Një tjetër episod asapak i pranueshëm për turizmin shqiptar është regjistruar në fundjavë, në jug të vendit. Video është bërë virale në rrjetet sociale; dy persona i dalin para makinës një çifti pushuesish që ishin larguar nga hoteli një ditë para rezervimit.
Një ngjarje si ajo e biznesmenit Mihal Kokëdhima, i cili dy vite më parë iu hodh para makinës turistëve nga Spanja dhe eci për disa metra mbi kofano. Ngjarja u pasqyrua dhe në mediat e huaja dhe për pasojë restoranti në pronësi të tij u shkatërrua.
Një ngjarje pothuajse e njëjtë është regjistruar në Livadhja, ku pronarja e një hoteli i ka dalë para çiftit të turistëve që kishin qëndruar në hotelin e saj, ndërsa aty afrohet dhe një person tjetër, që po ashtu tenton t’i ndalojë.
Turistët kishin bërë rezervim për tre ditë, por të pakënaqur nga kushtet, janë larguar një ditë më para. Pronarja e hotelit u është vënë pas me makinë dhe iu ka bllokuar rrugën. Ajo pretendon se çifti u ka djegur çarçafët. Më e tronditura nga kjo ngjarje, është një vajzë e vogël e çiftit që qan brenda makinës.