Artisi rus, që në fillesën e karrierës së vet u përpoq të ndërtonte artin e bazuar në ngjyrat dhe formën e pastër. Pasi braktisi karrierën në shkencat shoqërore, Kandinski revolucionarizoi përgjithmonë botën artistike./Konica.al
Vasili Kandinski ishte piktori i parë, që e bazoi pikturën në mjete shprehëse krejt pikturale. Kësisoj braktisi përdorimin e “objekteve” në tablotë e tij, duke paraprirë lëvizjen abstraksioniste. Kandisnki ishte artist shumëplanësh: ai ishte jo vetëm piktor, por edhe gdhendës dhe shkrimtar, çka bëri që të vlerësohet në mbarë botën si një nga krijuesit e abstraksionit të pastër në pikturën moderne. Pas ekspozitave të suksesshme avangardë, ai themeloi grupin “Der Blaue Reiter” (Kalorësi Blu, 1911-14) të Munihut dhe nisi të pikturonte tërësisht në mënyrë abstrakte. Format evoluan nga pikturat e para fluide dhe organike, në tablo gjeometrike dhe së fundmi piktografike. Piktori u brumos me një trashëgimi kulturore pjesërisht evropiane dhe pjesërisht aziatike, me nënë moskovite dhe baba me origjinë siberiane. Familja e tij i pëlqente shumë udhëtimet, ndaj që fëmijë ai zbuloi Venecian, Romën, Firencën, Kaukazin dhe gadishullin e Krimesë. E ëma kishte prirje muzikore, ndërsa i ati punonte si tregtar çaji. Prindërit e tij u divorcuan, kur Kandinski ishte rreth 5-vjeç, kjo bëri që djali të zhvendosej në Odessa (Ukrainë) për të jetuar me tezen, ku mësoi t’i binte pianos dhe violonçelit në shkollën fillore, gjithashtu studioi vizatimin me një mësues privat. Me artin kishte një përvojë intime që nga fëmijëria. Punimet e fëmijërisë zbulojnë kombinime shumë specifike të ngjyrave, të mbarsura me premisën: “secila ngjyrë jeton jetën e saj misterioze”. I riu vijoi të kishte ndjenja të pazakonta rreth ngjyrës, ndërsa vështronte arkitekturën e gjallë të qytetit dhe koleksionet e ikonave. Interesi për stilet paksa të egra dhe joreale të pikturës popullore ruse nuk iu zbeh kurrë. U doktorua në shkencat sociale më 1893. Fillimisht, i rezistoi prirjes artistike, duke e konsideruar artin si “një luks të ndaluar për një rus”, por më në fund, pas një periudhe mësimdhënieje në universitet, pranoi postin e drejtorit të seksionit fotografik në një shtypshkronjë në Moskë. Dy ngjarje çuan në ndryshimin e papritur të karrierës së tij në 1896: e para, kur ndoqi një ekspozitë të impresionistëve francezë në Moskë dhe, e dyta, kur dëgjoi Vagnerin në Teatrin Bolshoi. Kështu, jeta dhe karriera e Kandinskit mori një kthesë të re, nga e cila nuk u zmbraps kurrë.
Në 1896, teksa u afrohej të 30-ve, Kandinski hoqi dorë nga karriera ligjore dhe vendosi të transferohej në Mynih. Nuk e kishte problem gjuhën, pasi e kishte mësuar nga gjyshja nga nëna gjatë fëmijërisë. U regjistrua në Akademinë e Arteve të Mynihut, por ishte kryesisht autodidakt. Kandinski deklaroi, se vepra e Klod Monesë ishte një nga ndikimet e tij më të mëdha. Në pikturat e Monesë, subjekti luan një rol dytësor krahasuar me ngjyrën. Ishte sikur realiteti dhe përralla të ndërthureshin. Ky ishte sekreti i punës së hershme të Kandinskit, e cila bazohej në artin popullor dhe mbeti e tillë edhe kur pikturat u bënë më komplekse. Midis viteve 1902 1907, artisti mbeti shëtitës, duke vizituar një sërë vendesh si Franca, Hollanda, Tunizia, Italia dhe Rusia, për t’u vendosur përgjithmonë në Murnau. Gjatë udhëtimeve, pikturoi një seri peisazhesh alpine (midis 1908-1910). Vepra e famshme “Mali Blu” i përket kësaj periudhe, e cila përshkruan qartë pamjen panoramike të natyrës përmes ngjyrave. Ndryshe nga piktorët e tjerë të epokës, përdorimi i ngjyrës në telajo ishte jashtëzakonisht i ndryshëm. Paleta e ngjyrave shërbente më shumë për të shprehur emocione, sesa për të dhënë një përshkrim të natyrës ose subjektit. Viti 1910 qe vendimtar për Kandinskin dhe artin në përgjithësi, pasi atë vit revolucionarizoi skenën e artit me prodhimin e akuarelit të parë abstrakt. Po ashtu, botoi traktatin “Shpirtërorja në art” në Kalendarin e “Kalorësi blu”, përveç promovimit të artit abstrakt dhe përdorimit autonom të ngjyrës. Deri në atë çast, ngjyra ishte në shërbim të pikturës thjesht utilitare, pra shërbente si një plotësim për të përfaqësuar një objekt, një peizazh, etj., mirëpo Kandinski i hapi rrugën dhe e ndau këtë përdorim utilitar për t’i dhënë ngjyrës një autonomi totale. Pas kthimit në Rusi, ai u zhyt në politikën kulturore ruse dhe kontribuoi në edukimin artistik dhe reformën e muzeve (1918-1921). Organizoi njëzet e dy muze dhe drejtoi Muzeun e Kulturës Pikturale. Në vitin 1920, u emërua profesor në Universitetin e Moskës. Disi i mënjanuar nga telajoja, pjesën më të madhe të kohës iu përkushtua transmetimit të njohurive artistike. Për mësimdhënien, artisti ndiqte një program të bazuar në analizën e formave dhe ngjyrave. Në 1921, Kandinski themeloi Akademinë e Arteve dhe Shkencave dhe u bë nënkryetar. Mirëpo, shumë shpejt qëndrimi sovjetik ndaj artit ndryshoi, idetë dhe vizioni ekspresionist i artit të tij u refuzuan nga anëtarët radikalë të Institutit. Kandinski u gjykua nga kolegët si “shumë i veçantë” dhe, si rezultat, ai vendosi të largohej nga Rusia, për t’u zhvendosur në Gjermani. Ndërsa eksperimentonte me përdorimin e ngjyrave, me kalimin e kohës pikturat do të pësonin ndryshime të mëtejshme. Në vityin 1933, kur Bauhaus u mbyll nga nazistët, piktori u zhvendos në Francë. Shumica e pikturave të asaj periudhe spikasnin për kompozime me ngjyra origjinale, ndonjëherë duke përzier rërë me bojë për t’i dhënë një strukturë të butë rurale. Vlen të theksohet, se, pikturat nga periudha pariziane, kanë ngjyra të mrekullueshme, plot risi dhe ndjesi tërheqëse./Konica.al
“Vepra artistike lind nga artisti, në mënyrë misterioze dhe të fshehtë. Prej tij, ajo merr jetën dhe jeton. Ekzistenca e saj, nuk është për shkak të rastësisë dhe e parëndësishme, ajo posedon një forcë të caktuar dhe të vendosur, të ngjashme me jetën e tij materiale dhe shpirtërore”, – shprehet Kandinski.
Në korrik 1937, i shoqëruar nga artistë të tjerë bashkohorë, ekspozoi krijimtarinë në ekspozitën e “Artit të Degjeneruar” në Mynih. Ekspozita tërhoqi shumë artdashës, veçse 57 nga veprat e tij u konfiskuan nga nazistët. Mjeshtri i ngjyrave dhe abstraksionit vdiq nga sëmundja cerebrovaskulare në Neuilly-sur-Seine, Francë, më 13 dhjetor 1944. Sidoqoftë, ai mbetet i pavdekshëm përmes tablove të jashtëzakoshme, madje vijon të admirohet shumë për pikturat, por edhe si krijuesi i artit abstrakt. Ai shpiku një gjuhë të formave abstrakte, me të cilën zëvendësoi format e natyrës. Donte të pasqyronte universin në botën e tij vizionare, ai mendonte se piktura kishte të njëjtën fuqi si muzika, si rrjedhojë linja dhe ngjyra duhej të korrespondonin me vibrimet e shpirtit njerëzor.
Pionieri i artit abstrakt, nuk është vetëm rus, ai është mbi të gjitha një artist ndërkombëtar që jetoi njëfarë kohe në Paris, udhëtoi në Evropë dhe u bë i njohur përmes esesë “Shpirtërorja në art” (1911). Artisti shënoi një pikë kthese vendimtare në lindjen e abstraksionit, duke krijuar një gjuhë të re që shpreh “natyrën e tij të brendshme” dhe që kërkon muzikalitet. Në një kohë që surealizmi zinte vendin primar në skenën artistike pariziane, Kandinski u shkëput nga arti strikt gjeometrik për t’u derdhur në njëfarë lirike poetike. Nga çasti që u vendos në Paris, piktori duket më i shpenguar. Në tablotë e tij gjejmë forma të frymëzuara nga natyra, organike dhe biomorfe, që hera-herës evokojnë vepra të Joan Mirosë ose Jean Arp./Konica.al