MENU
klinika

Ligjet

Në mesjetë, kafshët dilnin para gjyqit…

20.06.2021 - 11:20

       Një nga aspektet më të pazakonta të kohëve mesjetare, ishin kafshët para trupit gjykues… njëlloj si qeniet njerëzore. Ndërsa vërtetësia e shumë gjyqeve të tillla vështirë të verifikohet, është përtej çdo lloj dyshimi se disa syresh kanë ndodhur vërtet.

Të gjitha kafshët mund të dilnin para një gjykate laike ose kishtare, qoftë vetëm ose në grup. Kjo, pasi mund të gjykoheshin për një gamë të gjerë krimesh, nga vrasja, vrasja në bashkëpunim me kafshët e tjera, apo dëmtimi i të mbjellave dhe pronës.

Nëse shpalleshin fajtorë, kafshët fizikisht më të mëdha, do të dënoheshin me ekzekutim ose me dëbim nga fshati, apo qyteti, ndërsa ato më të vogla, do të shkishëroheshin ose do të denoncoheshin nga një gjykatë e kishës.

Një nga librat më të hollësishëm mbi këtë dukuri të çuditshme, titullohet “Ndëshkimi penal i i kafshëve” i Edmund P.Evans, botuar në vitin 1906. Sipas Evans, gjykimi dhe dënimi i kafshëve nuk ndodhte vetëm në nesjetë, pasi kjo praktikë është regjistruar edhe në qytetërime të kohëve të tjera.

Evans përmend romakët, që në një rast kryqëzuan një qen, si pjesë e festimeve në kuadër të përvjetorit të ruajtjes së Kapitolit, nga sulmi i galëve mbi Romë gjatë natës, një ngjarje që mendohet se ka ndodhur në vitin 390 para Krishtit. Pas mposhtjes së romakëve në betejën e Alias, galët sulmuan dhe plaçiktën Romën.

Ata rrethuan edhe Kapitolin, në një nga kodrat e qytetit. Ata gjetën një mënyrë për t’iu ngjitur kodrës dhe nuk u zbuluan as nga rojet, as nga qentë. Fatmirësht, romakët u lajmëruan nga patat e shenjta të perëndeshës Juno dhe ishin në gjendje t’i zmbrapsnin gaulët. Ndërsa patat, u përshëndetën si heroina, qentë u ndëshkuan për neglizhimin e detyrës.

Evans thotë se, në kohërat e lashta, në gjyq nxirresin përveç kafshëve edhe objekte. Ai sjell në libër, si shembull, gjykimin dhe dënimin e një statuje në Athinë. Statuja i përkiste Nikonit nga Tasosi, një atlet i famshëm i kohës. Rivalët që ishin xhelozë për suksesin e tij, e sulmuan statujën dhe e rrëzuan atë nga piedestali.

Njëri nga sulmuesit u shtyp për vdekje nga statuja. Sipas ligjit athinas, armët dhe të gjitha objektet e tjera që shkaktonin vdekjen e një personi, duhej të dënoheshin publikisht dhe të largoheshin përtej kufijve të qytetit. Kështu, statuja u nxor para gjykatës, u shpall fajtore dhe u dënua me hedhje në det.

Dokumentacioni më i hershëm i njohur, i gjyqit ndaj kafshëve në nesjetë, daton më 1266. Gjyqi u zhvillua në Fontenay-aux-Roses, jo shumë larg nga kryeqyteti francez Paris dhe kishte protagonist një derr, të akuzuar për vrasjen dhe ngrënien e një foshnje.

Gjyqi u mbikëqyr nga murgjit e Shën Zhenienës dhe kafsha u shpall fajtore, duke u dënuar me djegie në turrën e druve. Duket se gjatë mesjetës, ishte e paligjshme të ekzekutohej dikush pa gjykim, ndaj kafshët e dyshuara për kryerjen e krimeve të rënda, nxirreshin në gjyq para se të ekzekutoheshin.

Por, ky shpjegim është vetëm një nga të shumtit që janë sugjeruar mbi këtë fenomen të çuditshëm. Përgjatë viteve, studiues të tjerë kanë paraqitur hipotezat e tyre. Për shembull, një shpjegim është se disa kafshë besohej se kishin veti morale dhe prandaj ashtu si qeniet njerëzore, mund të bëheshin përgjegjëse për krimet që kryenin.

