MENU
klinika

Lirimi i ish-Presidentit

Avokati i Thaçit: 2 shtete janë të gatshme të japin garanci

23.07.2021 - 13:39

Avokati i ish-Presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe ka thënë se ka dërguar në Gjykatë parashtesat e tij për të liruar nga paraburgimi Thaçin. Në parashtesën e tij dërguar në Gjykatë, Keohe ka thënë se dy shtete kanë dalë të gatshme për të dhënë garanci për Thaçin. Një nga shtetet që ka dalë garante për lirimin e thaçit gjithashtu është vend kontribues në Speciale.

“Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”, thuhet në parashtresën e Keohes.

Ndërkohë që avokati nuk i ka bërë të ditur vendet të cilët kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit. Ai gjithashtu ka shtuar se prokuroria e Specializuar e ka hequr plotësisht kontekstin kohor të fillimit të gjykimit.

“Që nga vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake më 22 janar 2021 se kushtet për paraburgim ishin përmbushur, rrethanat e këtyre procedurave dhe të z. Thaçi, kanë ndryshuar ndjeshëm. Pasi dha dorëheqjen vullnetarisht nga Zyra e Presidentit në 5 nëntor 2020 dhe u dorëzua në paraburgim e DSK, Z. Thaçi tani ka kaluar gati tetë muaj në burg. Pretendimi origjinal i ZPS-së se do të ishte në gjendje të përmbushë detyrimet e zbulimit për të lejuar që gjyqi të fillojë në verën e vitit 2021, është ekspozuar si një keqinterpretim monumental (ose llogaritje e gabuar) nga ana e saj, me ritmin e zbulimit të ZPS që ka të ngjarë të vonojë gjyqin deri në mes të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe tetë-mujore, fusha e mbështetjes politike për z. Thaçi dhe ndikimi i tij në Kosovë janë avulluar kryesisht, me zgjedhjet e shkurtit 2021 që e vendosin ish-Presidentin në pozicionin më të dobët të karrierës së tij politike. Njëkohësisht, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur atë që lehtë mund të përshkruhet si regjimi më i gjerë i mbrojtjes së dëshmitarëve i vendosur para një gjykate kosovare ose ndërkombëtare”, thuhet në parashtresën e Keohes.

Ndërkohë që deri tani qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim për të liruar ish-krerët e UÇK-së nga paraburgimi. Qeveria nuk ka pranuar që të dalë garante për asnjë nga ish-zyrtarët që po mbahen në paraburgim në Hagë.