Ditën e sotme pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Europës ku në agjendën e saj është dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.
Këtë të martë Unioni i BE do të vendosë ose jo nëse do ketë një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Madenoninë e Veriut dhe për vendin tonë.
Sekretarja e Shtetit të Portugalisë, Ana Paula Zacaria foli nga Luksemburgu aty ku do zhvillohet dhe mbledhja e Këshillit të Europës. Zacaria shpreson për vendosjen e një date për zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare.
“Kemi një agjendë të gjatë. E flluam këtë mëngjes me diskutime për zhvillimin e mbledhjes së ardhshme të Këshillit Europian më datë 24 dhe 25 qershor. Liderët diskutuan për çështje të ndryshme si emigrimi, bashkëpunimi mes vendeve për situatën e COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike. Do adresojmë dhe disa çështje në politikën e jashtme. Do vijojmë me debatin se ku jemi në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne shpresojmë që do kemi dy Konferencat Ndërqeveritare për këto dy vende” – tha Zacarias.
I të njëjtit mendim është dhe Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman. Ndër të tjera ai tha se Kroacia mbështet dhe kërkesën e Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Fokusi është tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë jam i lumtur që shoh progresin e mirë që kanë bërë disa shtete në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Do zhvillojmë një konferencë me Serbinë dhe Malin e Zi. Kosova kërkon liberalizimin e vizave dhe Kroacia e mbështet atë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet, duam që të shohim hapjen e procesit të negociatave dhe zhvillimin e Konferencës së parë ndërqeveritare” – tha Radman.
Kujtojmë se vetëm disa ditë më parë, Parlamenti holandez i dha “dritën jeshile” Shqipërisë për të zhvilluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare. I vetmi vend skeptic për këtë është Franca.