MENU
klinika

Rruga për të dal nga kriza e pandemisë

A mund të bashkëpunojë Evropa me refugjatët?

20.06.2021 - 20:19

Pandemia nuk ka qenë e thjeshtë për askënd, sidomos për refugjatët. Shumë prej tyre, të cilët janë të varur nga komuniteti për të përfituar shërbimet, janë përballur me politikat anti-COVID që favorizojnë izolimin.

“Edhe para pandemisë, nuk ishte e lehtë të kuptoje sistemin mjekësor apo atë bankar,” thotë Dr. Haytham al-Hamwi, koordinator i Rethink Rebuilt Society, një fondacion bamirësie në Mbretërinë e Bashkuar, i fokusuar në përmirësimin e kushteve të refugjatëve.

“Për të sapoardhurit, problemi ishte se kur ata haseshin me vështirësi, mund të takonin dikë ballë-për-ballë, ndërsa tani detyrohen vetëm online ose me telefon. Sigurisht, i ka bërë gjërat më të vështira.”

Al-Hamwi, i cili ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për 13 vite, fillimisht për të kryer studimet e doktoratës e më pas si refugjat i luftës në Siri, ka vënë re se shumë njerëz, të cilët nuk e dinë gjuhën, vareshin nga të tjerë të cilat kishin aftësi dhe eksperiencë – por pandemia i ka vënë një pauzë të gjithë kësaj.

Ai shton se: “Ndonjëherë mund të gjesh njerëz që të ndihmojnë duke të të shoqëruar për në bankë apo në qendrën e punës – por tani duhet të gjesh vetë një rrugë. Ama sërish, çdo gjë është e mbyllur.

20 qershori është Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve dhe Kombet e Bashkuara janë të fokusuar në fuqinë e gjithëpërfshirjes. Ata i inkurajojnë shtetet të ndërtojnë politika më gjithëpërfshirëse për refugjatët në sistemin shëndetësor, shkollat si edhe sportin, si një mundësi për t’u rimëkëmbur nga pandemia të gjithë së bashku.

‘Rrethi vicioz’

Studime si nga Universiteti Lund i Suedisë ashtu edhe në Norvegji tregojnë se refugjatët në Evropë përballen me shumë sfida për të hyrë në tregun e punës.

“Problemi më i zakonshëm është gjetja e një punë – është më e vështirë për ta të vazhdojnë në punët e tyre të mëparshme duke qenë se i duhet të bëjnë dhjetëra teste kualifikuese,” tha al-Hamwi, duke shtuar se edhe nëse je mjek në Siri për 30 vite, në Mbretërinë e Bashkuar të duhet të fillosh karrierën tënde nga fillimi. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për profesionet e tjera.

“Shumë punëdhënës kërkojnë eksperiencë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilën ti nuk ke si ta fitosh pa punuar, ndaj është një rreth vicioz. Nuk është e pazakontë të shohësh refugjatë tejet të kualifikuar të vuajnë nga depresioni apo ankthi.”

Atëherë kush është përgjigja?

Për al-Hamwin gjenden disa. E para është të shmangen politikat që kërcënojnë dërgimin e refugjatëve (sidomos të Sirianëve) mbrapsht në vendet e lindjes, të paktën në të ardhmen e afërt.

Kjo “do të rriste stresin e sirianëve të cilët përjetojnë pasigurinë që i reflektohet edhe ne probleme psikologjike,” duke ju referuar vendimit të Danimarkës për të kthyer qindra refugjatë sirianë mbrapsht.

Duke vazhduar, al-Hamwi sugjeroi që të ndërtohej një plan integrimi i cili do t’i lejonte qytetarët sirianë të kualifikuar të bënin punë vullnetare në fushat ku kanë studiuar.

“Ka shumë mundësi për njerëzit e kualifikuar për të bërë punë vullnetare në profesionin e tyre – kjo përshpejton edhe procesin e njohjes së anglishtes dhe i ndihmon të njohin sistemin më mirë.”

Al-Hamwi shtoi gjithashtu se ky program do të kishte një efekt të rëndësishëm në ndryshimin e mentalitetit të shoqërisë ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve në përgjithësi.

“Përse të mos i përdorim aftësitë e tyre në të mirë dhe përfitim të shoqërisë? Kjo do të përmirësonte atmosferën rreth refugjatëve, do të ulte krimet e urrejtes dhe do të pakësonte këndvështrimet negative rreth refugjatëve dhe emigrantëve.”