MENU
klinika

‘Ballafaqim publik me Dritan Lelin’

Rama e përjashtoi nga partia para zgjedhjeve, zbulohet kërkesa e…

02.06.2021 - 15:33

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli është “shënjestruar” nga anëtarët e këshillit të Bashkisë që ai drejton, për të cilin kërkojnë të organizohet një ballafaqim publik, me praninë edhe të kryeministrit Rama, njëherësh deputet i këtij qarku.

“Panorama.al”, ka siguruar kërkesën për një mbledhje jashtë radhe të firmosur nga anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Arsyet e renditura në këtë letër, që i kanë shtyrë anëtarët të kërkojnë mbledhje dhe ballafaqim me kryebashkiakun Leli, flasin për një shqetësim të krijuar pas “situatës alarmante me shërbimet bazike ndaj qytetarëve”.

Ajo që bie në sy, është se kërkesën për mbledhje jashtë radhe, nuk e kanë firmosur disa nga anëtarët e këshillit Bashkiak.

Kujtojmë këtu që listat e kandidatëve për deputetë, para zgjedhjeve parlamentare krijuan çarjen mes Dritan Lelit dhe kryeministrit Edi Rama, e ky i fundit e përjashtoi si anëtar të Partisë Socialiste kryebashkiakun e Vlorës.
Pas refuzimit nga Leli të propozimit të Ramës për të lënë mandatin e kryebashkiakut dhe përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë, statusi i Lelit ka “ngrirë”.

“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht, le ta ndihmojë, por jo me ne”, pati deklaruar Rama në Vlorë në një nga takimet me shtabin elektoral të fushatës.

Në kërkesë thuhet si më poshtë:

“Nisur nga shqetësimi i rritur i komunitetit vlonjat për gjendjen e pashpjegueshme të shërbimeve vendore, kërkohet sa më parë një ballafaqim publik me kryetarin e Bashkisë.

Gjithashtu vlerësojmë se duhet ngritur menjëherë një komision monitorimi i këshillit për shërbimet publike të Bashkisë Vlorë.

Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve, kërkon reagim të menjëhershëm.

Ne po e ndeshim cdo ditë në kontaktet me qytetarët dukurinë e rënies së nivelit të shërbimeve dhe ndjejmë përgjegjësi t’i përfaqësojmë shqetësimet e tyre.

Aq më tepër sot kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor.

Në mbledhje duhet të ftohen edhe deputetët e Vlorës, përshirë edhe kryeministrin dhe deputetin tonë Edi Rama”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN