Hap pas hapi, zbulohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare, që humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Nga; Dashnor Kaloçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Relacioni i Drejtorit të Drejtorisë së III-të të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, lidhur me rrethanat e arratisjes së Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit, në Stacionin Hekurudhor të Titogradit
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME
DREJTORIA E TRETË
Sekret
Ekzemplar nr 1
Tiranë 1985
I n f o r m a c i o n
Nga burimet tona dhe analiza e vendit të ngjarjes së datës 27.5.1985 në qytetin e Titogradit del se:
Në qytetin e Titogradit nga verifikimet dhe bisedat e bëra deri tani në përgjithësi në ambiente e lokale tregtie, hotele, dhe në stacionin hekurudhor të trenit për mallrat, del se ngjarja e ndodhur nuk është mësuar nga qytetarë e punëtor jugosllavë. Kështu në stacionin hekurudhor të trenit të mallrave, ku gjatë ditëve të fundit ka pasur 15 mjete të Parkut të Eksportit, si dhe vetë ky stacion nuk është më shumë se 100 metra larg vendit të ngjarjes, personeli dhe puntorët e shkarkimit deri në datën 2.6.1985, nuk kanë folur për këtë ngjarje.
Edhe në bisedat që janë bërë me punonjës të lokaleve ambulatorike të tregtisë afër stacionit të trenit të cilët, nga ana okulare kanë një vështrim të mjaftueshëm për të parë lëvizjet rreth e përqark ambientit, nuk është arritur që të mësohet gjë për këtë ngjarje ose të paktën rrethanat që u zhvilluan për zhdukjen e dy sportistëve tanë.
Me datën 2.6.1985 spedicioneri i “Jugospetit” në stacionin e trenit të mallrave, midis të tjerave tha: “Në datën 1.6.1985 vëllai im (me punë oficer i UDB-së në Titograd-shënimi ynë) më tregoi se ditë më parë atje, janë zhdukur dy sportista shqiptarë që vinin nga Polonia. Për këtë milicia, ka marrë masa kërkimi, janë ngritur post blloqe, kërkohet ditë e natë, por deri tani rezultate konkrete nuk ka. Ne kemi ngritur versionin se të dy këta sportistë janë fshehur në Titograd, dhe se ata nuk janë grabitur nga të tjerë.
Në qendrën tonë këto ditë na u tha se një zyrtar me përgjegjësi në Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme, ka porositur që të merren masa për të zbuluar se ku fshihen sportistët shqiptarë”.
Analizuam vendin e ngjarjes në Titograd dhe paraprakisht mendojmë se të dy sportistët, duhet të jenë larguar me dashje nga grupi, dhe jo të jenë rrëmbyer forcërisht nga organet e UDB-së. Këtë version e mbështesim në faktin se elementët përbërës të ngjarjes, si koha e ndodhjes, objektet që rrethojnë vendngjarjen, dendësia e lëvizjes së mjeteve dhe ato që parkohen anës rrugës, hyrjet dhe daljet e shumta të qytetarëve në stacionet hekurudhore, janë të tilla që grabitja forcërisht e tyre, të shikohej nga punonjës të tregtisë dhe qytetarë jugosllavë, gjë që do të shkaktonte zhurmë në këtë zonë.
Për rrjedhojë duke pasur parasysh dhe faktin se nga bisedat që janë bërë me punonjësit e tregtisë në afërsi të vend-ngjarjes, ku deri tani nuk dihet gjë, ekzistojnë rrethana të tilla që Aleksandër Kondo dhe………………………të jenë larguar nga grupi duke realizuar kështu arratisjen e tyre gjatë kthimit për në atdhe.
Nga verifikimet që bëmë del se organet e kufirit dhe dogana jugosllave, në asnjë rast nuk ka bërë pyetje tek shoferat tanë të eksportit për ngjarjen e ndodhur. Si dhe nuk na rezulton që shoferat tanë dhe punonjës të tjerë të ndërmarrjeve së tregtisë, që janë tani me punë në Titograd për evadimin e mallrave të eksportit, të merren nën survejim dhe të ndalohen nga organet e milicisë.
DREJTORI I DREJTORISË SË III
S.R.
Relacioni nga misioni shqiptar pranë OKB-së në New York, për dëshminë e një kosovari lidhur me kërkesën e bërë nga Kondo dhe Sukniqi, për azilin politik
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 13.6.1985
Nju Jorku me tel 935 datë 8.6.1985 njofton:
Sh. S…………………….ka thënë se nga një bisedë telefonike që ky i fundit ka bërë, me Zyrën e Emigracionit në Beograd, i është thënë se dy sportistët tanë kanë kërkuar strehim politik në Jugosllavi. Dhe se nga fundi i qershorit apo fillimi i korrikut, do të emigrojnë për në SHBA.
Sa më sipër nga kosovari……………………….!
Oficeri i Drejtimit
B.M.
Nota e protestës e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, drejtuar ambasadës jugosllave në Tiranë, për të kthyer në Shqipëri dy sportistët shqiptarë që u arratisën në Titograd
NOTË E MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË RPS TË SHQIPËRISË DREJTUAR AMBASADËS JUGOSLLAVE NË TIRANË
Tiranë
30 maj
Sot, Ministria e Punëve të Jashtme të R.P.S. të Shqipërisë, i drejtoi ambasadës së R.S.F. të Jugosllavisë në Tiranë, një notë lidhur me zhdukjen e papritur të dy sportistëve shqiptarë në Titograd, gjatë kalimit të tyre tranzit për në Shqipëri.
