MENU
klinika

Agravohet situata në Vlorë

Rama dhe Dritan Leli ballafaqohen në Këshillin Bashkiak

02.06.2021 - 12:39

Investimet e Qeverisë në Vlorë për ta kthyer atë në një qendër të turizmit dhe indiferenca e Bashkisë së qytetit bregdetar për trajtimin e problematikave të qytetarëve atje, ka bërë që këshilltarët bashkiakë të thërrasin një mbledhje të jashtëzakonshme.

Ata ka kërkuar që Vlora të mos jetë “delja e zezë” e turizmit shqiptar. Ky shqetësim është ngritur dhe nga strukturat e PS në Vlorë, pas “krisjes” së Dritan Lelit me Edi Ramën, “krisje” që sipas socialistëve vlonjatë u shkaktoi atyre humbje të votave në 25 prill.

“Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve kërkon reagim të menjëhershëm. Ne po e ndeshim çdo ditë në kontaktet me qytetarët dukurinë e rënies së nivelit të shërbimeve dhe ndjejmë përgjegjësi t’i përfaqësojmë shqetësimet e tyre.

Aq më tepër sot kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor”, thuhet në letrën këshilltarëve bashkiakë drejtuar Migena Ballës, kryetare e Këshillit Bashkiak.

E mesa duket në këtë mbledhje “jashtë radhe” do të ketë dhe një ballafaqim Leli-Rama. “Në mbledhje duhet të ftohen edhe deputetët e Vlorës, përfshirë dhe Kryeministrin dhe deputetin tonë Edi Rama”, kërkojnë këshilltarët e Bashkisë së Vlorës.

Dje u publikua një raport ekskluziv të Partisë Socialiste për situatën e zgjedhjeve dhe arsyet e rënies së elektoratit të majtë.

“Pakënaqësitë e shtuara për drejtimin e Bashkisë Vlorë, mosmarrëveshjet (e mediatizuara) me kryetarin si dhe kontrasti i madh mes investimeve në projektet madhore të Vlorës (financime të qeverisë) si Lungomare, Bulevardi I. Qemali, lagja Historike etj, në raport me sistemimin e lagjeve të brendshme të qytetit të lëna në gjendje të rëndë infrastrukturore (financime të bashkisë).

Mungesa e bashkëpunimit dhe kontributit në periudhën parazgjedhore dhe gjatë fushatës zgjedhore nga Kryetari i Bashkisë, uli kohezionin midis aktorëve të angazhuar dhe faktorëve ndihmues për fushatën e PS-së në këtë bashki”, vijonte raporti i publikuar dje.

E për këto arsye, këshilltarët bashkiakë të Vlorës kërkojnë ballafaqim me Dritan Lelin, me praninë e deputetëve të Vlorës dhe kryeministrit Edi Rama.