MENU
klinika

Nëse fiton në zgjedhjet e vitit 2023, atëherë...

A e ka arritur Erdogan të ndërtojë “Turqinë e Re”?

21.07.2021 - 08:25

Nga Cengiz Candar “Al Monitor”

Disa data shërbejnë si gurët kilometrikë për historinë. Për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, 15 korriku është një prej tyre. Përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit për

të rrëzuar Erdoganin më 15 korrik 2016, është shndërruar në mitin themelues të“Turqisë së Re” në historiografinë e tij.

Për pesë vjet, përvjetori i 15 korrikut është bërë një festë e fitores së Erdogan, e cila e ndihmoi atë ta zëvendësonte demokracinë parlamentare të vendit me qeverisjen e tij personale. Kjo datë shënon gjithashtu përkujtimin e 251 “dëshmorëve”, që humbën jetën gjatë shtypjes së tentativës për grusht shteti.

Ceremoni përkujtimore u zhvilluan në mbarë vendin, dhe sidomos në Stamboll, ku u shënua edhe numri më i madh i viktimave, veçanërisht gjatë përleshjeve mbi Urën e Bosforit që lidh kontinentin e Azisëme atë të Evropës.

Viti 2021 nuk përbën ndonjë përjashtim nga përpjekjet e Erdogan dhe regjimi i tij që nuk nguron të festojë dhe përkujtojë 15 korrikun. Një film me titull “Safak Vakti” (Në agim) mbi rezistencën heroike popullore kundër përpjekjes për grusht shtetit, e cila nisi pas thirrjes së Erdogan kundër komplotistëve, u dha në kinema më 15 korrik 2021.

Pasioni për përkujtimi e asaj ngjarjeje nuk është zbehur pas pesë vjetësh. Dhe kjo jo sepse trauma e përpjekjes për grusht shteti, është ende e gjallë në mendjet e njerëzve. Përkundrazi, kjo ndodh për shkak se regjimi i Erdoganit ndjen se ende nuk e kalegjitimuar rishkrimin e historisë së Turqisë.

Unë shkrova një artikull për “Al-Monitor”, që u botua më 17 korrik, 2016 -kur grushti i shtetit ishte ende duke u zhvilluar – në të cilin kam shkruar se tentativa për grusht shteti, natën midis 15-16 korrikut, ka ngritur më shumë pyetje se sa ka dhënë përgjigje.

Ironikisht, pas 5 vjetësh, kjo mbetet ende e vërtetë. Pyetjet e ngritura mbetën pa përgjigje, dhe misteri rreth përpjekjes për grusht shteti nuk është zgjidhur ende. Sot ne e dimë se më shumë se 8.500 trupa, 35 avionë ushtarakë, 37 helikopterë, 246 tanke dhe transportues të blinduar dhe 3 anije të marinës morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti, së bashku me rreth 4.000 armë të lehta.

Kjo do të thotë se pothuajse 621.000 trupa dhe 1.056 avionë, 434 helikopterë, 102 anije të marinës dhe rreth 1.800 tanke mbetën të palëvizshëm. Këto shifra tregojnë se përpjekja për grusht shteti, ishte e destinuar të dështonte që nga fillimi i saj.

Gjithsesi, natën e grushtit të shtetit, Erdogan e shpalli atë si një bekim, dhe më pas e përdori gjithë atë sagë për të përmbushur ambicien e tij për themelimin e “Turqisë së Re” nën sundimin e tij autoritar. Qeveria nuk humbi një sekondë para se të pretendonte se aleati i saj i dikurshëm, kleriku Fethullah Gulen, që banon në Shtetet e Bashkuara, ishte fajtori i përpjekjes për grusht shteti.

Çdo institucion dhe individët e lidhur me të në çdo nivel, konsiderohen terroristë dhe anëtarë të së ashtuquajturës Organizatë Terroriste Fetullah Gulen (FETO). Cilido që mund të vërë në dyshim vlefshmërinë e këtij pretendimit do të zhytet në telashe.

Vendet që hezitojnë të pajtohen me pretendimet zyrtare të Ankarasë janë etiketuar si lejues të komplotit të Gulen kundër Turqisë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – bota perëndimore në përgjithësi – janë gjithashtu të implikuar në këtë narrativë, pasi elektorati islamik dhe nacionalist i regjimit aktual beson se fuqitë perëndimore e mbështetën përpjekjen për grusht shteti.

Goditja e rëndë pas grushtit të shtetit, nuk u kufizua vetëm tek Gulen-istët. Ajo shënjestroi të gjithë opozitën; udhëheqësit, anëtarët dhe pasuesit e Partisë Demokratike të Popujve pro-kurd, si dhe gazetarët.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 14 korrik, rreth 4.890 njerëz u dënuan me burg – 3.000 prej tyre për gjithë jetën. 44.000 mijë ushtarakë u dëbuan nga forcat e armatosura. Shoqata Turke e të Drejtave të Njeriut dhe Fondacioni i të Drejtave të Njeriut, njoftuan se gati 140.000 nëpunës publik u shkarkuan në mënyrë arbitrare.

E drejta për të kundërshtuar shkarkimin e tyre u mohua gjatë gjendjes së jashtëzakonshme që ishte në fuqi gjatë viteve 2016-2018, ndërsa shumicës së tyre iu mohuan vendet e punës në sektorin publik dhe privat.

Pas përpjekjes për grusht shteti, u zhvillua një referendum mbi ndryshimin e Kushtetutës, që solli transformimin e vendit në një sistem presidencial që hedh poshtë çdo lloj mekanizmi të kontrollit dhe ekuilibrit. Gjyqësori e humbi statusin e tij të pavarur, dhe iu nënshtrua presidentit si rezultat i ndryshimeve kushtetuese.

Posti e kryeministrit u suprimua, dhe i gjithë autoriteti ekzekutiv u transferua tek presidenti.

Sistemi presidencial turk nuk ka asnjë ngjashmëri me modelet amerikane apo franceze. Ai ka tipare më të ngjashme me presidencat e tipit “caudillo”,që dominuan gjatë Luftës së Ftohtë në vendet e Amerikës së Jugut.

Gjatë një bisede private me një grup gazetarësh ku mora pjesë edhe unë para vitit 2014, kur Erdogan u bë presidenti i parë i zgjedhur i vendit, ky i fundit na shpjegoi se çfarë lloj presidence ekzekutive parashikonte ai. “Sistemi amerikan është i papranueshëm për ne. Imagjinoni sikur një parti e opozitës të kontrollojë parlamentin. Ajo nuk do ta lejonte presidentin të bënte asgjë si autoritet ekzekutiv”- tha ai.

15 korriku mund të interpretohet si një pikë referimi për ndryshimin e regjimit në Turqi.

Në kushtet e një Turqie të Re në zhvillim, ai meriton vërtet të perceptohet si i tillë. Padyshim që ajo ngjarje ka qenë një gur kilometrik historik në dhënien fund të shtetit ligjor në vend.

Turqia ishte kandidate për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Në vitin 2015, vendi u rendit si i 80-ti midis 102 vendeve të listuara në Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit Botëror të Drejtësisë. Në vitin 2020, midis 128 vendeve, ajo rrëshqiti në vendin e 102-të.

Në vitin 2020, paditë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut nga qytetarët turq kundër Turqisë arritën në 11.750. Gjykata vendosi të ndëshkojë Turqinë në 85 nga 97 raste për shkak të shkeljeve të Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Edhe pse gradualisht, por me vendosmëri, Turqia kaloi nga një demokraci e re në një autokraci. Disa politologë e quajnë atë një autoritarizëm konkurrues, pasi disa parti të opozitës funksionojnë ende dhe nuk janë të ndaluara me ligj.

Lindja e një Turqia të Re erdoganiste dhe 15 korriku, ka qenë pa diskutim një mit themeltar. Por për Erdogan, konsolidimi i pushtetit të tij nuk është aspak i sigurt. Në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ai humbi zonën e tij elektorale kryesore:Stambollin; kryeqytetin Ankaranë; dhe të gjitha provincat kryesore që gjenerojnë 2/3 e prodhimit të brendshëm bruto të Turqisë.

Mbështetja e tij gjithnjë e më e ulët popullore për shkak të kushteve të vështira ekonomike-të shkaktuara kryesisht nga vetë ai – i ka shtuar problemet tashmë ekzistuese. Për të, zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për qindvjetorin e republikës në vitin 2023 janë shumë shqetësuese.

“Nëse shihni vlerësimet në sondazhe të presidentit Erdogan së bashku me një situatë ekonomike të rënduar, është shumë e vështirë të imagjinosh vërtet se si do jetë gjendja për 12 muajt e ardhshëm”- thotë Winslow, drejtori i Fitch Ratings mbi udhëheqësit evropianë.

“Banka Botërore vlerëson se më shumë se 1.5 milionë turq ranë nën kufirin e varfërisë vitin e kaluar. Dhe një indeks mbi shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, tregon se pabarazia është rritur që nga viti 2011, dhe është përshpejtuar që nga viti 2013, duke zhbërë arritjet e mëdha të viteve 2006-2010 gjatë dekadës së parë të Erdogan në krye të vendit”- thuhet në raportin e Fitch Ratings.

Çfarëdo që të rezervojë e ardhmja për Erdogan, është e drejtë të thuhet se ai arriti ta ndërtojë Turqinë e Re që parashikoi. Por problemi i tij është se ai nuk mundi ta konsolidonte pushtetin mbi Turqinë e tij të Re.

Nëse ai humbet – dhe këtu janë dilemat më të mëdha, pasi ai ka gjasa që të tërhiqet me elegancë-do të nisë procesi i dhimbshëm i çmontimit të Turqisë së tij të Re. Nëse fiton në zgjedhjet e vitit 2023, atëherë 15 korriku do të regjistrohet si momenti historik më i rëndësishëm në odisenë e Erdoganit për të pasur një pushtet absolut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tensionet me Turqinë/ Greqia shpresat te BE

‘Le Monde’: Erdogan s’do heqë dorë nga qëllimet e tij!