Nga Forumi i Parë Ekonomik i organizuar në Shkup, kryeministri Edi Rama fshikulloi BE-në për mos caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare, duke thënë hapur se do të ishte më e ndershme që blloku të pohonte se nuk është gati për t`i pranuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sesa t`i fajësonte per mosplotësim kushtesh.
“Nuk jam pesimist, Zaev ka të drejtë që është pak i frustruar. Ne nuk kemi dështuar, ata kanë dështuar. Është shtëpia e tyre, nuk është shtëpia jonë që të vendosim. Ne duam të hymë në BE , por nuk duhet të harrojmë se është shtëpitë e tyre. Ne ju duam, por ata nuk na tregojnë se janë gati për ne, se nuk kanë përgatitur ende “dhoma” për ne. Ajo që ne duhet të bëjmë është të ecim përpara dhe të realizojmë atë që na kërkohet nga Bashkimi Europian. Jemi të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri, por të bashkuar mund të ia dalim”, ka thënë ai.
Në Shkup, ka shenja të qarta zhgënjimi, por edhe humbje të besimit tek BE-ja. Kryeministri Zoran Zaev kujtoi se vendi i tij i ka përfunduar me sukses reformat që ishin përcaktuar si të detyrueshme nga BE. Kritika të forta erdhën nga presidenti, Stevo Pendarovski thotë DW, i cili u shpreh se vendimmarrja me konsensus në Bashkimin Europian është problemi kryesor për BE-në dhe se pa e ndryshuar këtë rregull, BE nuk mund të bëhet një “lojtar gjeopolitik”.
“Në kohën, kur zgjerimi i BE-së është de facto i ngrirë, vendi ka dy mundësi, të sjellë Evropën këtu dhe, së dyti, të filloj zbatimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik të 2008-s me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Pendarovski.
Ndërsa, zëvendëskryeministri për Çështjet Europiane, Nikolla Dimitrov theksoi se nëse çmimi për rrugën tonë drejt Bashkimit Europian është depersonalizimi, atëherë ne nuk kemi nevojë për një BE të tillë.