MENU
klinika

Nis fushata në PD/ Katër kandidatët

Udhëzimi: Lista e zgjedhësve del jo më vonë se 5 ditë para votimeve!

24.05.2021 - 13:16

Agron Shehaj, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Lulzim Basha janë 4 kandidatët e miratuar nga Kryesia e Partisë Demokratike për të garuar për kryesimin e selisë blu për 4 vitet e ardhshme. Bie në sy që në garë prezenca e grave është e ulët.

Ndërsa një tjetër detaj që spikat në garën e PD-së është se nga të 4 kandidatët, 3 prej tyre kanë studiuar në Perëndim, ndërsa vetëm njëri prej tyre në Shqipëri, konkretisht në kryeqytet.

KANDIDATËT

Agron Shehaj është kandidati që u regjistrua në garën për kreun e PD-së ditën e fundit të afatit të përcaktuar. Sipas të dhënave që ka paraqitur Shehaj në formular, rezulton se ai ka përfunduar studimet në Itali, konkretisht në Firence, për degën Ekonomi. Pas përfundimit të studimeve, Shehaj është angazhuar në biznes në vendin fqinj dhe vetëm në vitin 2017 nisi karrierën politike, duke u bërë deputet i Partisë Demokratike. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve angazhimi i tij ka qenë mes biznesit privat dhe politikës.

Nuk kanë munguar as denoncimet e shumta. Edit Harxhi është kandidatja e vetme femër në garën për kreun e PD-së. Nga formulari i plotësuar nga Harxhi, rezulton se ajo ka përfunduar studimet e larta në Skoci. Harxhi ka mbyllur ciklin e parë të studimeve të larta për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Ndërkohë, në kategorinë e eksperiencës së punës Harxhi përshkruan rolin e saj si drejtore e APCsë. Ndërkohë, më herët Harxhi ka mbajtur edhe postin e zëvendësministres së Jashtme dhe këshilltare. Ndërkohë, që prej 2017-ës Harxhi ka kritikuar lidershipin e Partisë Demokratike për vendime, sipas saj, të gabuara. Kandidatura tjetër që u vlerësua si e përshtatshme nga kryesia është Fatbardh Kadilli.

Ky i fundit ka lindur në kryeqytet dhe ka mbaruar studimet po në Tiranë. Kadilli ka qenë më herët deputet i Partisë Demokratike, ndërsa që prej zgjedhjeve të 2013-ës ka qenë jashtë Parlamentit. Kadilli ka pasur edhe pozicione si këshilltar, ndërkohë që aktualisht është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Kadilli ishte ndër të parët që reaguan kundër kryedemokratit Basha pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit.

Kandidati tjetër që u kualifikua si i përshtatshëm nga Kryesia e PD-së ditën e djeshme është edhe Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka përfunduar studimet e larta në Holandë për drejtësi. Ndërkohë, pas studimeve u angazhua në profesionin e tij në Kosovë me organizatat ndërkombëtare. Më pas Basha u rikthye në Shqipëri ku ka qenë koordinator i KOP, ndërsa më pas ka mbajtur edhe poste të tjera shumë të rëndësishme, si ministër i Transportit, i Jashtëm dhe i Brendshëm. Ndërsa për 4 vite drejtoi edhe Bashkinë e kryeqytetit. Që nga 2013-ta Lulzim Basha ka drejtuar Partinë Demokratike.

Nga formulari që ka plotësuar, Basha rezulton i padënuar ndonjëherë, ndërsa nuk është as subjekt i dekriminalizimit, pasi ka mbajtur pozicione të rëndësishme dhe mandatin e deputetit. Ajo që bie në sy në fakt është se pavarësisht se në formularin që duhet të plotësonin kandidatët duhet të jepnin detaje nëse kanë pasur funksione në kohën e komunizmit, në të dhënat që i janë vendosur Kryesisë nuk jepen detaje mbi plotësimin e formularit për këtë kapitull.

Zbardhet udhëzimi: Lista e zgjedhësve del jo më vonë se 5 ditë para votimeve

Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike. Ndërkohë, Kryesia miratoi dje edhe modalitetet e fushatës. Sipas rregullores së miratuar nga Kryesia pa praninë e kreut të PD-së Lulzim Basha, fushata nis që sot, ndërsa e gjithë struktura e PD-së qendrore dhe në degë do të jetë në shërbim të kandidatëve dhe do të jenë të paanshëm. Secili nga kandidatët duhet të përgatisin një axhendë takimesh dhe t’ia vë në dispozicion sekretarit organizativ. Por në kushtet kur sekretari organizativ u tërhoq pas zgjedhjeve të 25 prillit, Basha ia kaloi kompetencat sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhit.

“Degët e partisë janë përgjegjëse për organizimin e takimeve me anëtarësinë të kandidatëve, sipas një grafiku që dërgohet paraprakisht nga sekretariati organizativ i partisë. Stafi i secilit kandidatit harton grafikun e takimeve dhe e koordinon atë me sekretariatin organizativ të partisë përpara se t’u dërgohet degëve për zbatim”, thuhet në udhëzimin e siguruar nga gazeta “Panorama”. Ndërkohë, ndryshe nga sa u kërkua nga kandidatja Edit Harxhi, që kandidatëve t’u vihet menjëherë në dispozicion lista me zgjedhësit, udhëzimi i miratuar dje parashikon që lista me emrat e zgjedhësve publikohet jo më vonë 5 ditë para zgjedhjeve.

“Lista e votuesve miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo me vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Listat e anëtarëve që kanë të drejtën e votimit përgatiten nga sekretariati organizativ i partisë, të paktën 48 orë përpara ditës së miratimit nga Komisioni Zgjedhor. Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një auditues për procesin e gjenerimit të të dhënave nga sistemi elektronik i anëtarësisë, i cili pa pasur të drejtën për kopjimin e të dhënave, bën monitorimin e procesit të gjenerimit të të dhënave të anëtarësisë nga sistemi dhe verifikon nëse ka apo jo modifikime të papërshtatshme në sistem. Zyra e IT dhe sekretariati organizativ në Partinë Demokratike kujdeset për garantimin e kësaj të drejte”, thuhet në udhëzim. Ndërkohë, kandidatët kanë të drejtë të kenë edhe vëzhgues të përhershëm, si në procesin e votimit, ashtu edhe në procesin e votimit, ndërsa komisioni do të përbëhet nga tre anëtarë.

“Komisioni i votimit dhe numërimit përbëhet nga 3 anëtarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të kryesisë së degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat. Komisioni i votimit dhe numërimit ka në përbërje 3 anëtarë, si më poshtë: një nga nënkryetarët e degës – Kryetar; sekretarin për çështjet zgjedhore dhe aksionin elektoral në degë – Sekretar; sekretarin organizativ të degës – Anëtar. Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse”, përcaktoi dje Kryesia e PD-së. Për të votuar, një anëtari të PD-së i duhet një mjet identifikimi (ID, pasaportë ose patentë) dhe nëse nuk ka emrin në listë, duhet të nxjerrë edhe kartën e anëtarësisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Debati me dyer të mbyllura në Kryesinë e PD

Si u ndanë qendrimet e demokratëve për kandidatët?