MENU
klinika

Gjeniu, nuk e deshi botën!..

Maks Brod, “shpëtimtari” i Kafkës… Letërsisë së shek. XX!

03.06.2021 - 15:00

       Kanë kaluar thuajse 100 vjet nga vdekja e Franc Kafkës, më 3 qershor 1924, por gjurma e tij që la shkrimtari çek në kulturën tonë, vijon të jetë e dukshme. Falë romaneve dhe tregimeve të tij, shpesh të shtyra drejt caqeve të absurdit, Kafka i ka dhënë jetë një imagjinate të vërtetë. Prej këndej ka marrë spunto edhe neologjizmi “kafkian”, një term që përdoret jo vetëm në lidhje me autorin dhe veprat e tij, por edhe për të përcaktuar situata të caktuara./Konica.al

Biblioteka Kombëtare e Izraelit ka skanuar dhe ka bërë publike dokumente të shumta të shkrimtarit austro-hungarez, të rimarra pas një beteje të gjatë ligjore.

“Gjithçka që kam lënë në të vërtetë në fletore, dorëshkrime, letra, personale ose jo, etj., duhet të digjen pa kufizime dhe pa u lexuar, po ashtu të gjitha shkrimet ose shënimet që zotëron prej meje”. E tillë ishte dëshira e fundit e Franc Kafkës, shkrimtarit austro-hungarez, shprehur mikut të tij, Maks Brod, pak para vdekjes në 1924. E megjithatë… ai vendosi të mos e respektonte këtë dëshirë të fundit dhe ruajti gjithçka që mundi nga Kafka. Sot, pas një fati të trazuar, 120 vizatime dhe 200 letra marrë prej Brodit, tashmë janë të arritshme për të gjithë në faqen e internetit të Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.

I lindur në 3 korrik 1883 në Pragë, Franc Kafka, me besim hebre, ishte shumë i interesuar për letërsinë, megjithëse shkrimet e para të tijat, nuk u gjetën kurrë. Në vitin 1901, ai takoi shkrimtarin dhe gazetarin Maks Brod, me të cilin e ruajti miqësinë deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Më pas, Kafka botoi dy tregime të shkurtra: “Metamorfoza” (1915) dhe “Në koloninë ndëshkimore” (1919). Mirëpo, shëndeti fizik dhe mendor, ishte shumë i brishtë, çka bëri të vdiste nga tuberkulozi në 3 qershor 1924. Pa u mbushur viti, Brod vendosi të botonte “Procesi”. Një vepër që, më vonë do të konsiderohej si një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Vitin pasues, më 1926, ai botoi “Kështjella”, një roman të errët, që merrej me tjetërsimin e individit përballë burokracisë./Konica.al

An original drawing by Jewish German-speaking novelist and story writer Franz Kafka is displayed at the National Library of Israel in Jerusalem, on May 31, 2021. – The National Library of Israel’s Franz Kafka Papers are now online for the first time, following an intensive years-long process of conservation and restoration work, cataloguing and digitisation of the work of one of the major figures of 20th-century literature. (Photo by MENAHEM KAHANA / AFP)

Beteja ligjore midis trashëgimtarëve dhe Izraelit

Në vitin 1939, Maks Brodi u arratis nga Çekosllovakia e pushtuar nga nazistët në Tel Aviv, duke marrë me vete shkrimet, letrat dhe vizatimet e Kafkës. Ato që nuk mundi t’i merrte, do të shkatërroheshin nga Gestapoja. Më pas, në vitin 1968, Brodi ia la trashëgim punën e shokut të tij, sekretares së vet, Esther Hoffe, duke i kërkuar që t’ia përcillte dokumentet Bibliotekës së Tel Avivit ose ndonjë institucioni tjetër, kë të shikonte ajo të përshtatshëm. Mirëpo, sekretarja vendosi t’i mbante, duke i fshehur në disa vende të ndryshme, në shtëpinë e saj, në një kasafortë në Izrael dhe në një tjetër në Zvicër. Kur vdiq, vajzat e saj trashëguan thesarin dhe filluan betejën ligjore midis tyre dhe shtetit të Izraelit. Në vitin 2016, Gjykata e Lartë ia dha të drejtat pronësore Bibliotekës Kombëtare të Izraelit. Më pas, në vitin 2019, pas një vendimi të gjykatës zvicerane, arkivat e përfshira në kasafortë u kthyen në bibliotekë. Ndërsa shumica e veprave të kthyera janë botuar tashmë nga Brodi, zbulohen edhe surpriza të bukura, përfshirë këtu një portret i nënës së Kafkës të shkarravitur në një copë letër, si dhe një autoportret, apo disa shënime dhe reflektime nga shkrimtari. Një zbulim tjetër, është “një fletore blu, në të cilën Kafka ka shkruar në hebraisht”.

Më shumë se 120 vizatime dhe 200 letra nga Kafka, gjenden tanimë në internet, origjinali i testamentit të famshëm i shkrimtarit drejtuar Maks Brodit, duke i kërkuar atij që t’ia digjte dokumentet, është gjithashtu në dispozicion për konsultim. Nëse vendimi i Brodit lë vend për diskutim, atij i takon merita që Kafka, të njihej si një nga figurat kryesore letrare të shekullit XX./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit