MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Kam mish të huaj në mitër…

24.04.2024 - 11:37

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Përshëndetje! Jam një zonjë 39 vjeç dhe ekoja më ka nxjerrë me mish të huaj në mitër. Mbas tre muajsh bërë ekon e dytë dhe më thanë që masa është 3 cm, sa në ekon e parë dhe nuk më dhanë ilaçe. Më thanë nuk ta heqim se ke bërë tre lindje me operacion dhe mishin e huaj e ke pranë mitrës. Kam frikë mos më rritet…

Mjeku: Miomat apo ndryshe mishi i huaj në mitër, janë tumore të cilat rriten në brendësi të murit të uterusit (mitrës), njihen edhe me sinonime të tjera si për shembull leiomioma, fibromioma, fibroma, noduse ose fidroide. Në të gjitha rastet kemi të bëjmë me tumore beninje, pra nuk janë kanceroze dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Dimensionet e tyre variojnë nga 1 cm deri në 10-15 cm diametër (miomat gjigante) dhe janë shumë normale mbi moshën 35 vjeç.

Zakonisht operohen vetëm pasi madhësia ka kaluar 6 cm, ose nëse pozicioni ku shfaqet është muskulatura e mitrës ose në kavitet brenda. Në këtë rast jep dhimbje dhe hemorragji, ndaj duhet operuar. Në çdo lokalizim tjetër nuk përbën shqetësim, por mirë është që të ndiqet në dinamikë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.