I braktisur de fakto nga Lulzim Basha dhe partia e tij Sali Berisha i është përveshur njërës prej atyre betejave që atë e ndjellin më shumë, pikërisht se ngjajnë krejtësisht të pamundura. Në atë që e konsideron si përpjekje për kthimin në vend të nderit dhe dinjitetit të nëpërkëmbur, ai ka angazhuar me sa duket lobistë përtej oqeanit, për të zbutur sadopak efektin e tmershëm të shpalljes non grata nga sekretari i shtetit, Antony Blinken.
Dhe në këtë luftë të madhe ka arritur të hedhë disa hapa të vegjël. Gjatë një ballafaqimi në komisionin e jashtëm të kongresit, republikani, Lee Zeldin, me pyetjet që i bëri sekretarit të shtetit, tregoi se Blinken ishte shumë pak i informuar për atë çka kishte nënshkruar me Berishën. Ai madje premtoi transparencë për kongresmenët apo gazetarët, ndonëse departamenti që ai drejton ka refuzuar ta bëjë deri më tani këtë. Shumë interesante qe edhe rrëshkitja dhe mosmarrja e përgjegjësisë nga Antony Blinken, lidhur me implikimin e multimiliaderit Xhorxh Soros në këtë vendim.
Pra, pas këtyre miningjarjeve, po të ishte një militant i Berishës do të kishe më shumë argumenta për të besuar në një komplot apo padrejtësi që po i bëhet njeriut që udhëhoqi vendin pesë vite si president dhe tetë të tjerë si kryeministër. Mekanizmat që ai dhe njerëzit pranë tij kanë vënë në punë po i japin disa fryte për të ngritur pikpyetjet e një konspiracion. Po ti shtosh këtyre edhe disa artikuj të botuar në media periferike amerikane, ku gjithmonë opozita shqiptare ka arritur të gjejë hapsira, iluzioni se e vërteta mund të rivendoset në vend bëhet edhe më i fortë për berishistët.
Por, në fakt, nuk është aspak kështu. Sepse, së pari, në betejën mes lobistëve të pushtetit dhe atyre që mbrojnë kundërshtarët e tij, fitorja e të parëve është e garantuar. Po të mendosh pastaj edhe faktin se regjimi i Ramës, të ardhurat maramendëse që disponon dhe lidhjet personale që ai ka, janë pakrasueshmërisht të pabarabarta, rezultati merret me mend lehtë.
Pra ndonëse arrin të prodhojë ndonjë lajm, ndonëse ia del të bëjë për vete ndonjë kongresmen apo senator, ndonëse grish për të menduar ata që duan ta bëjnë këtë me kokën e tyre pa u përkulur përpara fermaneve të hipefuqisë, Sali Berisha e ka të humbur këtë betejë. Ai zor se do ta shlyejë dot njollën që i vunë.
Por në këtë lojë, për publikun e gjërë, nuk është me interes, as fati personal i liderit historik të PD-së, as nëpërkëmbja e nderit dhe dinjitetit të tij. Në këtë rast ato kanë peshën e çdo qytetari të thjeshtë, madje ndoshta edhe pak më të vogël, duke u nisur nga historia plot njolla e Berishës dhe nga postet që ai ka mbajtur.
Në këtë kontekst, për ne, e rëndësishme është koha që u zgjodh për ta shpallur Berishën non grata dhe motivimi që e përligji këtë akt menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Të para në këtë këndvështrim, ato nuk janë asgjë më shumë sesa një mbështetje e hapur për regjimin e Edi Ramës. Një tentativë për të shuar çdo kundërshtim radikal ndaj vjedhjes së votës. Një politikë e qartë e privilegjimit të stabilokracisë në kurriz të demokracisë.
Ky pra është rezultati real i goditjes në këtë moment të Berishës, dobësimi edhe më i një opozite që edhe kështu gjendet me një këmbë në var.
Prandaj, ngazëllimet e vogla për pyetjet e ndonjë kongresmeni, apo duartroktijet për ndonjë shkrim në media periferike, nuk kanë asnjë vlerë. As fakti se Blinken doli bllof kur u përgjigj për Lee Zeldin, as ripërsëritja në Washington Times e tezës se Xhorxh Soros ka qenë i implikuar në këtë puç, nuk e zhbëjnë peshoren tashmë të përmbysur të ekuilibrave politike. Ato mund të jenë një mehlem për të qetësuar krenarinë e cënuar dhe nderin e humbur të doktorit, por aspak një vaksinë “made in USA” kundër virusit që po dërrmon demokracinë shqiptare. Sepse përkundër shumë bestytnive historike, ndoshta këtë herë, shpëtimin nuk do ta presim të vijë nga Amerika.