Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes në Durrës ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës.
Anxhelo Boçi, banues në kryeqytet, u arrestua pas shumë se 9 muajsh në arrati, pasi rezulton i përfshirë në një krim të ndodhur vitin e shkuar në plazhin e qytetit bregdetar, ku gjeti vdekjen një 39- vjeçar dhe u plagosën dy të tjerë. Policia thotë se Boçi akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.
NGJARJA
Mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit 2020, në Lagjen nr. 13 në zonën e plazhit në Durrës, pas një konflikti të çastit me mjete të forta dhe më pas me armë zjarri, mbeti i vrarë 39-vjeçari Armando Baboçi alias Gjini nga Laçi, si dhe u plagos djali i tij, Erald Gjini, 19 vjeç dhe 23-vjeçari Henri Tatasi.
Sherri që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit nisi për arsye banale në një berberhane të qytetit me fjalët “Pse më sheh?!”.
Kaq ka mjaftuar që një grup prej pesë personash të konfliktohen me sende të forta dhe më pas sherri ka përfunduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Viktima Baboçi, i cili mbante mbiemrin e gruas dhe ishte person me precedentë, mori disa plagë në bark, duke i shkaktuar vdekjen pak më vonë në spital, ndërsa djali i tij mbeti i plagosur lehtë, duke marrë plagë në pjesën e duarve. Fillimisht sherri nisi midis Erald Gjinit dhe njërit prej të rinjve në grupin tjetër, i identifikuar si Klodjan Daci. Shpejt në sherr u përfshi edhe 39-vjeçari Gjini dhe vëllai i tij, ndërsa në palën tjetër mbërritën edhe kushërinjtë dhe shokët.
Kur Baboçi me të birin kanë tentuar të largohen nga lokali, ata i kanë bllokuar dy makina, duke bërë që njëra prej tyre të përplaste në mes të rrugës automjetin e viktimës duke shkaktuar panik në mesin e qytetarëve të shumtë që frekuentonin zonën në orët e mbrëmjes së të dielës së 18 shtatorit 2018. Më pas ka shpërthyer sherri me shkopinj bejsbolli, duke vijuar me përdorimin e armëve të zjarrit.
Ndaj 39-vjeçarit dhe djalit të tij u qëlluan disa plumba pistolete. E gjithë ngjarja u filmua nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat u sekuestruan nga Policia lokale dhe zgjati rreth një minutë.
Pas krimit, në rrugë kishte gëzhoja të shumta, shkopinj dhe copa automjetesh pas përplasjes me forcë. Në këtë mënyrë, një sherr banal që nisi te berberi pati një fund tragjik në rrugë.
ARRESTIMET
Në prangat e Policisë përfunduan shtetasit Klodian Daci, 20 vjeç, Henri Tatasi, 23 vjeç dhe Sergio Tatasi, 20 vjeç, banues në Durrës. Autor i dyshuar i të shtënave në atë kohë ishte i riu Klodjan Daci, megjithëse organet hetimore nuk kanë sqaruar përfundimisht se kush e kreu vrasjen e 39-vjeçarit.
Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe shoku i tyre, Henri Tatasi, i cili u arrestua nga Policia ndërsa ndodhej i shtruar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të plagëve të marra. Në prangat e Policisë përfunduan edhe dy persona të tjerë, përkatësisht Endri Cimo (Bregu), 25 vjeç dhe Argit Kastrioti, 24 vjeç, banues në Durrës, të akuzuar për moskallëzim krimi.
Ata u liruam më vonë nga Gjykata e Durrësit. Në atë kohë, Policia shpalli në kërkim edhe tre persona të tjerë në lidhje me ngjarjen, midis të cilëve edhe 27-vjeçari i arrestuar gjatë ditës së djeshme.
Në janar të këtij viti u arrestua edhe shtetasi Enriko Gjini, vëllai i viktimës, i cili dyshohej si autor i plagosjes së 23- vjeçarit Tatasi, ndërsa ka mbetur ende i paarrestuar edhe një person i tretë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Në ngjarje dyshohet se u përdorën tri armë zjarri.
Nga përleshja te vrasja, gjithçka për 60 sekonda
Ngjarja ku mbeti i vrarë Armando Baboçi dhe u plagos djali i tij, 19-vjeçar, Erald Gjini, pas një sherri masiv në qytetin bregdetar të Durrësit ka zgjatur 60 sekonda. Kaq u ka mjaftuar protagonistëve të përfshirë në konflikt që të përdornin shkëmbinj bejsbolli, karrige të lokalit dhe armët e zjarrit për të “larë hesapet” për një shikim me inat te një nga berberët në qytet.
Kamerat e sigurisë regjistruan konfliktin, duke treguar kohëzgjatjen e ngjarjes që përfundoi me një të vdekur dhe dy të plagosur. Viktima Baboçi kishte ndërruar mbiemrin nga Gjini në Baboçi, duke marrë atë të bashkëshortes, ndërsa ishte skeduar nga Policia për përfshirje në ngjarje kriminale. Nuk ishin këto ngjarje që i morën jetën, por sherri banal i të birit 19- vjeçar me një tjetër të ri nga fisi Daci.