MENU
klinika

Transferimi

Kapiteni i Tiranës prezantohet te skuadra e re

14.06.2021 - 09:16

Provoi dy vjet më parë të luante jashtë, por një foto me shqiponjë irritoi klubin grek ku firmosi dhe Idriz Batha nuk pati mundësinë të tregonte aftësitë e tija. Tani Batha ka zgjedhur klubin e tij të ri dhe duket se shqiponja nuk i tërbon.

Destiancioni i radhës në karrierë është Rumania. Vlen të theksohet se 29-vjeçari do të luajë për herë të parë jashtë vendit, çka përbën një sfidë disi të vonë, por që duhet fituar. Klubi rumun UTA e prezanton kështu lojtarin në fjalë:

“Idriz Batha, një mesfushor qendror 29-vjeçar, është lojtar i yni. Ai vjen me një histori mbresëlënëse, duke luajtur mbi 30 ndeshje në secilin prej 7 sezoneve të fundit, pavarësisht nga ekipi ku është aktivizuar.

Në sezonet e fundit ka luajtur 6 ndeshje në kualifikueset e Ligës së Kampionëve dhe 8 ndeshje në Ligën e Europës. Ai, gjithashtu ka luajtur për Flamutarin, Partizanin dhe Besën në të kaluarën. Këtë verë u nda me Tiranën, ku ishte kapiten”.

Gjatë prezantimit, Batha tha: “Kam ardhur këtu kryesisht për familjen dhe për një sfidë të re, sepse është hera e parë që do të luaj jashtë. Kam luajtur në Shqipëri për dhjetë vite, mendoj se kam bërë shumë mirë dhe tani dua një përvojë të re. Fola me Simon Rrumbullaku, i cili më foli shumë mirë për Rumaninë dhe UTA, veçanërisht për tifozët”