MENU
klinika

Objekt hetimi, vendimi i Këshillit të Bashkisë Tiranë

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot “Teatrin”

16.06.2021 - 08:49

Gjykata Kushtetuese do të mbajë sot seancën e tretë të gjyqit për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në seancën e djeshme, kushtetuesja pranoi kërkesën e presidencës për zgjerimin e objektit të hetimit për prishjen e teatrit. Kjo kërkesë, iu bë anëtarëve të Kushtetueses, nga këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi nga togat e zeza, që të shpallë si antikushtetues vendimin për prishjen e teatrit dhe të kërkojë pezullimin e veprimeve të mëtejshme për të ndërtuar teatrin e ri. Gjatë seancës trupa gjykuese i tërhoqi vëmendjen qeverisë që të respektojë afatet e lëna në dispozicion për dërgimin e dokumenteve të kërkuara si palë e interesuar.

“I dhamë kohë qeverisë për të sjellë dokumente. Nuk i sollën në afatet e përcaktuara nga Gjykata. Edhe Presidencës ia kemi përcjellë jashtë afatit. Tërheqim vëmendjen e të gjithëve për mosrespektimin e afateve”, kanë thënë gjykatësit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, ka thënë se nuk janë administruar të gjitha provat që ka kërkuar Presidenti i Republikës. “Rezulton se nuk janë administruar të gjitha provat që kërkoi Presidenti i Republikës”, tha Dervishaj.

Mungesa e kohës për të marrë në shqyrtim provat e reja shtesë të sjella nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, bëri që Gjykata Kushtetuese të caktojë shtyrjen për sot në orën 10:00 të seancës së radhës për shqyrtimin e çështjes së prishjes së Teatrit Kombëtar.

Prova e re shtesë që erdhi si pasojë e kërkesës së presidencës dhe që u bë pjesë e objektit të hetimit ishte vendimi për prishjen e godinës së teatrit nga Këshilli i Bashkisë së Tiranës që mban datën 14.05.2020. Në këtë mënyrë, Gjykata pranoi të vetmen kërkesë të bërë nga pala paditëse, e cila përmes përfaqësuesit ligjor të saj pretendon se mbi 60 për qind e dokumenteve dhe provave të kërkuara prej saj mungojnë. Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta kundërshton ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri, si dhe kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Palët në proces janë Presidenti si kërkues, kundër Kuvendit, qeverisë dhe Bashkisë Tiranë. Gjithashtu edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është palë e përfshirë në këtë proces.

DEKLARATA

Ne paraqitëm pas administrimit të provave shtesë që solli Këshilli i Ministrave në datë 8 qershor dhe shqyrtimit të tyre nga ana jonë. U njohëm me në fund me kopjen e aktit që ka ndërmarrë dhe vendosur prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar, pra vendimin e Këshillit Bashkiak të datës 14 maj 2020, të orëve të vona. Pasi u njohëm me këtë akt ne e bëmë pjesë të shqyrtimit kushtetues duke i kërkuar gjykatës shtimin e objektit për deklarimin antikushtetues të këtij vendimi të Këshillit Bashkiak dhe pezullimit të zbatimit të tij (jo për prishjen, se ajo ndodhi), por për pezullimin e ndërtimit të atyre godinave bashkëkohore që kanë dhe kullave mbrapa derisa ky objekt gjykimi kushtetues të përfundojë. Kjo ishte kërkesa e sotme që Gjykata e pranoi dhe u dha kohë palëve të tjera, pra Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë që nesër të paraqesin pretendimet e tyre mbi këtë kërkim tonin shtesë.

Ndërkohë, palët e interesuara nuk sollën një sërë dokumentesh që ju kërkuat, çfarë mungonte nga kërkimi juaj paraprak në listën e dokumenteve të sjella?

Po unë do të thosha që mund rreth 60 për qind e dokumenteve të kërkuara. Po nis që nga kontrata e blerjes së truallit në vitin 1938. Që nis me projektin origjinal se si ishte Teatri Kombëtar. Që nis me qëndrimin që ka mbajtur Bashkia Tiranë për vendimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili kërkoi pezullimin e procedurave. Që nis me procesin e konsultimit dhe ndërmarrjen e nismës nga Ministria e Kulturës për “Ligjin Special” e shumë dokumente të tjerë, të cilët ishin të nevojshme por për këtë seancë gjyqësore ne bëmë këtë kërkim paraprak. Nesër do të vijojmë me shpjegimet e tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush është fajtori për bllokimin e saj dhe kur mund të jetë funksionale?

Gjykata Kushtetuese/ Ringritja e vështirë!