Në këtë notë thuhet: “Sikurse i është bërë e ditur me Notën nr. 722 datë 29 maj 1985, ambasadës jugosllave në Tiranë, më 28 maj 1985, rreth orës 7.00 të mëngjesit, në Titograd u zhdukën në mënyrë të papritur dy sportistët shqiptarë, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi.
Ata, kishin marrë pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Poloni, dhe në kthim për në Shqipëri, po kalonin tranzit nëpër territorin jugosllav në intinerarin Beograd – Titograd – Hani i Hotit.
Për këtë zhdukje të dy sportistëve, nga ana e përgjegjësit të ekipit shqiptar u kërkua ndihma e autoriteteve policore të qytetit të Titogradit. Për të njëjtën çështje ambasada shqiptare në Beograd, i është drejtuar në mënyrë të përsëritur më 28, më 29, dhe më 30 maj 1985, Sekretariatit Federativ për Punët e Jashtme të Jugosllavisë.
Po kështu Ministria e Punëve të Jashtme të R.P.S. të Shqipërisë, me notë drejtuar ambasadës jugosllave në Tiranë, i kërkoi Sekretariatit Federativ për Punët e Jashtme të Jugosllavisë, që nëpërmjet organeve kompetente të hetojë çfarë u ka ndodhur dy sportistëve të lart përmendur dhe të marrë masat e nevojshme që ata, të kthehen menjëherë në Shqipëri.
Megjithëse kanë kaluar afro tre ditë nga njoftimi për zhdukjen në territorin jugosllav të dy qytetarëve shqiptarë, dhe me gjithë këto kërkesa të përsëritura nga ana jugosllave, nuk është dhënë akoma asnjë shpjegim për fatin e tyre.
Zhdukja në Titograd e sportistëve shqiptarë Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, të pajisur me vizë jugosllave, si dhe heshtja e habitshme e autoriteteve jugosllave, kanë krijuar një shqetësim të madh për jetët e tyre.
Situata e krijuar rreth dy sportistëve shqiptarë, nuk mund të mos çojë në konkluzionin se: kemi të bëjmë me një akt të rëndë politik të kryer nga forca të caktuara që duan të dëmtojnë marrdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Përsa më sipër, autoritetet jugosllave mbajnë përgjegjësi të plotë. Duke formuluar protestën e saj energjike, M.P.J. kërkon sigurimin e jetës dhe kthimin menjëherë në atdhe të dy sportistëve”.
A.T.SH.
Kërkesa e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes derjtuar federatës jugosllave dhe asaj europiane, “mbi fatin e dy sportistëve shqiptarë, të zhdukur në Titograd”!
FEDERATA SHQIPTARE E PESHENGRITJES KERKON NDERHYRJEN E FEDERATAVE EUROPIANE DHE JUGOSLLAVE TË PESHËNGRITJES
Tiranë, 1 qershor
Federata Shqiptare e Peshëngritjes u ka dërguar telegrame Federatës Europiane dhe asaj Jugosllave të Peshëngritjes, ku i vë në dijeni se përpara 5 ditësh janë zhdukur pa lënë gjurmë në Titograd të Jugosllavisë, dy peshëngritësit tanë: Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi të cilët, morën pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Poloni dhe gjatë kthimit për në vend, kalonin tranzit në territorin jugosllav.
Në telegrame vihet në dukje se me gjithë ndërhyrjet në organet kompetente të Titogradit dhe Sekretariatit Federativ për Punët e Jashtme në Beograd, për të mësuar mbi fatin e tyre deri më sot nga autoritetet jugosllave nuk është dhënë asnjë përgjigje.
Kjo heshtje e habitshme që mbahet, thuhet në telegrame, ka rritur shqetësimin tonë për jetët e tyre.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes, ju lutet Federatave Europiane dhe Jugosllave që të ndërhyjnë edhe ato nga ana e tyre pranë autoriteteve jugosllave, për të bërë të mundur sigurimin e jetës dhe kthimin e tyre në Shqipëri.
A.T.SH.
Njoftimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për protestat e qeverisë shqiptare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, lidhur me zhdukjen e dy sportistëve shqiptarë në Titograd.
ASNJË PËRGJIGJE DERI MË SOT NGA JUGOSLLAVËT PËR ZHDUKJEN E SPORTISTËVE SHQIPTARË
Tiranë 1 qershor
Duke marrë parasysh shqetësimin që ka shkaktuar në opinionin tonë publik zhdukja e në mënyrë misterioze në Titograd, gjatë kthimit për në atdhe nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që u zhvillua në Poloni të dy sportistëve tanë, korespondenti i A.T.SH.-së i’u drejtua zëdhënësit të M.P.J.-së me pyetjen: nëse ka ndonjë të re lidhur me këtë çështje. Zëdhënësi i M.P.J.-së, i’u përgjigj se: megjithëse kanë kaluar 5 ditë nga zhdukja e dy sportistëve shqiptarë në territorin jugosllav, e me gjithë kërkesat tona të përsëritura në rrugë diplomatike në Tiranë e Beograd, për të mësuar për fatin e tyre, dhe kthimin në Shqipëri, autoritetet jugosllave, mbajnë heshtje të plotë, duke mos dhënë asnjë përgjigje.
Një qëndrim i tillë është me të vërtetë i pashpjegueshëm. Sigurisht kjo heshtje e zgjatur, e shton shqetësimin e njerëzve tanë për jetën e tyre. Me të drejtë lind dyshimi që diçka e kurdisur ka ndodhur me sportistët tanë. Por sa më shumë kalon koha, aq më shumë ngarkohet me përgjegjësi pala jugosllave.