MENU
klinika

BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Sekreti i lumturisë”

04.05.2021 - 15:31

Roberto R. Aramayo/

“Qëllimi i jetës njerëzore është lumturia, por kush di të jetë i lumtur? Pa ndonjë qëllim të qartë, kërcejmë sa në një dëshirë në tjetrën dhe pse arrijmë ndonjë nga qëllimet, gjendemi njësoj si para se ta arrinim atë qëllim. Çdo gjë që kemi na shërben vetëm për të nxjerrë në pah gjërat që nuk i kemi”. Jean-Jacques Rousseau

Mathieu Ricard konsiderohet si njeriu më i lumtur në botë. Një biolog që studionte aktivitetin e trurit përmes rezonancës magnetike, ndërsa individi përjetonte emocione pozitive. Por Mathieu vendosi t’ia dedikonte jetën përkthimit të Dalai Lamës.

Jeton shumë thjeshtë dhe shumë prej të ardhurave nga libri i tij me fotografi,  i ka dhënë për bamirësi. Ai e shikon altruizmin si mënyrën më të mirë për t’u ndjerë i realizuar. Ndoshta e konsideron të tillë sepse në një hark kohor të gjatë, altruizmi na shërben të gjithëve dhe është çelësi i evolucionit. Por Ricard-i e pranon që nuk ka receta universale, secili duhet të gjejë udhën e tij të veçantë drejt lumturisë.

Të kënaqesh apo të heqësh dorë

Mos ndoshta kulmi i lumturisë arrihet duke përmbushur nevojat, duke ndjekur dëshirat dhe kënaqësitë apo ndoshta zgjidhja është të ushqejmë shpirtin? Çështja është e komplikuar, sepse nuk kushtëzohet vetëm nga kushtet ekonomike dhe konteksti socio-historik ku ndodhemi por dhe nga një sërë rrethanash që nuk varen prej nesh, por varen jashtëzakonisht shumë nga mosha jonë.

Tre moshat e gruas (Gustav Klimt, 1905)

Sepse kërkesat e trupit e të mendjes ndryshojnë në varësi të moshës. Kur ishim të vegjël, fantazia jonë e shfrenuar arrinte gjithçka, por rritja na përball me pengesa nga ato që sjell realiteti.

Sidoqoftë, kjo nismë gjithmonë ka një muzikë në sfond. Lumturinë e vazhdueshme mund ta kuptojmë më mirë nëse gërmojmë historitë e ideve morale, duke i vënë në plan të dytë qasjet filozofike dhe psikologjike që kontribuojnë për ta formësuar këndvështrimin mbi çështjen.

Cila është bërthama e lumturisë? Na nevojitet një guidë e mirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Kantin e shqetësonte shumë tema e lumturisë dhe ka shkruar shumë në veprat e tij.

Është interesante të krahasosh përkufizimet e ndryshme që ka dhënë Kanti mbi lumturinë, duke përfshirë herët e kënaqësive, përmbushjes së nevojave, intensitetin dhe kohëzgjatjen.

Gjithsesi, më vonë, pa u zmbrapsur do shprehej se në fakt do ishim të lumtur atëherë kur gjërat të bëheshin sipas dëshirës e vullnetit tonë. Megjithëse vullneti nuk përkonte me dëshirën dhe ne të ishim sërish të pakënaqur.

Kanti argumentonte se po të mundte do ta kishte programuar qenien njerëzore për të qenë i lumtur duke i lënë vetëm aparatin instiktiv që e ka njësoj si kafshët e tjera. Duke i hequr njeriut arsyen dhe aftësinë e tij për të reflektuar, njeriu do të përshtatej dhe do të jetonte shumë mirë në komunitet. Gjithçka që dëmton të tjerët do përcaktohej nga zgjedhja jonë e vullnetshme dhe e moralshme.

E paarritshme dhe fatlume

Kanti, mbi  kërkimin e lumturisë, thoshte se përdorim ndjeshmërinë të kombinuar me imagjinatën dhe kuptueshmërinë. Për më tepër nuk reshtim së ndryshuari këtë skicë çdo minutë, ndaj arritja e lumturisë bëhet gjithmonë e më e paarritshme.

Për të arritur lumturinë, në çastin e fundit do varemi nga fati.

Sekreti i zgjatjes në kohë

Sipas Kantit, të jesh i kënaqur me veten, varet krejtësisht prej nesh. Qetësia e të qenit në paqe më veten është çelësi i lumturisë sipas Kantit. Si përfundim: Nuk varet nga arritja e diçkaje në veçanti, por t’i vësh vetes një qëllim që mund ta arrish.

Në fakt, Kanti ka një shpirt stoik. Të jemi zotët e kalasë sonë të brendshme dhe mos ta lëmë kalanë tonë të ndikohet nga faktorë të jashtëm. Pasi jemi  divorcuar me suksesin e me zinxhirët e tij, vullneti i mirë sipas Kantit, është tërësisht i pavarur, me mençurinë stoike që i përbuz të mirat materiale e kështu e qetëson shpirtin përmes lehtësimit të brengave imagjinare.

Pushtimi personal

E vërteta është se ekziston përhumbja e vazhdueshme të cilën e përjetojnë edhe kampionët e hedonizmit. Epikurët iu largoheshin kënaqësive më ekzigjente dhe zgjidhinin kënaqësitë statike e të qëndrueshme. Qetësia shpirtërore vendoset përpara kënaqësisë që mund të shkaktojë dhimbje.

Bertrand Russell në 1924.

Betrand Russell shkroi “Pushtimi i lumturisë”, nënvizohet që në titullin e librit të tij që nuk duhet të sforcohemi për ta arritur lumturinë, por duhet ta gjejmë përgjatë rrugës. Gjatë këtij itinerari është e rëndësishme të mos rrëzohemi dhe kur hasim pengesa. Mënyrën e pushtimit duhet ta gjejë e zbulojë, vetë gjithësecili prej nesh.

Rousseau në librin e tij “Ëndrrat e një vetmitari”, shkruante se burimi i lumturisë së vërtetë është brenda nesh dhe jo në gjërat që na rrethojnë.

*Roberto R. Aramayo filozof, profesor në Insitutin e Filozofisë në Madrid. Është një nga themeluesit e revistës filozofike “Isegoria”, kreyredaktor i revistës “Con-Textos Kantianos”.

Artikulli u soll në shqip nga Albana Murra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

Mendësia e re ekonomike