MENU
klinika

I kërkonte para për…

55-vjeçari vrau të motrën sa ishte kthyer nga Gjermania

08.06.2021 - 11:21

Një 55-vjeçar në Shkodër mund të ketë jetuar për dy ditë më radhë me motrën të vrarë brenda banesës në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit verior.

Autori i dyshuar i krimit është Fabian Vuka, i cili i mori jetën motrës së tij 58- vjeçare, Diana Vukaj, e kthyer pak ditë më parë nga Gjermania.

Policia e gjeti autorin e dyshuar të krimit në shtëpi, ndërsa motra ishte e pajetë në shtratin e dhomës së saj të gjumit.

Krimi i rëndë dyshohet të ketë ndodhur më 4 qershor dhe u zbulua nga Policia dy ditë më vonë, pas telefonave së të afërmve të viktimës pasi kishin humbur kontaktet me të. Në shtëpinë e viktimës Policia gjeti edhe 6 shishe birre 1.5 litërshe, të cilat janë konsumuar nga autori i dyshuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin që ka kryer vrasjen.

Sipas burimeve nga vendngjarja, autori i dyshuar, Fabian Vuka, ishte një person i alkoolizuar gjatë gjithë kohës, si dhe luante bixhoz në vijimësi. Gjithashtu Fabian Vukaj ishte edhe i papunë, çka e ka shtyrë të motrën t’i dërgonte çdo muaj një shumë prej 300 eurosh për ta ndihmuar.

TELEFONATA

Diana Vukaj kishte një javë që kishte ardhur nga Gjermania për të vizituar vëllanë e saj në Shkodër, si dhe për të kaluar disa ditë pushime në plazhin e Velipojës. Pas ardhjes nga Gjermania, ajo kishte bërë porosi për mobilimin e shtëpisë së pushimit në Velipojë dhe banesës ku jetonte i vëllai në Shkodër.

Porositë, sipas burimeve, kapnin shifrën e rreth 4 mijë eurove. Pak ditë më parë autori i dyshuar i vrasjes ka telefonuar kompaninë ku motra e tij kishte bërë porosinë e mobilieve duke lëshuar një lumë sharjesh ndaj tyre.

Dyshohet se 55-vjeçari i ka kërkuar para së motrës, duke mos pranuar blerjet e orendive. Për këtë arsye, vëlla dhe motër kanë debatuar mbrëmjen e 4 qershorit, duke shkaktuar edhe vrasjen. Autori i dyshuar ka telefonuar sërish kompaninë e mobileve dhe orendive, duke u thënë atyre në telefon se: “A doni me fol me motrën time, nuk keni ku ta merrni, s’keni shans të flisni më me të”, duke nënkuptuar se e kishte vrarë.

Pas vrasjes, gjatë së shtunës por edhe së dielës, sërish nën efektin e alkoolit, shtetasi Fabian Vuka ka dalë në lagje duke u thënë të tjerëve se: “Kam vrarë motrën, e kam në shtëpi të vdekur”.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, askush nuk e ka marrë seriozisht për shkak se njihej si person i paqëndrueshëm për shkak të konsumit të vazhdueshëm të alkoolit.

Ajo që ka detyruar Policinë lokale të ushtronte kontroll në banesën e familjes Vuka kanë qenë telefonatat e mikes së të ndjerës, pasi Diana nuk i përgjigjej më në telefon, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme.

NGJARJE E PARALAJMERUAR

Diana Vuka kishte probleme të vazhdueshme me vëllanë e saj dhe madje kishin përfunduar edhe në Polici. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo është kërcënuar me vrasje nga 55-vjeçari.

Në atë kohë e ndjera kishte telefonuar një miken e saj duke i treguar për rrezikun:

“Eja se Fabiani ka bërë planin për të më vrarë”, mësohet t’i ketë deklaruar ajo.

Pas kësaj ka ndërhyrë Policia, pa ndërmarrë ndonjë masë ndaj agresorit dhe duke e mbyllur çështjen me pajtim midis tyre. Ndërkohë, rreth tri vite më parë, Fabiani Vuka ka rrahur të motrën. Pas ngjarjes, ajo bëri denoncim në Policinë lokale, por më pas e tërhoqi atë.

E shkuara e autorit të dyshuar

Sjelljet agresive të 55-vjeçarit Fabian Vukaj janë të hershme. Madje ai ka qenë i dënuar me 10 vite burg në rininë e tij gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak.

Në atë periudhë, sipas burimeve të “Panorama”, mësohet se Vukaj ka plagosur një tjetër ushtar, duke kryer më pas edhe dënimin prej 10 vitesh. Pas daljes nga burgu, ai bëri një jetë problematike i varur nga alkooli dhe bixhozi, duke mos u martuar. Ai jetonte vetëm në banesën e familjes shumë pranë qendrës së qytetit të Shkodrës.

Fabian Vuka u arrestua brenda oborrit të shtëpisë, ndërsa Policia ka gjetur edhe armën e krimit tip pistoletë me silenciator, me të cilën kreu vrasjen, gëzhoja si dhe disa prova të tjera.

Fakti që e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator ka bërë që komshinjtë të mos dëgjojnë asgjë, ndaj edhe viktima ka qëndruar dy ditë e pajetë në shtëpi.

Viktima do të festonte 58-vjetorin e lindjes më 7 qershor, por jeta e saj u ndërpre tragjikisht në mes nga i vëllai. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje tragjike në Shkodër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gruaja kishte humbur kontaktet me të afërmit

Krim i rëndë në familje, vëllai vret me armë zjarri motrën