”Vdekja më vjen prej syve të tillë” nga Rexhep Qosja – Fragment
Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, is hpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij.
Nga Ag Apolloni
Sot shkrimtari Rexhep Qosja i bën 85 vjet. Sa mirë që Kolegji AAB u kujtua t’ia festonte ditëlindjen. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk ka organizuar ndonjë gjë, edhe pse ai është akademiku më i njohur i saj.
Viteve të fundit shpesh kam dëgjuar se Rexhep Qosja nuk e meriton rrogën nga Akademia, sepse nuk shkon aty prej vitesh. Është e vërtetë që ai nuk shkon aty, dhe dihet pse. Akademia është e mbushur me njerëz të partisë që vazhdojnë ta sulmojnë në mënyrat më të ulëta për dekada me radhë. Ata kanë aktivizuar gazeta, revista, televizione, portale kundër tij. Kanë shkruar libra kundër tij. Kanë shpifur në mënyrat më të ulëta kundër tij. Si mund të shkojë Qosja në Akademi, kur atje edhe mund ta kërcënojnë, siç pati ndodhë në Fakultetin e Filologjisë para disa vitesh nga një (tash) poet-deputet i LDK-së, të cilin, derisa e drejtonte seancën e Seminarit, Qosja e pati falënderuar për (tekstualisht) “këtë kumtesë për letërsinë e mahallës”. Pak vite para atij “incidenti”, një haxhi-drejtor i Institutit që vinte po nga kjo parti, ia pati thyer zyrën profesor Qosjes, librat, dorëshkrimet ia pati futur në thasë bërllogu dhe vetë profesorin e pati nxjerrë jashtë, ndërsa një punonjës shkencor i po kësaj partie, po në këtë Institut, endej nga kafja në kafe duke thënë “u kon tu m’rreh Rexhep Qosja, ke tu ma hi flakareshë”. Besoj që e kujtoni mirë, se kjo ka ndodhë pas luftës dhe pas vdekjes së Rugovës. Po të mos alarmonin mediat e Shqipërisë dhe po të mos ndërhynte kryeministri i atëhershëm, Agim Çeku, Rexhep Qosja kurrë s’do të mund të kthehej në Institut.
Duke pranuar në Akademi vetëm njerëz të kësaj partie, që në kampanja politike të mund të quhen “parti akademikësh”, e kanë kthyer Akademinë në çerdhe politike. Në Rusinë e Putinit, kur disa intelektualë të kabinetit të tij kanë dashur të bëhen akademikë, ai i ka thirrur dhe u ka thënë: “ja do të jeni pjesë e Kabinetit, ja e Akademisë, në të dyja s’mund të jeni.” Mirëpo, në Kosovë mund të jesh në të dyja e në të trija, veç bëhu servil.
Mos harroni se në Akademi janë plot njerëz që s’e meritojnë, e nuk janë plot të tjerë që e meritojnë. Është duke ndodhur si në Akademinë e Athinës në shekullin e kaluar, kur artistët, shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur nuk ishin pjesë e saj. Kur u kujtuan ta thërrisnin poetin Odysseas Elytis të anëtarësohej, ai i injoroi dhe, pak vite më vonë, u nderua nga Akademia e Stokholmit.
Rexhep Qosja nuk mund të shkojë në Akademi, sepse është njësoj sikur të shkojë në zyre të LDK-së. E kuptoni sa i mirëpritur do të ishte. Pse e merr rrogën e Akademisë? Akademia është institucion nderues, që ti edhe nëse nuk shkon, ose s’mund të shkosh (p.sh. paralizohesh), e ka për borxh të ta japë rrogën, nëse je anëtar i saj. A duhet të japë dorëheqje Rexhep Qosja prej Akademisë? Mendoj se kohëve të fundit ai e ka denoncuar mjaftueshëm partiakizimin e Akademisë, kështu që dorëheqja e tij është krejt e natyrshme. Pse të mos largohet nga një institucion ku s’e lënë të afrohet?
Qosja nuk shkon në Akademi, sepse ai është Akademi. E kuptoj Qosjen pa Akademinë, s’e kuptoj Akademinë pa Qosjen.
Më poshtë një pjesë nga libri im, “Parabola postmoderne”:
Rexhep Qosja si studiues i letërsisë, që i njeh të gjitha metodat letrare që janë aplikuar në letërsinë shqipe dhe, i cili, sipas Sabri Hamitit, ka meritën për përmbysjen e metodës së realizmit socialist në letërsinë shqipe (2003: 7), ndërsa, sipas Ibrahim Rugovës, shpesh ka zgjidhur probleme vitale në letërsi (1974: 1102) – aplikon metodën integrale në studimet dhe në romanet e tij, të cilat, në raport me prozën shqipe, duhen parë si një paradigmë, që nuk i ngjajnë askujt.
Për praktikën e parë postmoderne në letërsinë shqipe, sado që nuk përmendet termi postmodern, flet edhe një shkrim i Ali Aliut, i cili qysh në vitin 1974 e vlerësonte prozën e Rexhep Qosjes si një fenomen të ri dhe në vete, duke shtuar se ajo bën trajtimin më të thellë dhe më kompleks deri më sot në prozën tonë (1974: 1904). Sipas këtij kritiku, Rexhep Qosja me romanin e tij të parë ishte bërë i pari i letërsisë shqipe. Aliu e kishte hetuar edhe poetikën e kombinimit, por pa mundur ta tipologjizojë.
“Vdekja më vjen prej syve të tillë”, duke qenë një model i ri i shkrimit letrar shqip, është mirëpritur edhe nga komuniteti artistik frëng. “Ky libër na ra nga qielli si një meteor. Një objekt letrar jo i zakonshëm,” shkruan gazeta Le Monde (Zand 1994), kurse në Le Journal de Seine et Loire thuhet se Rexhep Qosja është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, kurse romani i tij – një kryevepër (1994). Frédéric Vitoux shprehet: Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i botuar më 1974, ka ngjallur urrejtjen e zyrtarëve serbë. Fatmirësisht (ose fatkeqësisht) në Shqipërinë staliniste, maoiste apo hoxhiste të kohës, ai qe rreptësisht i ndaluar. Shkurt, askush nuk mund ta lexonte Rexhep Qosjen. Prapëseprapë, ky shkrimtar është i madh. I pari që u bind për këtë ishte padyshim vetë Kadare (Vitoux 1994). Vetë Ismail Kadare shkruan: Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar (1994: 7), ndërsa Vdekja më vjen prej syve të tillë është një vepër me inspirim kafkian (1994: 10); një roman që prish qetësinë (1994: 8); një vepër që profetizon apokalipsin (1994: 21); dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare.
Profili i Rexhep Qosjes është poliedrik. Gjatë karrierës së tij ai është marrë me: studime letrare, prozë, dramë, ese, publicistikë, politikë etj. Meqenëse fama, sipas Rilkes, është shuma e keqkuptimeve që mbështillen rreth një emri, Qosja si personalitet i famshëm është nderuar dhe është kritikuar. Pavarësisht kësaj, ai nuk ka rënë viktimë e komplimenteve, as e kritikave. I cilësuar nga kritika e huaj si Havel i Kosovës, Voltaire i Ballkanit, Kafka i Lindjes, Rexhep Qosja, me jetën dhe veprën e tij, ka ditur të mbetet i veçantë, origjinal.