MENU
klinika

Mustafa Nano: Nëse i vihen prangat, çfarë ndodh?

Sali Berisha, i vetmuar përballë shpërfilljes së shqiptarëve

24.06.2021 - 11:08

p>Që prej vitit 1997, partnerët tanë ndërkombëtarë, të përfaqësuar më së shumti nga ambasadorët e tyre në Tiranë, kanë parë te Sali Berisha një problem, një hall të shqiptarëve. Kanë parë një rrezik, një rrezik shëtitës. Dhe ata kanë bërë të gjitha përpjekjet për të bërë “menaxhimin e riskut” (nëse do të përdorja një term nga fusha e biznesit), apo thënë më thjeshtë, për ta kontrolluar dëmin e këtij rreziku, për ta minimizuar këtë dëm. Në bisedat që diplomatët e huaj në Tiranë kanë pasur me njeri-tjetrin (po i referohem periudhës 1997-2005, kur Sali Berisha ishte lideri i opozitës), të zhvilluara në prani edhe të aktorëve lokalë – biseda në të cilat shpeshherë ka ndodhur që të jem i pranishëm edhe unë – të skandalizuar nga Berisha, ata bënin një pyetje të natyrshme: “Si duhet të sillemi me këtë njeri? Çfarë duhet bërë me të?”

Më pas vinte një pyetje edhe më specifike: “Nëse Berishës i vihen prangat, çfarë ndodh në Shqipëri?” Kjo ishte pyetja, e cila kishte një dhe vetëm një përgjigje, që na bindte të gjithëve, si ne lokalëve edhe ndërkombëtarët. Përgjigjja ishte: “Kjo do të ishte një lëvizje ose e pamundur, ose me zarar.” Ishte fjala për liderin e opozitës, dhe t’i vesh prangat liderit të opozitës, pavarësisht se kush, apo si, është, e penalizon në mënyrë automatike gjithë opozitën, e cila virtualisht përbën gjysmën e popullsisë së vendit. Por edhe sikur kjo të mos ishte e vërtetë, ekzistonte një problem tjetër. Në atë periudhë, Sali Berisha ka qenë një personazh shumë i fortë politik, me ndikim të jashtëzakonshëm. Kishte mijëra njerëz që e mbështesnin. Dhe midis tyre kishte nga ata që me të marrë sinjalin e parë, ishin të gatshëm të zbarkonin nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë, sidomos nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës, për të bërë dëme, zullume, trazira. Ata ishin një potencial i fortë destabilitieti.

Këtë gjë e kam menduar edhe unë në atë kohë, por tani, a posteriori, unë mendoj se e kemi ekzagjeruar forcën dhe fuqinë e Berishës dhe të berishianëve. Këtë e mendoj në mënyrë të veçantë pas vendimit që mori Departamenti i Shtetit për ta shpallur Berishën persona non-grata në Amerikë, dhe pas reagimit të munguar në shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk reagoi. Reagimi ishte pothuajse zero. Dhe unë kam ngelur i befasuar nga ky fakt. Sigurisht, nëpër rrjetet sociale u vu re një lloj nervozizmi, por ajo që ndodh në botën online dihet se çfarë është. Është një zhurmë e madhe e bërë nga një grup i vogël njerëzish. I vetmi person, realisht i shqetësuar nga ajo që i ndodhi Berishës prej Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte një person që quhej Sali Berisha. Unë nuk pashë të tjerë që të shqetësoheshin. Faktikisht, Berisha e ka shprehur shqetësimin e tij në disa mënyra. Ai ka ngritur një padi në Francë. I ka marrë studiot televizive me radhë, dhe vazhdon të mbrojë veten, vetëshpjegohet dhe kërkon prova. Ai madje na ka “kërcënuar”, si ne edhe ndërkombëtarët, duke thënë se “nuk duhet të përjashtohet mundësia që unë të rimarr në dorë frenat e Partisë Demokratike” etj., etj.

Unë thashë se Berisha është i vetmi në Shqipëri, por nuk është i vetmi në botën shqiptare.

Faktikisht, është edhe një institucion i njohur në historinë e politikës shqiptare. Bëhet fjalë për shoqatën “Vatra”. Kjo e fundit ka bërë një deklaratë që ia drejtonte Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të së cilës shprehte shqetësimin e tronditjen e vet për faktin se ky departament e diplomacia amerikane në përgjithësi ka shpallur Sali Berishën persona non-grata. Ata mendojnë se kjo është një vepër lobistësh dhe nuk ka të bëjë me principet e diplomacisë amerikane, mbi bazën e të cilave kjo diplomaci sillet në të shumtën e kohës, apo ndoshta edhe gjatë gjithë kohës, sipas tyre. Ata mendojnë se kjo është një goditje e gabuar, që iu prish punë, është në dëm të interesit të Shqipërisë. Sepse Berisha është një mbrojtës i interesave amerikane në Shqipëri.

Mua, këta njerëzit e “Vatrës” më bëjnë për të qeshur. Në fakt, më kanë bërë për të qeshur gjithë kohën, dhe këtu kam parasysh 30 vitet e fundit. Në këto tre dekadat e fundit, shoqata “Vatra” është shndërruar në një shtojcë të Partisë Demokratikë. Më saktë, në një seksion të kësaj partie. Ka qenë Berisha që ka dashur që kjo shoqatë të shndërrohej në një të tillë e të mbeste e tillë.

Siç e dini, shoqata “Vatra” është krijuar më shumë sesa 100 vjet më parë. Dhe ishin shqiptarët më të mençur në Amerikë që e kanë themeluar, duke përfshirë Nolin dhe Konicën. Ndërsa sot, nga informacioni që unë kam, shqiptarët më të mençur të Amerikës, të cilët janë të shumtë në numër (dhe unë kam frikë se ata janë më të shumtë në numër sesa shqiptarët e mençur të Tiranës), kanë demonstruar në vijimësi se nuk duan t’ia dinë se çfarë është shoqata “Vatra” e këtyre kohëve. Sigurisht që ata kanë respekt për shoqatën, për kontributin e saj në shoqëri, por ata nuk i janë atashuar shoqatës “Vatra” të ditëve të sotme, me seli në New York.

Pastaj, diferenca tjetër është se shoqata “Vatra” është themeluar nga Noli dhe Konica me synimin e madh që të promovojë proamerikanizmin midis shqiptarëve. Ndërsa shoqata “Vatra” e këtyre kohëve, e trashëguar prej Nolit dhe Konicës, ka synime të tjera. Ajo synon që të mbrojë prej diplomacisë amerikane, apo prej shtetit amerikan, një person të vetëm. Ky është një gabim fatal, që i bën qesharak miqtë e shoqatës “Vatra”.

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin