MENU
klinika

PËRGJIGJET MJEKU

Nga çfarë shkaktohen hemorroidet dhe si trajtohen?

20.06.2021 - 11:22

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Nga çfarë shkaktohen hemorroidet dhe si trajtohen?

Mjeku: Hemorroidet janë enë gjaku (vena) të zmadhuara që shfaqen në pjesën e poshtme të anusit & rektumit të cilat kur zgjerohen shkaktojnë irritim.

Prezenca e hemorroideve është e pakëndshme, madje në jo pak raste shoqërohet edhe me dhimbje. Duke qenë se me kalimin e kohës simptomat e hemorroideve vijnë duke u përkeqësuar, mjekët rekomandojnë trajtimin e tyre që në momentin e parë të diagnostikimit.

 Disa fakte mbi hemorroidet:

  • Hemorroidet shfaqen kur venat që rrethojnë anusin zgjerohen
  • Femrat gjatë periudhës së shtatzënisë kanë më shumë predispozitë për të krijuar hemorroide
  • Mundësia e shfaqjes së hemorroideve rritet me rritjen e moshës
  • Trajtimi i kësaj patologjie mund të jetë medikamentoz dhe kirurgjikal, kjo në varësi të stadit të patologjisë që përcaktohet nga mjeku specialist

Simptomat

Ekzistenca e Hemorroideve shpesh shoqërohet me simptoma të tipit:

  • gjakderdhje pa dhimbje
  • kruarje apo irritim në zonën anale
  • dhimbje dhe enjtje në zonën anale

Cili është shkaku i shfaqjes së hemorroideve?

Shkaku i saktë i shfaqjes së hemorroideve mbetet ende i paqartë, por ka disa faktorë të cilët ndikojnë në shfaqjen e tyre si:

  • Shtatzënia: Hemorroidet shfaqen më shpesh te gratë shtatzëna kjo për faktin se në këtë fazë kemi zmadhim uterusi te gratë duke ushtruar kështu presion në venat e zorrës së trashë, gjë që çon edhe në zmadhimin e tyre.
  • Mosha: Hemorroidet janë më të zakonshme në grupmoshat 45-65 vjeç. Por, kjo nuk përjashton rrezikun e shfaqjes edhe në mosha të reja.
  • Diarrea: Rastet e diarresë kronike
  • Konstipacioni (kapsllëku): Shtrëngimi nga konstipacioni kronik çon në presion të mureve të enëve të gjakut
  • Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë
  • Ngritja e peshave të rënda
  • Obeziteti
  • Trashëgimia

Trajtimi i Hemorroideve:

Në rastet kur trajtimi alternativ medikamentoz nuk jep rezultat në eleminimin e hemorroideve, mjekët specialistë rekomandojnë eleminimin e tyre nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale të tilla si:

  • Hemorroidektomia – heqja e plotë e hemorroideve.

Në Spitalin Hygeia këto patologji trajtohen me sukses nga stafi i mjekëve profesionistë kirurgë të përgjithshëm.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.