Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, këmbëngul se ka ‘zero fakte’ pas akuzave për korrupsion të ngritura së fundmi kundër tij nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke thënë se vendimi që i ndalon hyrjen në SHBA është bazuar në ‘dizinformacion’ nga organe të financuara nga filantropi miliarder George Soros.
Në një zhvillim të fundit në konfliktin midis administratës Biden dhe një ish-aleati të profilit të lartë të SHBA-së në përpjekjet për promovimin e demokracisë në Ballkan, zoti Berisha premtoi në një intervistë me “The Washington Times” se do t’i luftonte akuzat e pabaza.
Ai tha se avokatët e tij po përgatisin një padi për fyerje kundër zotit Blinken në një gjykatë europiane. Një personazh i skenës politike postkomuniste në Shqipëri, Berisha ka sfiduar hapur administratën Biden të tregojë prova për pretendimet kundër tij dhe deklaroi se zyrtarët amerikanë do të bënin mirë të fokusoheshin në rivalët e tij politikë, përfshirë Kryeministrin aktual Edi Rama, i cili është kryetar i Partisë Socialiste.
“Kam bindjen e thellë se kjo deklaratë kundër meje është bazuar tërësisht në informacion të gabuar që zoti Sekretar i Shtetit, Antony Blinken, ka marrë nga një proces lobimi i korruptuar që përfshin Edi Ramën dhe George Soros, të cilët janë miq të afërt”, tha Berisha.
“Ata nuk kanë fakte. Asnjë fare. Sikur të bënin të ditur ndonjë, do t’u isha mirënjohës. Por ata nuk kanë prova konkrete të bazuara në fakte, jo në manipulime e shpifje”, është shprehur Berisha.
Berisha, i cili deklaroi pafajësinë në një letër drejtuar zotit Blinken, foli me “The Washington Times” rreth një javë pasi Sekretari i Shtetit e deklaroi politikanin 76-vjeçar shqiptar – Presidenti i parë postkomunist i vendit në fillim të viteve ‘90 dhe më pas Kryeministër nga 2005 deri në 2013 — persona non grata. Departamenti i Shtetit nuk ofroi detaje për të mbështetur akuzat për korrupsion kundër zotit Berisha. Ai refuzoi edhe të bënte komente për deklaratën e zotit Berisha se vendimi për ndalimin e tij të hynte në SHBA ishte bazuar mbi informacion të rremë të dalë nga organet e medias të financuara nga Soros.
Një zëdhënës i Departamentit që dëshiroi të mbetej anonim tha për “The Times” se ‘kur Sekretari i Shtetit siguron informacion të besueshëm se një zyrtar është përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion sinjifikativ apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, atëherë Sekretari është i detyruar (nga ligjet e SHBA) ta përcaktojë apo identifikojë atë zyrtar dhe anëtarët e afërt të familjes ‘non grata’”.