MENU
klinika

Thjeshtohen procedurat për ish-pronarët

ATP heq detyrimin për hartat shoqëruese

16.06.2021 - 13:04

Agjencia e Trajtimit të Pronave vijon të lehtësojë procedurat për kompensimin e pronave. Gjatë vitit të shkuar janë bërë disa ndryshime në ligjin për kompensimet, ku një ndër pikat kryesore është shmangia e zvarritjeve për aplikantët dhe reduktimi i dokumenteve. Nga ana tjetër edhe Gjykata e Strasburgut në detyrimet e lëna për ATP kërkon që, të thjeshtohen procedurat për kompensim dhe të arrihet shqyrtimi sa më parë i çështjeve të lëna pezull.

Kështu, në një raport të publikuar së fundmi, Agjencia e Pronave bën me dije se pronarët nuk do të kenë më si detyrim të paraqesin hartat shoqëruese të sipërfaqeve, për të fituar të drejtën e kthimit apo kompensimit të pronave. Sipas të dhënave, nga ky lehtësim do të përfitojnë mbi 8 mijë familje. Ndërkohë, sqarojmë këtu se, ky ndryshim vlen për ato raste kur prona është vlerësuar njëherë për vlerën financiare të saj dhe ndodh që ajo është zënë nga shkaqe natyrore. Më parë këto çështje shkonin në gjykatë dhe pronari duhet të paraqiste një hartë të re, por tani do të vlejë vlerësimi i parë i bërë nga komisioni.

“Heqja e detyrimit të hartave shoqëruese në fazën e ekzekutimit të vendimeve për rastet kur prona është zënë nga liqenet artificiale dhe kur prona është vlerësuar me vlerë financiare nga ish-komisionet. Nga këto ndryshime do të përfitojnë rreth 8.049 subjekte të cilat kanë mungesë të hartës. Gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjithë subjektet janë të detyruar të dorëzojnë hartën e vendimit pasi më parë duhet të drejtoheshin në gjykatë për ta ribërë këtë”, sqaron Agjencia e Pronave.

Lehtësi të tjera

Agjencia e Pronave do të aplikojë dhe një sërë lehtësish të tjera për ish-pronarët që presin të kompensohen. Sipas të dhënave, nga ky vit do të hiqet edhe bashkimi i vendimeve për kompensimin e një subjekti. Ndërsa bën të ditur se nga ky vendim do të përfitojnë mbi 3 mijë familje, ATP sqaron se deri më tani ndodhte që për një subjekt me emrin e të njëjtit aplikues që ishin dhënë dy vendime, në kompensimin përfundimtar ai të merrte vlerë shumë të ulët. Kështu Agjencia ka vendosur që të lihet një vendim dhe pronari të kompensohet me vlerën më pozitive.

“Heqja e bashkimit të vendimeve që kanë njohur të drejtën për kompensim. Rezultojnë rreth 3. 708 vendime ku një subjekt ka minimalisht dy vendime me të njëjtin emër ish-pronari. Bashkimi i vendimeve për subjektet që kishin një vendim me vlerë pozitive dhe një vendim me vlerë të ezauruar (negative), i ndalonte subjektet të shprehnin interesin për të aplikuar, pasi iu ulej vlera financiare që duhet të përfitonin”, thuhet në raport.

Ndër të tjera, bëhet me dije se, ATP do të publikojë ato vendime, të cilat kanë mangësi me dokumentet, për t’iu dhënë mundësi pronarëve të aplikojnë edhe një herë tjetër me dokumentacion të plotë. Edhe ky vendim sjell sërish shmangien e gjykatave për kompensim pronash, por çështjet mund të zgjidhen mes aplikantit dhe agjencisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN