Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se askush nuk duhet ta quajë ish-presidentin Hashim Thaçi “zagar të amerikanëve”, pavarësisht dallimeve politike që kanë pasur.
Këtë deklaratë, Osmani e ka dhënë në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Der Spiegel”.
“Der Spiegel” ka pyetur Osmanin nëse ka ardhur koha që Kosova të emancipohet nga SHBA-ja, në një kohë kur “presidenti Thaçi, shpeshherë i cilësuar si zagar në prehër të amerikanëve, gjendet në burg në Hagë.”
Osmani është përgjigjur duke thënë se askush s’do të duhej ta quante Thaçin të tillë, duke thënë se ai ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike.
Ajo ka deklaruar se raportet me SHBA-në nuk varen nga personeli politik.
“Përkundër krejt diferencave politike që mund t’i kemi pasur me Thaçin, askush nuk do të duhej ta quante atë ‘zagar të amerikanëve’.
Thaçi ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike. Sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në: ato nuk varen nga personeli udhëheqës politik. Ato janë një lidhje e veçantë, që na mbajnë bashkë. Ne nuk e harrojmë rolin e amerikanëve në Kosovë në vitet 90-të”, ka thënë Osmani për prestigjiozen gjermane.