Do të mblidhet sot rreth orës 12:00 Asambleja e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese, ku pritet shkarkimi i Voltana Ademit si kryetare e SHBSH.
Ademi shprehet se ata nuk kanë të drejtë të ndërmarrin një veprim të tillë, duke theksuar se kryetarët e rinj të bashkive nuk janë anëtarë të shoqatës. Në 30 qershor mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca për zgjedhjet e 30 qershorit.
Me shkarkimin e Ademit shoqata e bashkive do të përfaqësohej me një kryetar të ri socialist, që do të mbante një tjetër qëndrim në Kushtetuese lidhur me çështjen. Më herët sot SHBSH u është drejtuar me një letër ambasadorëve dhe Misioneve të Huaja në vendin tonë, ku denoncohet kapja nga individë të PS.
LETRA
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, përmes një letre drejtuar ambasadorëve dhe Misioneve të Huaja në Shqipëri, ka shprehur edhe një herë shqetësimin për kapjen e SHBSH-së nga individë të Partisë Socialiste.
Shoqata në fjalë ka publikuar edhe një email, që sipas SHBSH vërteton pretendimet e saj.
Në emailin që mban datën 7 qershor dhe u drejtohet anëtarëve të Komitetit Drejtues të Shoqatës së Bashkive, thuhet se me porosi të Pjerin Ndreut do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme me qëllim mbrojtjen e interesave të shoqatës gjatë përfaqësimit në Gjykatë Kushtetetuese lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
“Të nderuar Shkëlqesi, Më datën 24 maj 2021 përmes letrës dërguar në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ndamë me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH. Dyshimet tona tashmë u vërtetuan nga një email i komunikuar, tekstin e të cilit po e dërgojmë të plotë bashkangjitur”, thuhet në shkresën e Shoqatës së Bashkive.