Policia e Fierit ka goditur një rast të tentativës së kultivimit të bimëve narkotike, duke arrestuar tre persona, njëri prej të cilëve ishte i shpallur në kërkim për ‘prodhim dhe shitje droge’.
Në pranga u vu shtetasi me iniciale E. Y., 37 vjeç (i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”) dhe Xh. T., 27 vjeç, të dy banues në Fier, pasi në një banesë të braktisur në fshatin Kreshpan, janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa.
“Gjithashtu, për këtë rast u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi G. Y., 21 vjeç, banues në Kreshpan, i cili gjatë momentit që autorët janë pikasur nga shërbimet e Policisë, ka ndihmuar shtetasin Xh. T. të largohej nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.