MENU
klinika

Nga ryshfeti te trukimi i ndeshjes

Si u zbulua nga përgjimet prokurori i Sarandës

19.06.2021 - 11:02

Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, pas hetimit një-vjeçar nga SPAK.

SPAK ka nisur hetimet në vitin 2020 për një grup të strukturuar kriminal, që kryente trafik droge, gjë që çoi në zbulimin e një rasti korrupsioni në sistemin e drejtësisë, si dhe trukim ndeshjesh.

Hetimi i SPAK u finalizua me arrestimin e 6 personave, mes të cilëve edhe prokurori Hasa.

 

Çfarë e “fundosi” prokurorinë Hasa?

Nga hetimi prokurori Altin Dumani ka zbuluar se prokurori Sali Hasa kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por që ka pushuar çështjen ndaj tij pas ndërhyrjes së motrës së të dyshuarit, Elsona Papa, e cila është lënë në “arrest shtëpiak”. Kjo e fundit dyshohet se i ka dhënë ryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain.

Si u zbuluan arbitri dhe zyrtari i klubit të futbollit?
Hetimi për prokurorin Hasa, ka çuar prokurorin e SPAK, Altin Dumani, në zbulimin e trukimit të ndeshjes Selenica-Përmeti.

Nga përgjimet rezulton se ndeshja ishte paracaktuar dhe do të fitonte klubi Përmeti 1-0 me penallti. Siç rezulton në përgjime, ashtu ka rezultuar edhe në realitet, ku zyrtarët e arrestuar kanë lejuar paracaktimin e kësaj ndeshjeje.

Po ashtu, përgjimet zbuluan edhe rastin kur oficeri i policisë gjyqësore, Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Në këtë episod përfshihet edhe ish-eksperti mjeku ligjor, Hysen Korenica, i cili dyshohet për ekspertim të rremë dhe do të hetohet të gjendje të lirë. SPAK urdhëroi kontroll edhe në zyrat e banesave të të dyshuarve dhe po kryen hetime të mëtejshme edhe për disa episode dhe krime të tjera të mundshme.