Çmime më të lira dhe cikle më të shkurtra mode inkurajojnë blerësit që të blejnë shumë më tepër. Çfarë do të thotë kjo për planetin?
Kjo ndodh sepse industria e tekstileve është shndërruar në një prej ndotësve dhe nxitësve më të dëmshëm në planet. Merrni përshembull xhinset, veshja më e preferuar mbarëbotërore. Bërja e një pale të vetme xhinsesh kërkon deri në 10.000 litra ujë – sasi thuajse e mjaftueshme për të shuar etjen e një rrituri për 13 vite me radhë.
Moda, më e rrezikshme se aviacioni
Industria e modës është më e dëshme për mjedisin se sa vetë aviacioni. Shumë më e dëmshme! Në vitin 2018, udhëtimet ajrore – si të mallrave, ashtu edhe të pasagjerëve – numëruan një emetim të dioksidit të karbonit në shkallë botërore prej rreth 2.5 %. Industria e modës ishte përgjegjëse për një emetim 4 herë më të lartë.
Shkaktimi i ndotjes është vetëm njëra anë e medaljes. Krijimi i rrobave thith gjithashtu burime të shterueshme, duke përdorur rreth 93 miliardë kub ujë në vit. Pambuku, një nga materialet bazike më të preferuara të kësaj industrie, është përgjegjës për përdorimin e 2.6% të përdorimit botëror të ujit.
Sipas një studimi të fundit, ka rezultuar se industria e tekstilit është kthyer gjithashtu në kontribuesin kryesor të ndotjes nga mikroplastika. Kjo ndotje shkaktohet nga tekstilet sintetike si poliestra dhe najloni, të cilat shpërndajnë mikroplastikë, copëza të vogla plastike.
Këto fibra – shpesh shumë të vogla për t’u parë me sy të lirë – gjejnë rrugën drejt oqeaneve dhe dëmtojnë habitatin, duke ndryshuar sjelljen e të ushqyerit, duke ngadalësuar oreksin dhe bllokuar tretjen e gjallesave të detit. Ato përfundojnë gjithashtu në ujin dhe ushqimin tonë. Studiuesit vlerësojnë se një konsumator europian i frutave të detit merr bashkë me to edhe 11.000 copëza mikroplastike në një vit. Është ende e paqartë se çfarë dëmesh shkakton konkretisht kjo sasi në trupin e njeriut.
“Nuk i ha frutat e detit dhe s’më intereson moda”
Kjo nuk do të thotë se nuk ka përfitime nga industria e “modës së shpejtë”. Nuk ka rëndësi nëse garderoba juaj po “shpërthen” nga rrobat e shumta ose për Krishtlindje merrni si dhuratë vetëm një palë çorape. Mbiprodhimi në industrinë e modës i ka bërë rrobat e arritshme për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, duke mos lënë si mundësi zgjedhjeje vetëm çmimet e larta dhe të papërballueshme. Si përshembull: prodhuesi britanik Pretty Little Thing, i cili vitin e kaluar shiti një fustan për 0.11 Dollarë (0.09 Euro).
“Moda e shpejtë” është një model biznesi që inkurajon dhe nxit impulsin e blerjeve. Kjo, nga ana tjetër, nxit prodhimin e veshjeve. Nëse rritja e popullsisë do të vijojë sipas parashikimeve, disa ekspertë vlerësojnë se industria botërore e modës mund të shkojë nga 62 milionë tonë veshje të shitura në vitin 2017, në 102 milionë tonë në vitin 2030.
Veshje të përshtatshme për mjedisin
Disa stilistë po mendojnë të krijojnë veshje krejtësisht në favor të ruajtjes së mjedisit, por produkte të tilla nuk janë për xhepin e gjithkujt. Marka të njohura veshjesh i janë përgjigjur pozitivisht shqetësimeve ambientaliste dhe kanë hedhur në treg linja veshjesh të qëndrueshme. H&M, për shembull, krijoi koleksionin “Conscious” (Vetëdije), ku 50% e produkteve përbëhen nga material ‘eco-friendly’.
Por fjalë të paqarta dhe të papërcaktuara si: “vetëdije”, “etike” dhe “e qëndrueshme”, kanë sjellë akuza të reja për “greenwashing”, një strategji e rreme marketingu që reklamon përgjegjshmërinë ndaj mjedisit por në fakt vijon praktikën e dëmtimit të mjedisit.
Si duhet zgjidhur ky problem?
Së pari, duhet rregulluar legjislacioni. Për të pastruar industrinë e tekstilit, këto ligje duhen miratuar së pari nga ndotësit e mëdhenj si Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vende të cilat ishin tregu më i madh i modës për vitin 2019. Zgjedhja e presidentit Joe Biden në 2020-ën solli ngjyrime të reja në politikën amerikane, pasi ai iu ribashkua Marrëveshjes së Parisit për Klimën e dha sinjale për angazhim e më shumë transparencë. Se çfarë do të thotë kjo për industrinë e modës në SHBA, mbetet ende për t’u parë.
Nga ana e tij, Bashkimi Europian ka miratuar një plan veprimi ekonomik, i cili përcakton objektivat për të rritur riciklimin dhe pakësuar mbetjet në landfill-e. Qëllimi kryesor është detyrimi i shteteve anëtare të ndajnë veçmas mbetjet tekstile brenda vitit 2025. /DW