Në disa raste, kafshët visheshin me rroba si njerëzit, kur nxirreshin në gjyq. Kjo shihet, për shembull, në ekzekutimin e një derri të dënuar për vrasje në vitin 1386. Para ekzekutimit, derri ishte veshur me jelek, doreza dhe një palë të mbathura. Përveç kësaj, mbi kokë i ishte vendosur maska e një fytyre njerëzore.

Një tjetër hipotezë, sugjeron se evropianët e mesjetës, besonin se autoriteti mbi mbretërinë e kafshëve i ishte dhënë njerëzimit nga Zoti dhe se gjyqi, ishte një mënyrë për ta pohuar këtë. Një tjetër tezë, është se gjatë shekujve XII-XIII, zhvillimi i sistemit ligjor, solli në një tepri të numrit të gjyqtarëve dhe avokatëve.

Për shkak se nuk kishte punë të mjaftueshme për të gjithë, u vendos që kafshët e dyshuara për kryerjen e krimeve, të gjykoheshin ashtu si njerëzit. Megjithatë, një tjetër hipotezë pohon se avokatët mesjetarë i shihnin gjyqet ndaj kafshëve, si një mundësi për të treguar aftësine e tyre profesionale.

I tillë ishte shembulli i juristit francez të shekullit XV, Bartolome Shanase. Ai ishte avokati mbrojtës për një grup minjsh, të akuzuar se kishin ngrënë rezervat e elbit në një fshat. Ditën e gjyqit, minjtë nuk arritën të ishin të pranishëm dhe Shasene, përdori një argument dinak, për t’i justifikuar.

Ai argumentoi, se meqë minjtë lëviznin shpesh nga një fshat në tjetrin, ata ndoshta nuk e kishin marrë fletëthirrjen për në gjyq. Por edhe nëse do ta kishin marrë, mund të kishin frikë t’i bindeshin urdhrit, pasi rrezikonin të sulmoheshin nga macet gjatë rrugës për në gjykatë.

Avokati shpjegoi në këtë pikë, se “klientët” e tij, mund të refuzojnë ligjërisht të paraqiten në gjykatë, nëse nuk mund të garantohej siguria e tyre. Në fund, gjyqtarët u detyruan të heqin dorë nga padia, pasi nuk mund të hidhnin dot poshtë argumentin e avokatit dhe as t’i bindin fshatarët, t’i mbanin macet brenda në shtëpi.

Bazuar në provat e dokumentuara, derri ishte kafsha më e zakonshme që nxirrej në gjyq, në mesjetës. Sipas Evans, kjo ndodhte sepse derrat kishin një liri më të madhe për të lëvizur nëpër rrugë, më shumë sesa kafshët e tjera dhe se ishin në një numër shumë më të madh, se kafshët e tjera.

Por edhe kafshë të tjera, mund të gjykoheshin për vepra të ndryshme.

Për shembull, në vitin 1474, një gjykatë në qytetin zviceran të Bazelit, dënoi me djegie në turrën e druve një gjel “për krimin e urryer dhe të panatyrshëm të ngrohjes së një veze”. Sipas besimit mesjetar, nga veza e ngrohur prej gjelit, do të dilte ose një gjarpër, ose një dragua, dy krijesa jashtëzakonisht të rrezikshme.

Kafshët e tjera që kanë dalë në gjyq në mesjetë, ishin demat, qentë dhe dhitë. Një nga gjyqet më të çuditshme të kafshëve, të regjistruara nga Evans, është ai i disa delfinëve. Por, përveçse përmend se kafshët u gjykuan dhe ekzekutuan, në Marsejë, në vitin 1596, Evans nuk ofron detaje të mëtejshme lidhur me këtë rast.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jo çdo gjë që mësuam në shkollë është e saktë

8 faktet e gabuara që mësuam në shkollë

Historiani i njohur del me paralajmërimin e fortë: Do të frikësohesha nëse…

“Rreziku më i madh po na vjen nga dukuria më përhapur dhe e pëlqyer nga njerëzit”