiteshin nga mbledhja e përbashkët e ekspertëve me krejt partitë politike dhe institucionet e Kosovës, por kjo mbledhje nuk duket të jetë gati. Ky hap rrit nevojën për uljen në bisedime dhe e ndërkombëtarizon fuqishëm çështjen e Kosovës, duke imponuar fuqive të mëdha, që të mendojnë ta zgjidhin përfundimisht këtë çështje. Jo duke e parë Kosovën pa respekt, si deri më tani, por në mënyrë më realiste. Le të presim që të shohim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Taksa 100% për mallrat serbe

BE-Kosovës: Anuloni menjëherë vendimin