Sipas njoftimit të Shtëpisë e Bardhë këto dhurime do të bëhen nëpërmjet programit COVAX, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
Fillimisht SHBA do të dhurojë 25 milionë doza vaksinash, ndërsa plani është që deri në fund të muajit qershor të shpërndahen 80 milionë doza vaksinash, në mbarë botën.
Vetëm 25% e dozave të vaksinave do të mbahen rezervë për raste emergjente në SHBA.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të vepruar me të njëjtën urgjencë, si kemi demostruar në shtëpinë tonë, në përpjekjet ndërkombëtare të vaksinimit”, tha presidenti Biden në një deklartë.
25 milionë dozat e para të vaksinave që do të dhurohen, sipas Shtëpisë së Bardhë, 19 milionë do të shkojnë për programin COVAX. 6 milionë dozat e mbetura do të shpërndahen direkt nga Shtëpia e Bardhë për aleatët dhe partnerët e SHBA.
Në këtë listë përfshihet dhe Kosova.
Shtëpia e Bardhë tha se 25 milionë dozat e para do të jenë vaksina nga kompanitë “Pfizer”, “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”.
Plani i shumëpritur për dhurimin e vaksinave vjen ndërsa në SHBA më shumë se 63% e të rriturve kanë marrë të paktën një doze dhe pasi pabarazitë globale në furnizimin me vaksina janë bërë më të dukshme.
Presidenti Biden është zotuar se do të ndihmojë kombet e tjera me 60 milionë dozat e prodhuara në vend të vaksinës nga kompania AstraZeneca. Kjo vaksinë ende nuk është autorizuar për përdorim në SHBA, por është e aprovuar gjerësisht në të gjithë botën./VOA/