MENU
klinika

Sot Kuvendi i PD

7,500 delegatë do kenë 4 orë kohë për të zgjedhur Këshillin Kombëtar

17.07.2021 - 09:24

Shtatë mijë e pesëqind delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike mblidhen sot për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike.

Kryesia e selisë blu miratoi në seancën e kryesisë dy ditë më parë listën e plotë të kandidatëve me 600 emra, nga të cilët në fund do të zgjidhen 300 anëtarë. Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ish-sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani, dhe kryetarin e këshillit, Bujar Nishani. Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht.

Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillin Kombëtar apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD. Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e kryesisë.

Përmes tyre, Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve. Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. “Kuvendi Kombëtar nis mbledhjen në orën 11:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Procesi i votimit hapet në orën 12:00 dhe përfundon në orën 16:00. Procesi i numërimit fillon në orën 18:00 në selinë qendrore të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ngarkohet sekretari i përgjithshëm për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

Pas konfirmimit të urdhrit nga Kuvendi Kombëtar ngarkohet Komisioni i Drejtimit të Punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe anëtarët e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zbatimin e tij”, thuhet në axhendën paraprake të miratuar nga kryesia e PD-së.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së do të çelet nga kryedemokrati Lulzim Basha, ndërkohë më pas axhenda parashikon që 19 drejtuesit politikë të mbajnë fjalën e tyre, duke folur nga 10 minuta. Në kryesinë e dy ditëve më parë, kryedemokrati Basha ka porositur drejtuesit politikë që të flasin vetëm për atë që ai e quan masakër zgjedhore.

EKIPI I RI

E sigurt është që muaji korrik nuk do të jetë i qetë brenda demokratëve. Gazeta “Panorama” mëson se kryedemokrati Basha planifikon që deri në fund të këtij muaj të bëjë ndryshimet e nevojshme edhe në kryesinë e PD-së, sekretariatet apo edhe nënkryetarët. Do të jenë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar që do të bëjnë zgjedhjen e kryesisë së re apo edhe të sekretarëve apo nënkryetarëve.

Ndërkohë, ndryshimet e reja do bëhen sipas statutit me ndryshimet e propozuara nga kryedemokrati Basha që pritet të miratohet sot. Statuti i ri parashikon një kryesi të PDsë më të zgjeruar, më shumë sekretarë dhe më shumë nënkryetarë të PD. Ndërsa për emrat ende deri tani nuk ka informacione.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


7 mandate nga lista e PD me vetëm 47 mijë vota

Si zhgënjyen aleatët në vota?


Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!

Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari!

Efektivi humb ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës