MENU
klinika

12 organizata të shoqërisë civile thirrje Albin Kurtit

“Rregullo procesin e vaksinimit, kjo situatë është e turpshme”

14.05.2021 - 18:16

Një grup organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e vaksinimit të grupmoshës mbi 65 vjeç në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në rajonet tjera, tollovi kjo e krijuar pas një thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuar këtë të mërkure.

12 OSHC, përmes këtij reagimi kanë thënë se kjo ftesë nga MSH-ja, pa një plan dhe orar të qartë të vaksinimit të personave të kësaj grupmoshe, shkaktoi radhë të gjata dhe grumbullime të cilat rrezikojnë direkt shëndetin publik e sidomos të një grupmoshe më të rrezikuar nga Covid-19.

“Një qasje e tillë, pa një planifikim paraprak detyrimisht do të rezultojë me rrezik të shtuar për infektime të reja dhe është absurde që të njëjtat të shkaktohen në situatën në të cilën gjendemi”, thuhet në reagimin e OSHC-ve.

“Ne konsiderojmë që Ministria ka të gjitha kapacitetet për ta menaxhuar këtë situatë dhe është e pakuptueshme se si e njëjta nuk ka arritur të krijojë një sistem dhe infrastrukturë adekuate konsideruar faktin që procesi i vaksinimit do shkojë duke u shtuar dita ditës. Që ky proces të implementohet ashtu si duhet, MSh-ja duhet të mësojë nga vendet e rajonit dhe të decentralizojë procesin e vaksinimit duke krijuar qendra të reja në Prishtinë, dhe jo vetëm. Një gjë e tillë është absolutisht e bëshme dhe do të evitonte radhët e gjata, përkatësisht do të ruante shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, theksojnë këto OSHC në reagimin dërguar mediave.

Grupi i OSCH-ve nënshkruese të kësaj komunikate ia kanë rikujtuar MSH-së por edhe Qeverisë së Kosovës që procesi i vaksinimit duhet të jetë prioriteti kryesor dhe i pakontestueshëm në kohën ku gjendemi, “prandaj të gjitha kapacitetet duhet të fokusohen në imunizimin sa më të madh, transparent dhe gjithëpërfshirës të popullatës”.

Në këtë drejtim, 12 OSHC-të i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që:

“Të ketë seriozitet të shtuar në organizim në tërë rajonet e Kosovës ashtuqë, të evitohen me çdo kusht radhët e gjata të pritjes të cilat medoemos do të rezultojnë me infeksione të shtuara; Të shtohen qendrat e vaksinimit në rajonet më të mëdha, ashtuqë të decentralizohet i tërë procesi i vaksinimit; Të mundësohet qasje e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes metodave të kombinuara. Pra të u ofrohen mënyra të ndryshme të aplikimit (online, fizike, etj) në mënyrë që të kenë qasje të gjithë, përfshirë këtu të moshuarit që nuk kanë njohuri në përdorim të mjeteve të komunikimit online”, kanë thënë në reagimin e tyre.

Për më tepër, OSHC-të thonë se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duhet që paralelisht me vaksinimin e popullatës të angazhohen edhe në implementimin e një fushate informimi dhe vetëdijesimi rreth procedurave të vaksinimit dhe efektin e këtij procesi në parandalimin e përhapjes së mëtutjeshëm të virusit.

“Qytetarët e Kosovës, sidomos ata në moshë të shtyrë, duhet ta kenë të qartë të gjithë procesin në mënyrë që të jenë të informuar drejtë se si dhe ku duhet të vaksinohen. Duhet të jetë kjo thirrja e fundit për qeverinë që të merret seriozisht me këtë çështje thelbësore në mënyrë që të mos vijmë më në një situatë të tillë të turpshme, e sidomos të rrezikshme për shëndetin publik”, kanë përfunduar reagimin e tyre grupi i OSHC-ve, i përbërë nga:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS

Organizata ÇOHU!

Instituti KIPRED

EC Ma Ndryshe

Lëvizja FOL

Instituti Demokratik i Kosovës – KDI

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF

Demokraci për Zhvillim – D4D

Demokracia Plus – D+

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA

Instituti GAP

Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qindra qytetarë në radhë për vaksinën

Kreu i LDK: Një qeveri e tërë është në gjumë


"Duhet të pranoni krimet e kryera në Kosovë"

Vuçiç debat me deputetin shqiptar Kamberi

Pjesë e listës edhe Kosova

SHBA nis ndarjen e vaksinave anti-Covid

Zbulohen tema kryesore e diskutimit

Kurti takohet nesër me Macron në Paris

“Është çështje e momentit kur shqiptarët do të sulmojnë serbët..."

Takimi me Kurtin, Vuçiç jep detaje para deputetëve